Edi Rama refuzon interpelancën me Bardhin pas dokumentarit të “RAI 3”, akuzon deputetin e Berishës se gatoi shpifje e ua dha të huajve si akuza, Rithemelimi paralajmëron se skandali i madh i qeverisë do shpërthejë të dielën

Data

Emisioni investigativ i “RAI 3” për Shqipërinë duket se ka thelluar sherret mes mazhorancës qeverisëse dhe grupit të Rithemelimit, i cili paralajmëron se skandali i madh i qeverisë do shpërthejë të dielën, pra nesër. Rithemelimi përmes Gazment Bardhit ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, lidhur me investigimin e transmetuar në median italiane “RAI 3”. Në kërkesën e depozituar, Bardhi akuzon kryeministrin Rama për ndërhyrje në median italiane, teksa kërkon nga kreu i qeverisë shpjegime lidhur me këtë dhe po ashtu edhe për akuzat e ngritura në emisionin italian. Por kërkesën e Bardhit, për interpelancë, shefi i ekzekutivit për momentin e refuzon, ndërsa argumentet i listoi në një reagim të gjatë. Në një shkrim të gjatë në platformën “X”, Rama e akuzon opozitën se të gjitha ato që ai i quan shpifje, të cilat u publikuan nga Rai3, janë përgatitur në Tiranë nga opozita shqiptare dhe i janë servirur medias italiane. Ai thotë se do të vazhdojë ta mbrojë dinjitetin e Shqipërisë dhe për të, prioritet tashmë është që akuzat dhe përbaltja e bërë nga Rai3 të hidhen poshtë përpara audiencës italiane. Ndërkohë ballafaqimin Rama, me akuzuesit brenda vendit thotë se do ta bëjë shpejt, por vetëm pasi t’i ketë dhënë përgjigje denigruesve në gjuhën italiane të vendit tonë. Në reagim Rama kujdeset edhe një herë të kujtojë arsyen e reagimeve të vazhdueshme për artikullin e publikuar një javë më parë nga “RAI 3”. “s’ka asnjë urgjencë për një poshtërim të radhës të parlamentit të Shqipërisë me një interpelancë të kërkuar nga autorët e prapaskenës së asaj shfaqjeje të shëmtuar në dëm të krenarisë legjitime të çdo shqiptari për Shqipërinë, e në radhë të parë të shqiptarëve që jetojnë me nder e krenari sot në Itali, pasi kanë kaluar një kalvar të tërë poshtërimesh nga artikuj, emisione e gjasme investigime të tilla në të shkuarën e errët të shtypit italian e sidomos të RAI-t ndaj Shqipërisë. Të mbarojmë njëherë punë me ata andej dhe të thuhet e gjithë vërteta në italisht, pastaj patjetër do t’u vijë radha edhe këtyre këtej, se kjo histori nuk është fare aq e thjeshtë sa duket dhe shqiptarët padiskutim meritojnë ta dinë të gjithën, sapo të tëra petët e këtij lakrori me plehra të jenë hapur deri në fund”, shkruan ndër të tjera kryeministri Edi Rama.

Bardhi për Ramën: Nuk është vetëm qesharak, por edhe frikacak

Ndërkohë Gazment Bardhi ka reaguar dje në rrjetet sociale pas përgjigjes së kryeministrit Edi Rama se nuk ka asnjë urgjencë për interpelancë autorët e shpifjes. Bardhi thotë se kryeministri Rama po fshihet, ndërsa i kërkon që të respektojë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Teksa e konsideron njëherazi qesharak dhe frikacak, Bardhi thotë se qëndrimi i Kryeministrit është alibia e radhës për të mos u përballur sipas tij me të vërtetën. “Nuk është vetëm qesharak, por edhe frikacak! Herën e parë u fsheh me alibinë që të mbarojë njëherë punë SPAK me kallëzimin që Olsi Rama kishte bërë ndaj meje dhe pastaj do të vinte për tu përgjigjur në Kuvend. Kur SPAK mbarojë punë me atë paçavure propagandistike, sot paska shpikur alibinë e radhës, siç e paralajmërova edhe dje, që do të mbarojë njëherë punë me “Rai 3”, pastaj do të vijë për t’u përgjigjur në Kuvend. Ankohet se nuk i është dhënë mundësia të përfshirëve në investigimin e “Rai 3” që të japin sqarimet e tyre, por ndërkohë i fshihet Kuvendit. Shqiptarët kanë një muaj që presin sqarimet, por Edi Rama fshihet, Olsi fshihet, kushdo i përfshirë fshihet. Faktet dhe pyetjet janë të thjeshta, kanë mbetur 1 muaj pa përgjigje, duke u fshehur pas tymnajës me gënjeshtra dhe alibi ditore, që rrëzohen nga nervozizmi që të shtohet çdo ditë”, shkroi Bardhi.

Rithemelimi thirrje autoriteteve italiane: Merrni masa sigurie për gazetarët e RAI, Rama do t’i sulmojë

Nga ana tjetër, Rithemelimi në një deklaratë të shpërndarë për mediat u ka bërë dje thirrje autoriteteve italiane të marrin masat më të forta sigurie ndaj gazetarëve të “Report RAI” për t’i mbrojtur nga një sulm i mundshëm hakmarrës nga Edi Rama. Në deklaratë thuhet se Rama do të përgjigjet personalisht për çdo sulm ndaj gazetarëve që denoncojnë lidhjet e tij mafioze. “Iu bëjmë thirrje autoriteteve italiane të marrin masat më të forta të sigurisë për gazetarët e ekipit të “Report RAI3” për t’i mbrojtur nga ndonjë sulm plotësisht i mundshëm hakmarrës i mafies shqiptare që kontrollohet nga Edi Rama, sikundër e siguron Edi Ramën se do përgjigjet personalisht për çdo sulm që mund të porosite ndaj gazetarëve guximtarë që denoncojnë lidhjet e tij mafioze dhe veprat e tij okulte”, thuhet në deklaratë. Ndër të tjera thuhet se dokumentari i Rai 3 për Shqipërinë paraqet me dokumente lidhjen direkte me mafien e drogës të Ministrave të Brendshëm të Edi Ramës, Sajmir Tahiri dhe Fatmir Xhafa të emëruar në atë detyrë vetëm që Rama të ndërtonte në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë. Sakaq, akuzave të Ramës u është përgjigjur drejtuesi i emisionit “Report”, Sigfrido Ranucci, i cili në një reagim në profilin e tij në “Facebook” thotë se të dielën e ardhshme do të ketë sërish vëmendje për Shqipërinë. Ai shton se në këtë puntatë do të transmetohen edhe përgjigjet e Agaçit, që sipas tij, konfirmojnë se ka qenë avokat i narkotrafikantëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related