Kryetari i Nismës Thurje, Endrit Shabani, i cili është anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë, ka iniciuar sot kërkesën për ngritjen e një komisioni të përkohshëm që të kontrollojë proçedurat e emërimit të drejtorëve në bashkinë e Tiranës, si dhe të hetojë përse kanë dështuar mekanizmat e auditit të brendshëm përsa i përket abuzimit me tenderat e bashkisë.
Kjo kërkesë e zyrtarizuar sot, ka marrë mbështetjen edhe të anëtarëve të tjerë të opozitës në Këshillin Bashkiak.
Në kërkesë theksohet nevoja për një mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak dhe ngritja e një komisioni të përkohshëm që të hetojë mbi procedurat e emërimeve të strukturave drejtuese në Bashkinë e Tiranës.
Kërkesa:
E nderuar kryetare e Këshillit Bashkiak, të nderuar anëtarë të kryesisë, të nderuar këshilltarë,
Siç edhe jeni në dijeni, në 8 Dhjetor 2023 Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion lëshoi 15 urdhër arreste që lidheshin me hetimin e dosjes së inceneratorit të Tiranës, e cila ka nisur me një kallëzim në SPAK të Nismës Thruje me datë 24 Qershor 2020. Mes personave të arrestuar ishte edhe drejtori i infrastrukturës në Bashkinë Tiranë. Po ashtu, javës së kaluar, me datë 28 Mars 2024, SPAK ka lëshuar 9 urdhër arreste të tjera për ish zyrtarë të lartë të bashkisë së Tiranës, ku u përfshinë edhe ish drejtori i Ujësjellës Kanalizime të Tiranës (UKT) dhe ish drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT).
