Endri Shabani: Rama-Berisha 16 vite pazare të fshehta me njëri-tjetrin për të shpëtuar çetat e tyre të hajdutëve, Amnistia Penale një “2008 e dytë”, ja skandali i madh nga marrëveshja

Data

Kreu u Nismës Thurje Endri Shabani ka nxjerrë detaje të forta nga pazaret e fshehta të dyshes Rama-Berisha. Në një reagim për gazetën “SOT”, Z.Shabani ka folur për Amnistinë Penale të miratuar së fundmi nga PS dhe Rithemelimi. “Një rikthim të pazarit Rama-Berisha të 2008”, kështu e ka cilësuar ai marrëveshjen midis palëve të bërë me qëllim për të ndryshuar përsëri kushtetutën. Sipas tij, ata po mblidhen sërish, por këtë herë për të kufizuar lirinë e njerëzve të zakonshëm edhe për të shpëtuar drejtorët e tyre dhe çetat e veta të hajdutëve. “Shikojeni me vëmendje historinë e bashkëpunimit Rama- Berisha. Janë bërë bashkë ose për të kufizuar lirinë e njerëzve të zakonshëm, ose për të shpëtuar çetat e veta të hajdutëve. U bënë bashkë në 2008 për të ndryshuar Kushtetutën, duke vendosur themelet e autokracisë në këtë vend. U bënë bashkë gjatë pandemisë për të ndryshuar Kodin Penal që të dënonin me burg ata që dilnin pa leje nga shtëpia. Dhe tani bëhen bashkë për të amnistuar drejtorët e dënuar për korrupsion apo për krime zgjedhore. Është mjaft e qartë se për çfarë e duan pushtetin”, tha për gazetën “SOT”, kreu i nismës “Thurje”.

Pazaret e fshehta Rama-Berisha prej 16 vitesh

Më tej Shabani ka theksuar se duket qartazi se kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha nuk i interesojnë qytetarët, por interesi i tyre. Sipas tij, thënë troç me votimin e amnistisë për të cilën bashkuan votat për të liruar ata që ka hetuar apo dënuar SPAK-u, nga krahu tjetër dyshja konfirmuan se janë bashkë në një aleancë kundër Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Reformës në Drejtësi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.“Unë jam nga ata që besoj se këta nuk kanë qenë ndonjëherë veç e veç. Kanë të paktën 16 vite që janë bashkë me marrëveshje publike apo të fshehta. Por nëse pyetja është për marrëveshjen e fundit, unë besoj se është një 2008 e dytë. Kështu që duke gjykuar nga 2008 e parë, besoj se janë bashkuar për të ndryshuar kushtetutën dhe për të penguar drejtësinë. Produkti i parë i kësaj marrëveshje ishte votimi i Amnistisë Penale, ku bashkuan votat për të liruar ata që ka hetuar apo dënuar SPAK-u”, shtoi më tej ai.

Ja detajet nga pazari Rama-Berisha

Kujtojmë se pak ditë më parë,  Rama dhe grupi i Sali Berishës gjetën dakordësinë për miratimin e Amnistisë Penale. Kështu me 110 vota pro, 1 abstenim edhe 1 kundër, Kuvendi i dha dritën jeshile amnistisë penale, nga e cila do të shpërblehen zyrtarët e korruptuar dhe zyrtarë të dënuar nga GJKKO-ja. Gazeta “Sot”raportoi vetëm pak ditë më parë se sipas pazarit Rama-Berisha, me miratimin e amnistinë penale përfitojnë zyrtarët e dënuar apo të hetuar në nenin 244 – Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike; ata të hetuara nga Neni 244/a -Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë; ata të hetuar nga Neni 245 – Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë. Përmes kësaj amnistie, përfitojnë falje totale të dënimit burrat e dënuar me 4 vjet ose më pak vite burg, për dënime të dhëna dhe që kanë marrë formë përfundimtare deri më 31 mars 2023, ndërsa gratë përfituese do jenë ato që kanë deri në 5 vite dënim. Masa e dënimit është rritur pas propozimeve të mëvonshme, pasi varianti fillestar parashikonte falje 3 vite për burrat dhe 4 vite për gratë.  Sipas kritereve të përcaktuara në draft përjashtohen nga vuajtja e dënimit edhe burrat kur në datën e hyrjes në fuqi të amnistisë, u ka mbetur pa kryer deri në 4 vjet burg, ndërsa grave kur u ka mbetur 5 vjet. Përfshirë gjobën apo dënimet alternative. Përfitues nga amnistia janë gratë  mbi moshën 50 vjeç ose mbi këtë moshë, ndërsa për burrat efekti do të jetë kur janë mbi 65 vjeç. Nga amnistia do të përfitojnë edhe të miturit apo ata që kanë qenë 18 vjeç në kohën që kanë kryer veprën penale, ose nën këtë moshë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related