Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori ka komentuar situatën gjate nje intereviste zoti Qori paralajmëron se presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta po i afrohet dita e përballjes me drejtësinë. Po ashtu, ai ngre alarmin, teksa thotë se Shqipëria konkurron me Rusinë në nivelin katastrofik të vjedhjes dhe përvetësimit të pasurive publike nga pushtetarët politikë e oligarkia ekonomike. Sipas tij, në aferën e koncesioneve në shëndetësi janë të përfshirë biznesmenë të fuqishëm dhe zyrtarë të lartë. Ndërkohë kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, thekson se asgjë dhe askush nuk mund ta shpëtojë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nga përballja me drejtësinë.
-Zoti Qori, Ilir Meta prej mëse dy vitesh është në hetim pavarësisht se nuk ka një hetim konkret me emër ndaj tij, ka kallëzim ndaj z.Meta dhe SPAK nuk a bërë asnjë lloj reagimi gjatë kësaj kohe. Si e keni lexuar si një strategji të SPAK-ut për të mbledhur sa më shumë fakte dhe prova apo vërtetë nuk ka diçka ta fajësoj dhe bëj përgjegjës zotin Meta?
Të them të drejtën, unë nuk kam ndonjë ide për strategjitë që përdor SPAK-u dhe do të uroja që askush tjetër, përveç prokurorëve, të mos kishte informacione të tilla. Puna dhe besueshmëria e institucioneve varen edhe nga këto. Po ashtu unë nuk jam në brendi të hetimeve për të ditur se çfarë provash ka apo nuk ka SPAK-u. Gjithsesi do të uroja që në hetimet dhe kohëzgjatjen e tyre të mos kishte asnjë element politik, por vetëm drejtësi, të cilën po e kërkojmë të gjithë tash e 33 vjet.
-Keni një koment mbi sulmet e Metës ndaj SPAK?
Janë të papranueshme jo vetëm për vulgaritetin e tyre, por edhe sepse nuk është puna e një politikani, sidomos e dikujt që ka ushtruar tri detyrat kryesore në hierarkinë e shtetit shqiptar, për t’iu kundërvënë institucioneve të drejtësisë në këtë mënyrë. Si shumëkush, edhe unë hamendësoj se Ilir Metës po i afrohet dita e përballjes me drejtësinë për korrupsionin dhe kusuret e mëdha që ka bërë kundër popullit shqiptar; sikundër mendoj se prej shumë kohësh atij i ka ardhur ora e falimentimit politik. Karriera politike nuk mund të ushqehet më me metodat primitive të klientelizmit.
-Si e lexoni veprimin e Metës, i cili thotë se duke luftuar nepotizmin, heq bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin nga Partia e Lirisë? Përse i intereson Metës largimi i Kryemadhit…
Sërish më duhet t’ju zhgënjej me përgjigjen time. Unë jo vetëm që nuk kam asnjë informacion për marrëdhëniet midis z. Meta dhe znj. Kryemadhi, por edhe sikur dikush të tentojë ta buçasë me megafon këtë informacion pranë meje, do të preferoja të mbyllja veshët. Shqipëria ka halle shumë më të mëdha se telenovelat politike.
-Si e shihni marrëdhënien mes Berishës dhe Meta?
Marrëdhënia politike midis tyre ka qenë gjithmonë e strukturuar sa prej mallit, aq edhe prej hallit. Berishës i është dashur gjithmonë një parti mbështetëse për të shtuar forcat dhe për të krijuar idenë e një fronti të rreshtuar krah tij. Nga ana tjetër, kam përshtypjen se Meta, duke përfituar nga pozicioni i një minorance potencialisht përcaktuese për shumicat qeverisëse, ka kërkuar favore mjaft më të mëdha nga pesha reale e partisë së tij. Çka besoj se nën radarin e vëmendjes publike prodhon kontradikta midis tyre.
-Prokuroria e Posaçme (SPAK) po heton disa dosje “përvëluese”. A besoni se ata që deri më dje bënin pjesë tek “të paprekshmit” do të japin llogari para drejtësisë sa i takon aferave korruptive dhe kriminale ku dyshohet se janë përfshirë?
Unë shpresoj shumë që të vijë dita që në Shqipëri të mos ketë të paprekshëm. Po për momentin kjo mbetet shpresë dhe nuk është kthyer ende në besim. E them këtë për tri arsye. Së pari, ende shumë pushtetarë e ish-pushtetarë të korruptuar nuk po hetohen. Së dyti, ata që po hetohen e dënohen në një pjesë të rasteve nuk po përballen me drejtësinë në përmasat e fajeve e krimeve të tyre, por duket sikur po marrin minimumin e dënimit. Së treti, dhe kjo është më e rëndësishmja, në Shqipëri pushtetarët politikë nuk vjedhin vetëm, por në bashkëpunim me oligarkinë ekonomike. Kështu që për çdo politikan, përpara gjyqit duhet të kishim edhe një oligark i cili ka përvetësuar miliona e miliona euro përmes koncesioneve korruptive, lejeve abuzive të ndërtimit, pastrimit të parave të krimit të organizuar etj. Këto tri aspekte nuk do të mund të vendosen në vendin e duhur nëse në Shqipëri nuk zgjohet shoqëria dhe formon një lëvizje të gjerë e të fuqishme antikorrupsion.
-Gjithashtu edhe qeveria “Rama” ka goxha punë me drejtësinë, pasi ministra, zv/ministra, deputetët e ish-deputetët apo kryetar bashkie e ish-kryetar bashkie janë duke u hetuar nga SPAK apo disa janë kandidatë për të qenë subjekt i Prokurorisë së Posaçme. A është normale kjo situatë? Nëse do ishim në një vend tjetër qeveria do të ishte rrëzuar…
Në një vend tjetër, mirëfilli demokratik, nuk do të arrinim në këtë pikë për shkak se grupi qeverisës nuk do të ishte i krimbur në zhvatje e korrupsion dhe institucionet e drejtësisë do të kishin vepruar që në krye të herës përpara se shkalla e zhvatjes të arrinte këto përmasa. Në Shqipërinë e tri dekadave të fundit është vjedhur jashtëzakonisht shumë. Kam përshtypjen se në dimensionet e vjedhjes, duke marrë parasysh raportet e popullsisë dhe burimeve ekonomike, Shqipëria konkurron me Rusinë e dekadave të fundit në nivelin katastrofik të vjedhjes dhe përvetësimit të pasurive publike nga pushtetarët politikë dhe oligarkia ekonomike. Nga ana tjetër, organizimi thellësisht hierarkik i pushtetit politik në Shqipëri e bën Edi Ramën politikisht, por unë besoj edhe penalisht, përgjegjës për të gjitha skandalet korruptive të zbuluara deri më tash në qeverinë e tij. Në Shqipëri drejtori nuk vjedh dot pa lejen e ministrit dhe pa i dhënë hise ministrit. Po ashtu ministri nuk vjedh dot pa lejen dhe pa i dhënë hise kryeministrit. Ky sistem vertikal pushteti dhe zhvatjeje e vendos përgjegjësinë kryesore më majë, pra tek Edi Rama. Për këtë arsye, shoqëria shqiptare duhet të fitojë besimin te vetja dhe mllefin që e shpreh përditë, veçmas e me zë të ulët, ta artikulojë kolektivisht në protesta të madha antikorrupsion.
-Kryetari i Bashkisë së Tiranes, Erion Veliaj është thirrur ne SPAK. A besoni se Veliaj është i rrezikuar të merret ne hetim?
Unë mendoj se tanimë asgjë dhe askush nuk mund ta shpëtojë Erion Veliajn nga përballja me drejtësinë. Maksimumi që mund të përfitojë prej “padronit” të vet, Edi Ramës, është ndërhyrja e tij në institucionet e drejtësisë për të vonuar procedurat e vendosjes nën akuzë dhe llogaridhënies përpara drejtësisë. Sidoqoftë, Erion Veliaj nuk është thjesht një politikan i korruptuar, por edhe nyja ku lidhen interesat e krimit të organizuar e oligarkisë ekonomike, të cilët po investojnë jashtë çdo logjike të shëndoshë ekonomike në sektorin e ndërtimit, dhe pushtetit politik. Kjo tregon se si ia del Erion Veliaj të heshtë shumicën dërrmuese të televizioneve edhe sot, në ditën e tij më të keqe politike.
Dosja e koncesioneve në shëndetësi është duke u hetuar ne SPAK? Sipas jush kush duhet te japë llogari për këto afera. Flisni dot me emra…
Edhe në këtë rast unë vërej një zvarritje të hetimeve, si dhe mosçuarjen e tyre deri në nivelin më të lartë të hierarkisë shtetërore. Nga ana tjetër koncesione si ai i Check Up-it, i instrumenteve kirurgjikale, i shërbimit të dializës dhe i shërbimeve laboratorike kanë jo vetëm zyrtarë shtetërorë të përfshirë, por edhe biznesmenë të fuqishëm që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme prej tyre. Kur do të hetohen të gjithë këta?! Kur do të vijë dita që të gjithë qytetarët të jenë vërtet të barabartë përpara ligjit?! Pa u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, suksesi i reformës në drejtësi do të vihet në dyshim.
