Vuçiç në Paris, Macron “i prerë” me presidentin serb: Kosova, peng për të ardhmen e rajonit

Data

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka zhvilluar ditën e djeshme një vizitë zyrtare në Paris me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron. Gjatë konferencës së përbashkët në Pallatin Elysee, Macron ka mbajtur një fjalim me mesazhe për Serbinë dhe Kosovën. Macron theksoi se çështja e Kosovës është një premtim dhe një peng për të ardhmen e rajonit dhe se e gjitha është e përfshirë në marrëveshjen “e lidhur një vit më parë”. “Franca do të sigurohet që çdo hap i asaj marrëveshjeje të përmbushet. Është e nevojshme që pjesëmarrësit për sulmet në Banjska të mbajnë përgjegjësi dhe një dramë e tillë të mos përsëritet. Dëshiroj gjithashtu që Prishtina të respektojë zotimet e saj, si dhe që zgjedhjet të respektohen me legjitimitet të plotë demokratik, veçanërisht në komunat me shumicë kryesisht serbe”, tha presidenti francez. Por pavarësisht angazhimit dhe thirrjeve të ndërkombëtarëve, Vuçiç vijon me provokimet e tij. Herë pas herë presidenti serb nxit tensione duke afruar ushtrinë në kufi me Kosovën. Ndërkohë që ditën e djeshme, Vuçiç ka tentuar të krijojë të njëjtit ngërç të pak muajve më parë në komunat në veri të Kosovës. Sakaq, në Paris, dy udhëheqësit diskutuan edhe për integrimin evropian të Serbisë dhe për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Para vizitës, mediat serbe shkruanin se Macron do të “konfirmojë angazhimin e tij dhe mbështetjen e plotë për integrimin evropian të Serbisë”, dhe se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është pjesë integrale e procesit të anëtarësimit” në Bashkimin Evropian. Kujtojmë se Franca dhe Gjermania kanë ideuar Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën palët e pranuan në 2023, në Bruksel.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related