Zgjerohen hetimet për pushtetarët e korruptuar me dosje në SPAK, përgatitet terreni për arrestime në nivele të larta, nisen 123 letër-porosi jashtë vendit, ja emrat “VIP” që rrezikojnë prangat

Data

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, i cili njihet si prokuror i “hekurt” dhe njeriu i amerikanëve, pritet të sjellë të dridhura në politikën shqiptare. “Kutia e Pandorës” për disa pushtetarë të lartë po hapet pikërisht nga ndërkombëtarët. SPAK ka përgatitur terrenin për arrestime në nivele të larta. Në raportin vjetor të Prokurorisë së Posaçme për punën e vitit 2023 zbulohet se drejtësia e re ka dërguar 123 letër-porosi drejt vendeve të huaja për të mësuar më shumë informacion për aferat e pushtetarëve. Sinjalet janë se do të ketë zhvillime të forta. Vendet ku SPAK ka thelluar hetimet janë: Franca 30 kërkesa, Italia 12 kërkesa, Greqia 8 kërkesa, Gjermania dhe Holanda 7 kërkesa, Kroacia 6 kërkesa, Spanja, Belgjika dhe Kosova me nga 5 kërkesa, SHBA me nga 4 kërkesa, Kolumbi, Meksikë, Maqedonia e Veriut me nga 3 kërkesa, Ekuador, Brazil, Zvicër, Bullgari, Austri, me nga 2 kërkesa, Norvegji, Kanada, Rumani, Bosnje Hercegovinë, Monako, Maltë, Angli, Turqi, Lituani, San Marino, Suedi, Mali i Zi, Qipro, Hungari me nga 1 kërkesë.

Emrat e rrezikuar

Shumica e letër porosive kanë si qëllim për të vërtetuar implikimin e pushtetarëve të lartë të korruptuar në pastrim parash në vendet e huaja. Disa politikanë në vendin tonë kanë kryer për gati 30 vite veprimtari korruptive. Deklarimi i pasurive nis në vitin 2003 dhe para kësaj date ka shumë emra që kanë bërë shumë zullume. Por akoma më i madh është numri i atyre që kanë vjedhur hapur, duke deklaruar pasuri miliona eurosh në ILDKP. Mirëpo ka dhe nga ata që i kanë dërguar paratë jashtë vendit. Gazeta “SOT” ka raportuar se zyrtarë të lartë të politikës kanë dërguar miliona euro në Londër, Qipro, San Marino etj. Shumë të tjerë kanë dërguar po miliona euro në parajsat fiskale. Hetimet po thellohen dhe disa nga emrat që SPAK po heton për korrupsion jashtë vendit janë, ish-presidenti Ilir Meta, deputetja Monika Kryemadhi, e gjithë kupola e ish-LSI dhe bashkëpunëtorët e tyre, familja “Berisha”, Ilir Beqaj, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj dhe shumë personazhe të tjerë.

Detajet

SPAK ka futur në sitë të gjithë kupolën e ish-LSI për paratë e pista që akuzohet çifti Meta-Kryemadhi. Prokurorët janë drejt fundit të dosjeve “CEZ-DIA”, lobimin në SHBA dhe shërbimet estetike jashtë vendit. Dyshohet se Britania ka informuar SPAK për çdo lëvizje në Britani të një nga bashkëpunëtoreve më të ngushta të Metës dhe Kryemadhit, e cila dyshohet se pastron paratë e tyre jashtë vendit. Gjithashtu, ishin letërporositë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që konfirmuan se Ilir Meta ka shpenzuar qindra mijëra euro për lobim në vitet 2016-2017, para të cilat nuk u dihet burimi, pasi nuk janë deklaruar as në KQZ dhe as në ILDKPKI. Nga ana tjetër nuk dihet ende nëse SPAK ka marrë përgjigje nga Qipro, Austria dhe San Marino të cilat duhet të japin informacion për ndërhyrjet estetike disa milionëshe të denoncuara nga avokati Idajet Beqiri për familjen Meta. Përveç ish-LSI, e rrezikuar është dhe familja “Berisha”. SPAK po heton ende dosjen “Partizani” dhe hetimet për pasuritë dhe aferat e tyre janë shtrirë përtej Shqipërisë. Nga ana tjetër në lojë është dhe dosja Gërdeci, e cila po plotësohet me informacione nga amerikanët. Po përgatiten të dërgohen letër-porosi të tjera për të marrë në pyetje dëshmitarët kyç që mund të fundosin Shkëlzen Berishën. Vitin e kaluar SPAK ka dërguar letër-porosi për marrjen në pyetje të Efraim Diverolit Hetuesit shqiptarë kanë kërkuar që ai të pyetet në lidhje me kontratën që kishte me Ministrinë Shqiptare të Mbrojtjes për blerjen e fishekëve, të cilët më pas i ripaketonte për të fshehur origjinën e tyre kineze. Po ashtu në skenë është dhe Ilir Beqaj me Damian Gjiknurin, të cilët po hetohen nga SPAK për pasuri të dyshimta dhe jashtë vendit. Jashtë “lupës” së prokurorëve special nuk ka mbetur as Arben Ahmetaj, i cili është arratisur në Zvicër pas arrestimit që kërkoi SPAK disa kohë më parë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related