Kur kanë kaluar gati dy vite nga sulmi në Uzinën e Gramshit, Prokuroria e Elbasanit ka përfunduar hetimet për 2 rusët dhe ukrainasin. Mësohet se Prokuroria ka marrë të pandehur Svetlana Timofeeva, Mikail Zorin dhe ukrainasin Fedir Alpatov. Ndaj tyre është ngritur akuza e Sigurimit të informacioneve sekrete me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj. Të pandehurit kanë 10 ditë kohë të kundërshtojnë akuzën e prokurorisë dhe te paraqesin pretendimet e tyre. Timofeeva dhe Alpatov prej muajsh janë ne gjendje te lire, ndërsa Mikail Zorin mbahet ne arrest shtëpi.
Si ndodhi ngjarja në gusht 2022?
Dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe 25-vjeçarin ukrainas Fiodor Mihailoviç, po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve, teksa kanë tentuar që të futen brenda, u pikasën nga ushtarët shqiptarë të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë. Ato nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve shqiptarë, ndërsa njëri prej tyre Mikhail Zori, i ka sulmuar me spraj kimik. Të tre u arrestuan nga policia, ndërsa u hetuan edhe si spiunë të shërbimit sekret rus. Në makinën me targa ukrainase, që po përdorej prej tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri u gjetën 2 dronë, 4 celularë, 1 laptop, 1 kamer, karta memorie, 3 pasaporta, 2 aparate fotografikë, harta, të cilat u sekuestruan nga policia.
I dënuar për trafik emigrantësh të paligjshëm, arrestohet 20 vjeçari në Korçë
Ndërkohë Policia e Korçës ka arrestuar 20 vjeçarin Andrea Palla të shpallur në kërkim për trafik të emigrantëve të paligjshëm. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë i ka caktuar 20 vjeçarit banues në Tiranë, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë. Sakaq, Policia e Elbasanit ka arrestuar një 42-vjeçar të shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim në vitin 2016. “Komisariati i Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Elbasan, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, ndaluan shtetasin I. K., 42 vjeç, banues në fshatin Gostimë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Elbasanit, me vendimin e datës 07.10.2017, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim”, njoftoi dje policia. Në muajin shtator të vitit 2016, 42 vjeçari në bashkëpunim me 3 të tjerë, ka vjedhur me dhunë pajisje, në një kantier ndërtimi, në fshatin Banjë.
Arrestohen 3 persona të shpallur në kërkim në Krujë
Nga ana tjetër, Policia ka arrestuar 3 persona të shpallur në kërkim nga drejtësia, pasi janë dënuar me burg për vepra të ndryshme penale. Një prej tyre është dënuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Bëhet fjalë për personin e identifikuar me inicialet I.G.. Ai ishte shpallur në kërkim pasi ishte dënuar me me 8 muaj burgim, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. “I. G., banues në Krujë, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 8 muaj burgim, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, njofton policia. Ndërsa personi i identifikuar me inicialet E.A. ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, për veprën penale “Mashtrimi”. Po ashtu, shtetasi i identifikuar me inicialet F.Z. ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit Tiranë, e ka dënuar me 9 muaj e 22 ditë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
