Daut Gumeni: Ilir Meta i tmerruar nga prangat e SPAK, Altin Dumani i nxori fytyrën e vërtetë, ja kush e pengoi hapjen e dosjes së tij të spiunit dhe ‘bomba’ që u hodh në Kuvend për lidhjet e kapterit të UDB me Sulltanin e Bruneit që nuk plasi kurrë për të dal në shesh e vërteta

Data

Ish-anëtari i Autoritetit të Informimit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, njëherësh përfaqësuesi i klasës së të Përndjekurve Politikë dhe poeti i njohur, Daut Gumeni ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Gumeni shprehet se kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është tmerruar nga prangat për shkak se po hetohet për disa dosje nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Sipas tij, çartosja e dy pushtetarëve Meta-Berisha që janë vënë në garë kush ta fyejë e ta kërcënojë më shumë drejtësinë në reformim, tregon se ata shpresojnë se do shpëtojnë nga llogaridhënia për zullumet e tyre të shumtë gjatë këtyre 34 viteve në pushtet të pakufizuar. Po ashtu, zoti Gumeni, zbulon gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman se kush e pengoi hapjen e dosjes së Ilir Metës të spiunit, ndërkohë që flet për “bombën” që u hodh në Kuvend kohë më parë për lidhjet e kapterit të UDB me Sulltanin e Bruneit që nuk plasi kurrë për të dal në shesh e vërteta.

-Zoti Gumeni, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka qenë kryefjalë e aktualitetit në vendin tonë për shkak të retorikës së tij të pazakontë e të ashpër drejtuar SPAK-ut dhe kreut të këtij institucioni, Altin Dumanit. Si ju duken sulmet e tij ndaj drejtësisë dhe pse ai është nxehur me SPAK? Ka zëra se ka frika nga një arrestim i mundshëm për shkak se Prokuroria e Posaçme po e heton për disa dosje…

Çakërdisja e kreut të PL-së dhe gjuha e drunjtë me të cilën kërcënoi dhe fyejti pa kandar drejtuesin e SPAK-ut, z. Dumani, mund të shihet nga drejtësia e re si një pohim i hapët i fajësisë, që bën paradhënie vetë i akuzuari deri tani vetëm nga media dhe pa e marrë ende akuzën zyrtare nga organi i Posaçëm i Prokurorisë Kundër Korrupsionit. Sepse një humbje e tillë e drejtpeshimit nga personi që ka gëzuar të gjithë pushtetet e mundshme politike të tranzicionit i udhëhequr aq gjatë nga deviza e tij aq e pëlqyer: “me qetësi dhe dashuri”, nuk mund të merret ndryshe veçse një çartosje nga frika se po i qaset ndëshkimi për të gjithë zullumet që ka kryer me pushtetin e dhuruar në dëm të vendit e të popullit të vet. Vetë gjuha e përdorur prej tij nëpër ekranet televizive, dëshmon qartë jo vetëm një nivel lebetitës edhe për më të pagdhendurin e të punësuarve tanë në politikën e tranzicionit, por edhe frikën që e ka kapluar këtë pushtetar nga drejtësia, në një kohë që skota e tij janë mësuar që drejtësia të jetë në shërbim të tyre e të merret me hajdutët ordinerë të portofolave në trafikun urban e jo me trashëgimtarët kanakarë të pushtetit të vjetër, trashëgimtarë të cilët në këto tri dekada të rënda kanë dëshmuar sheshit gjithë tangërllëk agallarësh se e duan Shqipërinë jo vetëm pa shtet normal, por edhe pa njëfarë pushteti disi të kufizuar prej ligjeve që miratojnë po vetë, gjithnjë duke e përjashtuar veten nga çdo përgjegjësi përpara ligjit. Sepse kjo skotë pushtetarësh të tranzicionit tonë e do dhe ligjin në shërbim të interesave të saj të ulët e ndaj dhe kur , më në fund vjen një ditë që dhe drejtësia jonë të nisë të reformohet me ndihmën e aleatëve strategjikë të popullit shqiptar, kësaj skote pushtetarësh të paprincip i del kallaji i propagandës dhe na shfaqen ashtu siç janë në të vërtetë: ca parvëny pa din e pa iman, që nuk dinë se çfarë broçkullisin duke fyer e kërcënuar majtas e djathtas shërbyesit e shtetit,vetëm sepse kanë marrë guximin e ligjshëm t’u afrohen bëmave e gjëmave që kjo skotë pushtetarësh lyrashë kanë vërvitur në kurriz të këtij populli të duruar për dekada me radhë. Me sa duket pushteti i pakufizuar i ktheu këta dhjakonarë në miliarderë, për të betonuar me pasuritë e grabitura pushtetin e tyre të paligjshëm, që shkel çdo rregull e çdo ligj të politikës e të njerëzisë. Ky lloj këmbimi pushtet në pasuri e pasuri në pushtet duket që ka kthyer dhe vetë këta pushtetarë nga njerëz normalë në atë Njeriun e Ri – përbindësh të Partisë së Punës, sado që ajo parti ka kohë që lehonia e saj e pleqërisë e ndau nga jeta…

-Në media javën që shkoi është publikuar një dokument që tregon se Ilir Metaj u pagua 50 lekë nga Sigurimi i Shtetit, për një shërbim kryer ndaj kësaj strukture. Dokumenti mban datën 6 shkurt të 1989-ës dhe është një vendim për tërheqjen e parave nga fondi sekret për interesa operative të ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas dokumentit, Metaj është paguar me 50 lekë si shërbëtor e spiun, për realizimin e një përgjimi në një restorant. Studenti Filip Talo, shok me Ilir Metën, vendos të arratiset drejt Greqisë. Këtë plan, Filip Talo e ndan në mirëbesim me shokun e ngushtë dhe Ilir Meta shkoi ta spiunonte duke u bërë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të shtetit, por edhe duke u paguar me 50 lekë. Dokumenti vërteton gjithçka të raportuar më parë për spiunimin e shokut të Ilir Metës, Filip Talo. Fakti është vetëm një, Ilir Meta ishte spiun dhe është paguar 50 lekë nga ish-Sigurimi i Shtetit. Kështu që përballë këtyre detajeve të freskëta më lejoni t’ju pyes duke qenë se keni qenë edhe anëtar i Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, sa i vërtet është ky lajm? Ju keni dijeni për këtë histori dhe nëse lajmi është i vërtet, si ka mundësi që u ka shpëtuar filtrave të Komisioneve Bezhani dhe Mezini…

Sa për vërtetësinë e dokumentit me date 06.02.1989, që flet “për shpërblimin me 50 lekë të spiunit Ilir Metaj nga ana e Sigurimit të shtetit”, unë di aq sa dinë të gjithë qytetarët që ndjekin shtypin,sepse si anëtar i Autoritetit të Dosjeve kam mundur të qëndroj vetëm një vit dhe as e di se me se merret tani e as besoj se mund të kryejë ato detyra që i ngarkon ligji , edhe ashtu siç e kanë katandisur ligjin gjerman ekspertët tanë. Kam parë në shtyp që Autoriteti i tretë organizon ca veprimtari “bamirësie” për të përndjekurit e diktaturës, duke të dhënë përshtypjen se merret më tepër me dosjet e të burgosurve politikë e me të internuarit e regjimit të shkuar, por jo me dosjet e pushtetarëve që, duke u pagëzuar me pseudonime të reja nga faktorë antishqiptarë, mund t’i vënë ferrën zhvillimit normal të vendit. Lidhur me verbimin e dy komisioneve pararendës të këtij Autoriteti, me aq sa kam parë atë kohë që punova aty, mund t’ju them se zotërinjtë Mezini dhe Bezhani janë munduar të bëjnë një punë profesionistësh. Është politika ajo që ka penguar edhe atëherë hapjen e dosjeve, sikundër pengon dhe sot e këtë ditë për arsyet e veta. Dhe këto mendime i kam shprehur me kohë me gojë e me shkrim e nuk kam pritur me vite, sikundër veproi edhe prova e tretë me kashtë të lagur, apo Autoriteti aktual i caktuar nga Kuvendi për po të njëjtën lojë të vjetër të pa dobishme: “Mbyll- e- Hap –e- Mbyll”, që nuk e kam marrë vesh kurrë se kujt mund t’i hyjë në punë. Sepse kam pasur gjithmonë mendimin që ato dosjet me erë të keqe duheshin hapur me kohë për ta çliruar ecjen tonë si popull e si vend nga prangat e të shkuarës, sado e zezë qoftë ajo.

-Gjithashtu ka zëra dhe akuza se shumë personazhe të njohur të mediave, por edhe politikanë të njohur kanë qenë spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit. Keni një koment?

Edhe mendimet e komentet e mia lidhur me pjesëmarrjen në politikën tonë të tranzicionit të spiunëve të dikurshëm të Sigurimit i kam shprehur me kohë dhe nuk dua ta mërzit lexuesi tuaj me gjëra të përsëritura. Gjithsesi, për t’i rënë sa më shkurt: mund të them se në politikën tonë çyryke të tranzicionit të pambaruar mendoj (e me duket se nuk jam i vetmi që kam këtë mendim) se shumica e atyre që u përzgjodhën si trashëgimtarë besnikë të diktaturës, që po ndërronte vetëm lëkurën, kanë qenë të pagëzuar me pseudonime të Sigurimit të Shtetit komunist. Mjafton të ktheheni pak e të kujtoni si gazuvitjen në altarin e fjalës të deputetëve tanë, kur e thërrasin njëri-tjetrin me ato pseudonime dhe nuk kemi pse e shpiem më tutje këtë temë, që dëshmon dështimin tonë si shoqëri e tërë për t’u përballur me të kaluarën e zezë dhe me trashëgiminë e saj të sëmurë.

-Ndërkohë në kulmin e debateve sa i takon dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohen në media se kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-agjenturës së regjimit komunist, Spartak Braho ka ripublikuar raportin e operativit të Sigurimit, Ali Anadolli: “Ky është personi që e ka rekrutuar Berishën në 1967. Lidhja me UDB nëpërmjet vjehrrit Rexhepit. UDB dhe shërbimi francez e ndihmuan për të marrë pushtetin” . Akuzat e rënda të ish-deputetit të Partisë Socialiste, njëherësh ish-kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në adresë të ish-kryeministrit Berisha shkojnë përtej politikës, për shkak se zoti Spartak Brahoi ka zbuluar gjatë një interviste për gazetën “SOT”, se kreu i “Foltores” ka qenë spiun i ish-Sigurimit dhe disa agjenturave të huaja si UDB. Sipas ish-deputeti Braho, pseudonimin i Berishës ka qenë “Penicilina”. Keni një koment?

Z. Spartak Braho është jurist me profesion dhe nuk besoj se mund të flasë pa baza për gjëra aq të rëndësishme sa vënia në shërbim të agjenturave të huaja e personazheve aq të njohur në politikën tonë të tridhjetë viteve të fundit, sikundër janë dy ish-Presidentët dhe ish-kryeministrat që përmendët ju. Por më duket se deputeti Braho nuk e thotë se cilat janë arsyet që nuk i shpie deri në fund akuza aq të rënda. Se më kujtohet që njërit prej këtyre dy domodekëve të politikës sonë të tranzicionit i tha dikur në sallën e Kuvendit: “Po të flas unë, ty, kapteri i UDB-së, nuk do të të qasë as sulltani i Bruneit!”. E për fat të keq edhe ajo bombë lëshoi vetëm tym të hidhur e nuk plasi që të dilte në sheh e vërteta. Se mund të mbyllej seanca pa dalë askush nga salla dhe i akuzuari apo akuzuesi të kërkonin të silleshin përpara deputetëve dosjet e secilit prej të dy debatuesve. Atëherë doemos që do të bëhej e ditur për Kuvendin e pastaj dhe për popullin që i paguan deputetët tanë të varfër, se cili nga debatuesit kishte të drejtë në ato që thoshte dhe ashtu shpëtonte vendi e Kuvendi nga një agjent në shërbim të huaj. Prandaj mendoj se një përgjigje më të saktë për këtë çështje të rëndësishme mund t’jua thotë vetë z. Braho, i cili si kryetar i dikurshëm i Komisionit të Sigurisë në Kuvend, doemos që ka të dhëna më të plota, apo dhe t’ju thotë se çfarë e pengon që këto akuza t’ua vërtetojë organeve përkatëse e pastaj dhe mbarë qytetarëve shqiptarë me anën e medias.

-Po sulmet dhe akuzat e përditshme të Sali Berishës ndaj SPAK dhe drejtësisë nga banesa ku qëndron i izoluar për shkak të “arrestit shtëpiak” si i shihni?

Sulmet e përditshme që lëshon ish-Presidenti dhe ish-kryeministri nga papafingoja e “arrestit shtëpiak”, sulme që po i lëshon me vrullin e më të riut dhe me merakun e delikatesës që ka për doktorin qysh kur provoi birucat e Shik-ut të tij në vitin e largët 1992, na dëshmojnë haptazi të gjithëve dy gjëra: E para që këta dy pushtetarë të pasuruar, jo vetëm me prona e me para të thata por edhe me një numër të madh zullumesh, kujtojnë se koha ka ngelur e nuk ka gjasa që drejtësia të mos jetë më shërbyese e bindur e tyre. Dhe e dyta që edhe drejtësia jonë në reformim sikur nuk e beson dot që mund ta vendosë ligjin të barabartë për të gjithë, pa pyetur këta të dy agallarë politikë. Më vjen keq për drejtësinë dhe uroj që kjo e dyta të jetë një arsyetim imi i gabuar. Por për vërejtjen e parë më duket se i kam rënë pikës, sikundër do t’i binte pikës cilido qytetar i këtij vendi të vuajtur aq shumë nga mercenarizmi i drejtësisë si shërbëtore e verbër pushteti dhe nga mungesa e një drejtësie të barabartë për të gjithë qytetarët. Këtë bindje ma fuqizon dhe çartosja e dy pushtetarëve që janë vënë në garë kush ta fyejë e ta kërcënojë më shumë drejtësinë në reformim, gjithnjë me shpresën se ashtu do shpëtojnë nga llogaridhënia për zullumet e tyre të shumtë gjatë këtyre 34 viteve në pushtet të pakufizuar. Duke qenë se dhe ata zullumqarë janë qytetarë të këtij vendi, unë uroj të heqin dorë nga fyerjet dhe kërcënimet edhe vetjake që lëshojnë ndaj prokurorëve të SPAK-ut. Sepse është e turpshme të dëgjosh ato lloj fyerjesh dhe kërcënimesh mafioze ndaj pjesëtarëve të një institucioni të rëndësishëm të drejtësisë në reformim. Ca më e rëndë është kur këto fyerje dhe kërcënime të dëshpëruara ndaj një institucioni të shtetit i bëjnë ata që kanë qenë në krye të institucioneve kryesore të këtij shteti frymëzënë. Mbase do të ishte më mirë, në mos nuk gëzojnë dot sikundër duhej të ndodhte me shtetarë të përgjegjshëm, kur drejtësia e vendit të tyre kërkon të bëhet e barabartë për të gjithë, të paktën t’ia kursejnë këtij populli atë gjuhë të palarë. Mbase do të bënin më mirë të kujtohen për zullumet që kanë bërë me pushtetin e dhuruar i kanë bërë vetë me dëshirë e nuk i shtyu kush. Mbase, pse jo, do të bënin më mirë e do ta duronin edhe llogaridhënien përpara drejtësisë, po qe se kujtojnë atë fjalën e urtë: “Kjo botë rrotullohet, Kush lëndon, do të lëndohet!”…

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related