E gjithë propaganda që Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka bërë për suksesin që po korr Policia e Shtetit u rrëzua ditën e djeshme nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Dje, numri një i Antikorrupsionit në Shqipëri akuzoi publikisht kupolën e Policisë së Shtetit, si të lidhur me krimin e organizuar. Teksa bëri në KLP bilancin e vitit 2023, Dumani deklaroi dje në se SPAK nuk bashkëpunon sot me Policinë e Shtetit për krimin e organizuar. Shkak sipas tij bëhet fakti që rezulton se janë të përfshirë në nivele të larta bashkëpunimi me krimin e organizuar. Kreu i SPAK tha se dosje të SPAK, duke iu referuar me sa duket Metamorfozës dhe çështjeve nën hetim, tregojnë se drejtues të lartë të policisë janë implikuar në krim të organizuar. “Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe çështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër. Janë një kategori çështjesh që ne hetojmë ekskluzivisht me BKH-në. Patjetër që bashkëpunojmë me policinë dhe kemi bashkëpunim të ngushtë”, tha Dumani para KLP-së.
Detajet e forta
Ky fakt u pasqyrua në raportin e SPAK, ku një sektor i dedikohet krimit të organizuar veçoritë e përgjithshme të grupeve kriminale shqiptare si veprojnë, lidhjet me policinë, zyrtarë e biznesmenë dhe karakteristikat e tyre. “Analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një realitet për tu shqetësuar,” thuhet në raportin e SPAK. Nga hetimet e këtij viti, janë evidentuar grupe me aktivitet kriminal në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan, Kurbin dhe Fushë-Krujë. Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave. Trafiku i narkotikëve është një problem i dukshëm në rrethet e Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit dhe Kurbinit. Vihet re që në qytete si, Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë. Vrasjet dhe vrasjet e mbetura në tentativë janë vënë re më shumë në qytete si, Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Shihet një tendencë në rritje e angazhimit të grave në funksione të rëndësishme për grupet kriminale. Kryesisht ata, janë bashkëjetuese të krerëve të organizatës dhe konsiderohen si persona shumë të besueshëm të organizatës kriminal që merren me administrimin e të ardhurave dhe mbikëqyrja e transferimit fizik dhe nëpërmjet institucioneve bankare të parave. Në raport thuhet se janë evidentuar grupe kriminale të specializuara në vrasjet me pagesë. Grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri kanë dhe shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe. Ndërkohë vihet re dhe kryerja e pagesave, si dhe konvertimi i parave në kriptovaluta është një tjetër veçori e cila është evidentuar gjatë vitit 2023. SPAK evidenton se në disa raste janë edhe lidhjet e krijuara me përfaqësues të policisë së shtetit qoftë në nivel lokal, por dhe qendror, të cilët kanë ndihmuar grupet kriminale kryesisht në dhënien e informacioneve apo ndjekjen e lëvizjeve të kundërshtarëve të tyre. Një veçori tjetër, është edhe përfshirja e biznesmenëve të fuqishëm kryesisht në nivel lokal të cilët luajnë rolin e ndërmjetësit kyç.
Grupet kriminale
“Një karakteristikë shqetësuese është dhe përfshirja e personave kyç në jetën komunitare, siç janë edhe Kryetarët e Fshatrave (kryepleqtë), të cilat janë përfshirë qoftë drejtpërdrejt në aktivitete kriminale ose në mënyrë indirekte duke shpërdoruar detyrën ose duke mos kallëzuar krimin. Shihet një tendencë në rritje e angazhimit të femrave në funksione të rëndësishme për grupet kriminale. Disa nga rolet më tipike të evidentuara në organizatat kriminale, të cilat merren me trafikun e narkotikëve, janë ato në administrimin e të ardhurave dhe mbikëqyrja e transferimit fizik dhe nëpërmjet institucioneve bankare të parave. Kryesisht femrat të cilat luajnë këto role, janë bashkëjetuese të krerëve të organizatës dhe konsiderohen si persona shumë të besueshëm të organizatës kriminale”, thuhet ndër të tjera në raport.
