Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta janë përballur dje për herë të parë pas përplasjeve në distancë dhe ndryshimeve të paralajmëruar nga ish-presidenti brenda Partisë së Lirisë, për zhdukjen e nepotizmit. Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar, Monika Kryemadhi nuk është përmbajtur fare, teksa është shprehur se nuk i rruhet fare as për burgun dhe as për SPAK-n. Teksa shtohet zërat për arrestime, Monika Kryemadhi ashtu si Meta sulmoi SPAK-un. “Distancohuni nga Monika se do të shkojë në burg?! Nuk me rruhet fare as për burg as për SPAK…. sa kam parë kumbulle e fara luledielli di puna këtyre do të dali sa të duash. Halli juaj është im”, deklaroi ajo. Po ashtu, Kryemadhi pranoi publikisht se ajo ishte një prej tradhtarëve e shpallur nga kreu i PL-së, ndërsa tha se brenda partive politike duhet të ketë meritokraci dhe jo servilizëm. Gjatë fjalimit të saj, Meta shpërtheu edhe në të qeshura, teksa Kryemadhi fliste për nepotizmin. Përgjigjen e mori nga kreu i PL-së, i cili tha se nuk mund ta kthejnë partinë në biznes familjar, pasi nepotizmin e ka sjellë në këtë pikë partinë. Gjatë fjalës së tij, Meta u vu re i tensionuar pasi herë pas herë përplaste me grusht tavolinën. Monika Kryemadhi la të kuptohet se po e bëjnë “kurban” për djegien e mandatit. Ajo i bëri të qartë Metës se në parti do të vazhdojë të japë kontributin e saj dhe se nuk ka vend as për prerje kokash e as për përjashtime. “Djegia e mandatave. Unë jam fajtore e djegies së mandateve. Por siç jam unë filloj faji tek Petrit Vasili e të gjithë deputetët që dogjën mandatet. Faji nuk është jetim. Nëse mua më kërkohet për vrasje politike të Lulzim Bashës nuk e konsideroj sepse në fund të fundit të gjithë jemi fajtorë”, nënvizoi Kryemadhi. Kurse Meta theksoi se mes të dyve ka vend vetëm për një në parti, por kjo shtoi ai do të vendoset me votë. Meta i ka takuar të gjithë me radhë, në fund Kryemadhin dhe Elona Gurin të cilën e ka përqafuar si për t’u dhënë fund zërave se ajo do të jetë e përjashtuara e radhës nga partia pas Endrit Braimllarit. Në mbledhjen e Komitetit Drejtues u shqyrtua plani i detajuar me 5 pika dhe draft statuti i ri, i cili pritet të votohet më 27 prill nga Konventa e Partisë së Lirisë.
Meta mesazh SPAK
Ndërkohë nga mbledhja e komitetit drejtues të PL-së, Ilir Meta i ka dërguar një mesazh Prokurorinë e Posaçme (SPAK). “Për SPAK tarallakun se mos i ka ngelur hatri njeriu kam këtë mesazh. Ilir Meta është këtu e do jetë gjithmonë këtu. Edhe në 92 kur më thërrisnin çdo javë për të ikur, që mos arrestohesha përgjigja ishte ja ku jam, bëjeni detyrën dhe madhëria ju falënderon. Më thirri mua një prokuror më erdhi fletëthirrja. Edhe e kishte lënë derën hapur ai Lona. Edhe tha sekretarja hyni. Ai si figurë e madhe pas ishte dritarja edhe bënte sikur nuk kuptonte me poza ke parasysh ti, prokuror i jashtëzakonshëm. Florinjtë e Ilir Metës, e ka thënë Tedi. Ku janë Tedi florinjtë? SPAKU torollaku te hetojë këtë të dojë, Metën e cilin të doje. SPAKU torollaku duhet të kuptojë që nuk mund të përdore njerëz të dobët, në PL, të cilëve mund tu ketë sekuestruar celularë, letra e ku di unë dhe ti përdore ata kundër PL dhe kundër Ilir Metës”, deklaroi ai. Pavarësisht reagimeve të forta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian që dolën hapur në krah të SPAK dhe institucioneve të drejtësisë, përballë akuzave që vinin prej tij, Meta as sot nuk i kurseu sulmet. “Shtëpi e vila të shkojnë t’i sekuestrojnë të gjitha. S’ka problem, po ta shoh situatën keq do ve një krevat të shtëpia e nënë Selvisë, plus që kemi selinë. Ose te Partia e Lirisë. Por Partinë e Lirisë, që do sjellë lirinë e Shqipërisë ta harrojë SPAKU torollaku që mund ta sjellë vërdallë. Sepse i ndodh ajo gjë që bëhet shembull në gjithë botën. Ishte një prokurore në Maqedoninë e Veriut, që luftonte korrupsionin, ku shkoi zonja? Italia kishte Di Pietron, ku përfundoi? Një ministër. E dini ça ishte Di Pietro, hajdutë tenderash… Siç i përdorte Nano disa hajde ti biem Metës… Ne jemi për reformën në drejtësi që arreston Edi Ramën. Atë e ka paralajmëruar drejtori i prokurimeve”, u shpreh Meta.
Meta sulmon Kryemadhin: Mos bëj viktimën
Më tej kryetari i Partisë së Lirisë bëri me faj Monika Kryemadhin se ka atrofozizuar nga nepotizmi LRI-në e jo vetëm. Tregon dhe për Klajda Gjoshën, e cila u bë ministre, ndonëse nuk ia përmend emrin si dhe ndërsa përplas tavolinën me dorë. “Nepotizmi është ai që nuk na bëri të mundur një shoqen tonë që e bëmë ministër të ishte prezente në mbledhjen e kaluar të Komitetit Drejtues Kombëtarë. Ajo ka qenë e rregullt e unë kurrë nuk ia kisha kërkuar. Për herë të parë e mora në telefon dhe e falenderova dhe i kërkoi që të ishte prezente. Kishte përpjekje të qartë për të sabotuar kuorumin e mbledhjes së komitetit drejtues kombëtar. Nepotizmi e bëri atë që kur të më dalë mua përpara të skuqet, sepse i kanë thënë si do të shkosh atje. Ty s’të bëri Ilir Meta, të bëra unë, shoqja e Agim Neshos. Të bëmë ne. Prandaj nuk erdhi. A mundet një njeri që nuk i kishte vajtur mendja kurrë që do të bëhet ministre. Djegia e mandateve ishte krim, përveç Erisa Xhixhos, e cila nuk ka asnjë përgjegjësi. Se po të kishte pasur përgjegjësi nuk do të ishte kandidate për zv/presidente e Ilir Metës. Të gjithë të tjerët u justifikuan me idenë se nuk dërguan një mesazh tek Ilir Meta, si president që kishte dalë kundër djegies së mandateve, me idenë: Burrë e grua, grua e burrë. E pra nepotizmi. E nepotizmi është akoma që mendojnë që kjo është lojë (Përplas tavolinën). Ilir Meta lojë me Kushtetutën ka bërë ndonjëherë? Ilir Meta lojë me pluralizmin politik ka bërë ndonjëherë (Përplas tavolinën). Ilir Meta lojë me interesin kombëtar ka bërë ndonjëherë (Përplas tavolinën). Lojra patjetër do të bëjë Ilir Meta. Pingpongun e qan, 3 pikëshat në basketboll qan. Hiking. E nëse ndonjë grua ankohet se është viktimë e burrave, në politikë është viktimë e një palaçoje që quhet Lulzim Basha që gënjen edhe për orën. Më 27 prill ekzekutojmë nepotizmin. Askush nuk ka të drejtë të bëjë viktimën. Ekzekutojmë fenomenin. Nuk mund të jetë më family biznes”, tha ai.
