SPAK merr në pyetje Erion Veliajn për më shumë se 8 orë në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës, kryebashkiaku tregon se dorëzoi prova të reja, sulmon Metën, Berishën, Baton Haxhiun dhe analistët e tjerë

Data

Kryebashkiaku Erion Veliaj qëndroi dje në SPAK për më shumë se 8 orë (09:00 – 17:00, 30 prill 2024)  ku u paraqit lidhur me hetimet që Prokuroria e Posaçme po kryen për inceneratorin e Tiranës. Në dalje Veliaj tha për gazetarët se kishte shkuar në cilësinë e bashkëpunëtori e si i tillë kishte dhënë të gjitha shpjegimet e duhura, deri në nivel ezaurues. Duke vlerësuar institucionin e SPAK kryebashkiaku zbuloi se kishte dorëzuar dhe prova të reja por për arsye të sekretit hetimor u rezervua të jepte më shumë detaje. “Pak këtij takimi SPAK ma ka rritur bindjen se është bërë një investim për së mbari. Isha me dy kolegë hetues profesionistë. Them se e vetmja gjë që mund të bëjmë është ti forcojmë institucionet, mos ti përgojojmë mos të bëjmë rolin e tyre e prokurorë e gjyqtarë por të bashkëpunojmë. Isha këtu si bashkëpunëtor, kisha kohë që kisha kërkuar një takim. Po diskutonim sot orën 09 me 10 se kishte dhe një seancë përpara. Patëm një ezaurim total të çështjes së inceneratorëve. Të gjithë shpjegimet e nevojshme për mënyrën se ku dallon projekti i IFC-së që u rrëzua dhe ishte nisur nga ish bashkia me 37 euro/ ton,  dhe sesi ky proces ishte komplet gjë tjetër e pakërkuar nga investitorë të tjerë që nuk kishin lidhje me bashkinë e Tiranës dhe IFC dhe besoj kjo u sqarua. Sigurisht u thanë dhe disa detaje të tjera. Të dy kolegët hetues më kërkuan që për çështje të hetimit dhe të sekretit hetimor duke qenë se bashkia ka sjellë dhe disa prova të tjera, mu kërkua që të mos i ndaj me gazetarët. Sigurisht do të jetë pjesë e zbardhjes së dëshmisë time. Ndihem vërtet mirë që sot unë dhe ata që më duan ndihen të lehtësuar. Unë i pari ndihem i lehtësuar se pata mundësi të them fjalën time. Besoj se armiqtë e mi ndihen më të lehtësuar. Se unë besoj që një njeri duhet vlerësuar dhe nga armiqtë që bën. Çdo koment tjetër do tua jap pasi të mbaroj mbledhjen e këshillit bashkiak,” u tha Veliaj gazetarëve që po prisnin para prokurorisë së Posaçme.

Detajet

Veliaj u shoqërua nga drejtori i PR, Aurel Borici dhe nga Alban Dokushi drejtori juridik. Për inceneratorin e Tiranës është caktuar masë arresti në burg për Alqi Bllakon, Taulant Tushën, Namik Simirxhiun, Bledar Karolin dhe Lefter Kokën. Ndërsa në ‘arrest shtëpie’ janë 7 të tjerë, konkretisht Etleva Kondi, Valbona Ballgjini, Alba Thoma, Sidita Kopliku, Silena Toma, Pëllumb Abeshi dhe Jetmir Llapaj. Të akuzuarit Erjon Murataj dhe biznesmenët pronar të “Integrated Energy B.V SPV” Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, janë në kërkim. Prokurori Dritan Prençi pritet brenda muajit maj të vendosë lidhur me dosjen e inceneratorit të Tiranës nëse do e dërgojë për gjykim.

Sulmet dhe protesta

Nga ana tjetër, Veliaj pas largimit nga SPAK, ka folur online para këshilltarëve bashkiakë me gjuhë të ashpër ndaj kundërshtarëve politikë e jo vetëm, atyre që i quan ‘armiq’ u shpreh i vendosur se do të vijojë të jetë në krye të bashkisë madje inkurajoi dhe këshilltarët bashkiakë të vijojnë punën për një Tiranë më europiane. “Ftesa ime për ta është: shkoni nga humbja në humbje pa e humbur entuziazmin. Ata nuk kanë asnjë ide për ta çuar vendin përpara. Ai që humbi me 60 mijë vota më keq se Lul Basha te bashkia e vogël ka qenë drejtor në këtë bashki. Ja  ku jam sot, le të rrinë lepujt ditën e natën, nga bashkia e Tiranës nuk na heq askush përveç popullit. Ata që janë frikacakë nuk shkojnë në SPAK. Rusvelt thoshte, mos na gjykoni vetëm për punët që kemi bërë por edhe për armiqtë. Kemi sot një vlerësim spektakolar nga turizmi botëror. 365 ditë turizëm. Sot sheshi është plot me turistë. Ata nuk mbledhin dot më shumë se turistët. Sjellja e tyre kafshërore. Unë jo vetëm që nuk dorëzohem por do punoj edhe më fort”, tha ai.

Sfida ndaj Berishës dhe Metës

Veliaj sfidoi Sali Berishën dhe Ilir Metën që të zbresin nga dritarja e paralelet e të shkojnë në SPAK. “Në qoftë se janë burra, këta që flasin përditë, le të zbresë Saliu nga ballkoni dhe të shkojë në SPAK; le të zbresë ilir Meta nga paralelet dhe të shkojë në SPAK. Por, këta nuk janë burra, këta nuk kanë asnjë burrëri, nuk kanë asnjë nder dhe vendimet më të rëndësishme për të respektuar këta njerëz të qytetit, apo edhe për më të dobëtit që kanë nevojë për ndihmë, janë sot duke i sabotuar me këtë rrethim qesharak dhe me këtë inkuizicion patetik. Kur them që duhet të jemi krenarë, jo vetëm për punët, por duhet të jemi krenarë edhe për çfarë kemi arritur, sesi e kemi mbledhur të gjithë llumin bashkë. Është aftësi e jashtëzakonshme ta mbledhësh gjithë llumin bashkë. Mjafton të shikoje dje emisionet e lajmeve dhe ti kupton që një nga meritat tona më të mëdha është se kemi bashkuar kundër nesh të gjithë llumin”, deklaroi Veliaj.

Sulmet ndaj Baton Haxhiut dhe analistëve

Veliaj iu përgjigj gjithashtu disa analistëve të televizioneve opozitare, lidhur me akuzat kundër tij. Një ndër ata që e ka sulmuar është dhe Baton Haxhiu. Ai tha se secili prej analistëve që e ka akuzuar, nuk ka shqetësimin e qytetarëve, por të favoreve personale, që nuk u bëhen nga Bashkia e Tiranës. “Secili prej analistëve ka kërkuar diçka në Bashkinë e Tiranës. E di ai çfarë ka kërkuar Ben Rreli për atë portalin, që nuk jepet leje në Kopshtin Zoologjik; e di ai tjetri çfarë ka kërkuar për sondazhet që nuk i bën dhe faturon shifra të panevojshme, dhe kur s’e duan në Kosovë, në Shqipëri e shohin akoma më me përbuzje. Prandaj vlerësohet Tirana edhe në Kosovë, se njerëzit më të poshtër, që ata i kanë përzënë, nuk qasen në Bashkinë e Tiranës dhe nuk kanë pikë aksesi. Ai që ka ndërtuar pallat në mes të Bllokut e ka shumë kollaj të bëjë emision, se ky kryetar bashkie nuk e lë më të bëjë pallat në mes të Bllokut, duke ia vjedhur tokën e vet motrave Saleziane. Asnjë të mos ketë asnjë iluzon, secili prej atyre që është aty përballë ka interesin e tij, ka fund shpinën e vet interes, nuk i qan halli as për pastrimin, as për ndërtimin e shkollave, por ka vetëm një llogari. Unë llogarinë e kam me qytetarët e Tiranës dhe unë jam krenar që shumica dërrmuese e llumit të analistëve, që nuk kanë qenë mentori i askujt, që nuk i kanë thënë bravo askujt, që nuk kanë rritur asnjë talent të ri edhe t’i thonë ‘ec përpara, shkëlqe’, ‘jam krenar për ty’. Por përkundrazi, sa shohin dikë, i keni parë, janë burra nga 55-60-65-vjeç, që rrinë natën në televizione, sikur janë te ‘peshqirat’, sikur shikojnë Pornhub, dhe të eksituar si ata pitbullët, shqyejnë çdo gjë të re që u kalon përpara. Jam krenar për punët dhe jam krenar për të gjithë llumin e bashkuar kundër nesh, se njerëzit e drejtë vlerësohen jo vetëm çfarë punësh kanë bërë, por edhe sa kanë frymëzuar armiqtë dhe fundërrinat e këtij qyteti të bëhen bashkë si kurrë më përpara. Ata kanë harruar gjithçka kanë thënë për njeri-tjetrin, vetëm të bllokohet puna, vetëm të bllokohet e mira, vetëm të bllokohet progresi”, tha Veliaj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related