Edi Rama i shpëton imunitetin e deputetit Sali Berishës, ja manovrat e kryeministrit për të nxjerrë nga izolimi kryefoltoristin, SPAK dhe SHBA përballë sfidës të aleancës të “non-gratave”

Data

Kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë çuar përpara pazarin e tyre, duke konfirmuar se janë dy politikanë që po mbajnë njëri-tjetrin në skenën gjysmë të rrëzuar të politikës, me shpresën se pa njërin, as tjetri nuk do e ketë më të gjatë. Lojërat, pazaret dhe marrëveshjet e fshehta, që ndër vite kanë bërë për të mbrojtur njëri-tjetrin me të gjitha mënyrat, sepse rënia e njërit hap “Kutinë e Pandorës” e i çon në “gojën” e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe realizon efektin domino, duke i marrë me vete gjithë të tjerët, është çimentuar së fundmi. Rama ka bërë një lëvizje taktike për të mbrojtur “ortakun” e tij, Berisha, të cilin kërkon ta nxjerrë nga izolimi. Gazeta “SOT” ka zbardhur plani paraprak të hetimit për Komisionin Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS, teksa mes dëshmitarëve që kërkohen për të dëshmuar në komision është edhe kreu i Rithemelimit, Sali Berisha. Kërkesa është bërë nga deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti. Por interesant është fakti se nëse Berisha shkon në Kuvend, atëherë atij i shtyhet fuqia e mandatit të deputetit edhe 6 muaj automatikisht, çka do të thotë se atij nuk i digjet, pasi ndodhet në “arrest shtëpi” qysh në dhjetor të vitit 2023. Dokumenti pritet që të miratohet në mbledhjen e radhës së komisionit dhe nëse do të miratohet lista e dëshmitarëve, ish-kryeministri Berisha do të shijojë për pak orë lirinë dhe do të rikthehet në Kuvend. Pra duket qartë se jemi përballë një skandal, ku Edi Rama i shpëton imunitetin Sali Berishës, përmes kësi manovrash. Megjithatë pazari Rama-Berisha në këtë rast pritet të përballet me një rezistencë të fortë nga ana e SPAK, pasi lejën për ta nxjerrë nga izolimi ish-kryeministrin e shpallur “non-gratën” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe e ka në dorë pikërisht Prokuroria e Posaçme dhe jo mazhoranca e Rithemelimi. Ndërkohë mes dëshmitarëve është kreu i PD, Lulzim Basha dhe kreu i grupit parlamentar të Rithemelimit, Gaz Bardhi, njësoj si Berisha, të cilët do të pyeten si persona që kanë dijeni për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS, pasi në shumë deklarata kanë hedhur akuza për rrjedhjen e të dhënave.

Skema

Sidoqoftë metodat e “Dy Tenorëve” të hajdutërisë dhe të korrupsionit “Rama-Berisha” janë shumë më të avancuara se sa ato të regjimit të kaluar. Mjetet më moderne. Miliona euro janë hedhur dhe vijojnë të hidhen nga lekët e vjedhura të popullit ndër vite. Qëllimi: ruajtja e status quo-s. Madje, sot Perëndimit i kemi përvetësuar edhe metodologjinë e manipulimit, që në shumicën e saj është krejt e pa kuptuar për njerëzit e thjeshtë, të pa lëçitur dhe të padijshëm nga teoritë e komunikimit masiv, njëkohësisht edhe të manipulimit masiv. Shumica e tyre ushqehen përditë me ato që thuhen në televizor, apo ato që shkruhen në gazeta apo portale, pa e pasur mundësinë e shikimit dhe leximit me sy kritik të gjithçkaje. Çifti Rama-Berisha kanë vetëm një shans: të luftojnë sa më shumë për të mbajtur njëri-tjetrin në lojë. Sa më gjatë. Sa më larg. Sa më fortë. Nuk do jetë e largët dita kur kori i sovranistëve do të jetë në të njëjtën gjatësi vale, pa më të voglin hezitim. Jo se sot nuk janë, por do ta bëjnë në mënyrë më të qartë dhe më të hapur. Sepse i bashkon i njëjti hall. Halli i rënies së gongut të pandëshkueshmërisë në katet e larta të politikës. Ata sot qëndrojnë në lojë vetëm nëpërmjet propagandës, e cila gjenerohet nga lekët e vjedhura të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ata sot janë të fortë vetëm si pasojë e njëri-tjetrit. Nesër, kur një prej tyre të bjerë, dy të tjerët njëkohësisht do të jenë të marrë fund. Binomit nuk i ka mbaruar thjesht koha. Jo, më shumë se kaq. Ramës dhe Berishës u ka mbaruar rruga dhe duket se janë në grahmat e fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related