Muharrem Xhafa: Zogu tradhtar, ishte në dijeni të pushtimit fashist në 7 prill të vitit 1939 dhe bëri pazare me italianët, ja gjithë tradhti e Abaz Kupit

Data

Muharrem Xhafa: Zogu tradhtar, ishte në dijeni të pushtimit fashist në 7 prill të vitit 1939 dhe bëri pazare me italianët, ja gjithë tradhti e Abaz Kupit

Dje u shënuan plot 85 vite nga pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste. Kjo e fundit në 7 prill të vitit 1939 fashiste sulmoi dhe pushtoi Shqipërinë. Por sa i takon kësaj ngjarje të rëndë, ka folur Muharrem Xhafa, ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Xhafa shprehet se mbreti Ahmet Zogu ka qenë tradhtar. Sipas tij, Zogu ishte në dijeni të pushtimit fashist në 7 prill të vitit 1939 dhe bëri pazare me italianët. Po ashtu, ai flet edhe për tradhtitë e Abaz Kupit.

– Zoti Xhafa, dje ishte data 7 prill 2024. 85 vjet më parë, më 7 prill të vitit 1939, Italia fashiste pushtoi vendin tonë. A mund të thoni ndonjë gjë për këtë ngjarje?

Po! 85 vjet më parë, më 7 prill1939, Italia fashiste sulmoi dhe pushtoi Shqipërinë. Në fakt, marrëveshjet ekonomike që kishte lidhur mbreti Ahmet Zogu me shtetin fashist italian, edhe para 7 prillit 1939, ishin skllavëruese dhe e kishin vënë ekonominë e Shqipërisë nën autoritetin e shtetit fashist italian. Por Italia fashiste e pushtoi edhe ushtarakisht vendin tonë, Shqipërinë, që kjo të bëhej e varur edhe politikisht dhe shteti fashist italian të kishte tagër të plotë mbi të! Kështu, më 7 prill 1939, me rreth tridhjetë e pesë a dyzet mijë forca ushtarake, qeveria fashiste italiane me Duçen në krye, nisi sulmin kundër Shqipërisë. Patriotët shqiptarë, të tradhtuar nga mbreti  Zog, i cili, pasi kishte vjedhur thesarin e shtetit, ia mbathi me taborrin e tij nga Korça për në Greqi, pastaj në shtete të tjera të Europës e të botës, e pritën pushtuesin fashist italian me armë,  derdhën gjak dhe bënë sakrifica të mëdha për mbrojtjen e vendit të vet; luftuan me heroizëm në Durrës, Sarandë, Vlorë, Shëngjin, Shkodër etj.. Heroi i Popullit, Mujo Ulqinaku dha jetën bashkë me shokë të tjerë. E premtja e zezë e 7 prillit të 1939-s ka mbetur e paharruar në kujtesën e popullit, si e premtja e zezë e kombit shqiptar!

– Abaz Kupi ka qenë organizator i kësaj rezistence kundër pushtimit fashist italian, më 7 prill 1939, në Durrës, apo jo?

A kujtove se nuk do ta them! Po, ka qenë! Madje, ishte edhe në Konferencën e Pezës, e thirrur nga PKSH-së në Pezë të Madhe të Tiranës, më 16 shtator 1942, si përfaqësues i zogistëve, ku u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacionalçlirimtar të Përkohshëm; më 10 korrik 1943 u zgjodh në Labinot të Elbasanit anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNSH; por qe edhe pseudopatriot e kompromisaxhi; qe edhe dredharak i pabesë; qe edhe tradhtar e bashkëpunëtor me pushtuesit e huaj; synoi të rruhej në Shqipëri pushteti i borgjezisë e i çifligarëve; u arratis pa mbaruar Lufta Nacionalçlirimtare etj.

– Mund të na jepni më shumë detaje nga Asambleja Kushtetuese e prillit 1939?

Pa mbushur 4 a 5 ditë pushtimi fashist i Shqipërisë, më 12 prill 1939, u mblodh në Tiranë nga pushtuesit fashistë italianë Asambleja e vetëquajtur Kushtetuese. Kjo asamble përbëhej nga 159 veta të caktuar midis bejlerëve, tregtarëve të mëdhenj, klerikëve dhe intelektualëve reaksionarë. Shumë prej tyre i kishin shërbyer me besnikëri regjimit të Ahmet Zogut. Asambleja tradhtare e 12 prillit 1939, mori vendimin e hartuar më parë nga Ministria italiane e Punëve të Jashtme, me të cilin u shpallën: rrëzimi i regjimit të Zogut dhe shfuqizimi i Kushtetutës së tij; krijimi i një “qeverie me fuqi të plota”; dhe ofrimi i kurorës së Shqipërisë mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit të tretë, në formën e një bashkimi personal, që, në fakt sanksiononte aneksimin e Shqipërisë nga shteti fashist italian. Nuk duhet harruar as fakti që vullnetarë nga Shqipëria kishin luftuar edhe në Spanjë kundër fashizmit.

– Pas 85 vitesh, si e kujton shteti dhe media shqiptare pushtimin fashist të Shqipërisë nga Italia fashiste, më 7 prill 1939?

 Shteti dhe media shqiptare, që pas vendosjes se rendit kapitalist në Shqipëri, më 1990-ën, e kanë përkujtuar dhe e përkujtojnë pushtimin fashist të Shqipërisë, më 7 prill 1939 gati – gati vetëm si datë  të pushtimit fashist italian! Sivjet nuk e di se ç’do të bëhet! Një pjesë e atyre kanë përfaqësuar dhe përsëri përfaqësojnë ato forca politike dhe njerëz, që e pritën me lule pushtimin fashist italian dhe që, sikurse vura në dukje, i dërguan në Itali me ceremoni kurorën e Skënderbeut të Shqipërisë, mbretit të fashizmit të Italisë, Viktor Emanuelit të tretë. Dhe ndonjë shkrim a kronikë televizive që japin më gjerë për të, e japin për t’i hedhur “hi syve” opinionit të popullit!  Shteti fashist italian, pas pushtimit të 7 prillit 1939, mund të bënte me Shqipërinë si të donte dhe çfarë të donte, u bë koloni e tij, por këto nuk thuhen. Ndoshta, një pjesë tjetër e vogël e shtetit dhe medias shqiptare ka frikë të shprehet qartë kundër pushtimit fashist, jo se nuk e njeh të vërtetën, po sepse në Shqipëri as shtypi e as gazetarët nuk gëzojnë demokraci të vërtetë. Nuk kanë frikë të thonë të vërtetën e pushtimit fashist dhe të dënojnë pushtimin fashist italian të 7 prillit 1939, siç e meriton pushtuesi, pavarësisht pasojave, komunistët dhe patriotët shqiptarë. Se të evokosh rezistencën shqiptare, të shkruash për ata patriotë trima jo komunistë dhe komunistë, që luftuan e dhanë jetën për mbrojtjen e Atdheut, më 7 prill 1939 dhe për Luftën Çlirimtare të udhëhequr nga komunistët me Enver Hoxhën në krye të Partisë Komuniste të Shqipërisë, kërkohet guxim, kërkohet përgatitje ushtarake dhe organizim ushtarak, kërkohen armë. Populli, shteti dhe ushtria shqiptare në socializëm i kishin këto dhe të tjera me bollëk, ndërsa shteti borgjez shqiptar dhe “ushtria” e tij nuk i kanë ato sot, sepse i shkatërruan dhe i dërguan për skrap. Sot nxitohet të bëhen armiqtë miq dhe të përulen para tyre në dëm të shqiptarëve e në dobi të shteteve “miq” të Vuçiçit, Micotaqit, Melonit etj., etj..

– A ka gjallë sot njerëz, që i shërbyen fashizmit dhe që e bekuan pushtimin fashist italian?

Unë them se ka gjallë edhe njerëz të veçantë, edhe forca politike, që i shërbyen fashizmit, që e ndihmuan fashizmin, që e bekuan pushtimin fashist italian, madje, mendoj, ka edhe që shprehen se do të ishin të lumtur po të ishin nën pushtimin fashist italian. Shqiptarët duhet të nxjerrin mësime nga historia dhe të dinë mirë se ishte imperializmi italian ai që degjeneroi në fashizëm dhe polli fashizmin italian, se çdo lloj imperializmi, degjeneron në  fashizëm, në diktaturë fashiste. Kush nuk kupton këtë, ai nuk ka kuptuar asgjë nga jeta shoqërore. Zotërinj të borgjezisë shqiptare: Fashizmi nuk është demokraci, fashizmi është demokraci për fashistët dhe për borgjezinë fashiste dhe diktaturë fashiste për popullin, për masat e popullit! Për popullin është  demokraci socializmi! Zotërinj të borgjezë, lexojeni mirë historinë!

– A konstatohet sot në vendin tonë një frymë e egër anti-komuniste?

Po, padyshim! Që njerëzit të binden për këtë duhet të shihen shkatërrimet që janë bërë e po bëhen në dobi të të huajve! I nderuar, antikomunizmi është sajuar nga borgjezia kapitaliste dhe reaksioni! Në shumë emisione televizive dhe shkrime të shtypit, sulmet shpifëse kundër komunizmit, në fakt kundër socializmit, janë bërë të “modës” dhe thuhen për të “mohuar” arritjet e socializmit, pranuar e  llogaritur edhe nga bota borgjeze,  para 1990-ës!

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related