Kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë një marrëveshje të heshtur politike që i ka fillesat që nga viti 2005, kur kreu i qeverisë shqiptare erdhi në krye të Partisë Socialiste. Pakti i fshehtë ende vazhdon dhe tani Rama në pozitën e tij të vështirë që ndodhet së fundmi, duke përmendur skandalet që i kanë plasur dhe presionin ndaj SPAK, i ka varur shpresat e mbijetesës në politikë nëpërmjet fuqizimit të kryefoltorisitit. Sa herë që ata kanë nevojë për njëri-tjetrin, shtojnë edhe më shumë akuzat mes tyre, njësoj si me komedinë “Olsi-Xibraka” që ka plasur së fundmi, në prapaskenë si një pazar i pistë që do të konkretizohet sot me miratimin e Amnistinë Penale. PS ka rënë dakord që të miratojë kërkesat nga grupi i Sali Berishës, të cilët prej disa javësh donin që të shpëtonin protestuesit e arrestuar në protestat që ata kanë zhvilluar kundër kryeministrit Rama. Që përplasja Olsi-Bardhi ishte një komedi dhe një show, u tregua dhe në seritë e djeshme. Në pamje të parë, Bardhi u duk sikur rëndoi pozitat e kryeministrit shqiptar, por akuzat e hedhura në qarkullim nga deputeti i Berishës ndaj Olsi Ramës u zbehën shumë kur u lexua qepja e dobët e këtij denoncimi, pasi në thelb po rikthehet një akuzë e vjetër pa asnjë fakt të ri.
Komedia “Olsi-Xibraka”
Me gjithë përplasjet në distancë, daljet për media, apo edhe denoncimet në SPAK mes Bardhit dhe Olsit, Edi Rama i “vendosi” dje vulën kësaj loje. Ai i quajti të gjitha gënjeshtra dhe refuzoi kërkesën për interpelancë nga deputeti Gazmend Bardhi, pasi thotë se s’mund të ketë interpelancë për këtë çështje ku gënjeshtari duhet të japë, jo të kërkojë llogari. Në reagimin e tij në rrjetet sociale, shrkuajti se interpelanca në Kuvend kërkohet duke iu referuar vendimeve të Këshillit të Ministrave që lidhen me veprimtarinë e tyre dhe jo me akuza që mund të përfshijnë familjarët. ‘Rregullorja e Kuvendit thotë shprehimisht se, citoj, “interpelanca është kërkesa me shkrim, që i drejtohet kryeministrit, zv.kryeministrit ose çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar mbi motivet, synimet, qëndrimet e Këshillit të Ministrave, lidhur me aspekte te rëndësishme te veprimtarisë se tyre”. Duke vënë re se akuzat, fabrikimet, fantazitë e një deputeti apo grupi deputetësh, lidhur me familjarët e kryeministrit, zv.kryeministrit ose të çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar, nuk kanë asnjë lidhje me motivet, synimet, qëndrimet e Këshillit të Ministrave, kërkesa për interpelancë nga deputeti Gazmend B më gjen në pamundësinë e plotë për ta përmbushur”, shkruan Rama.
Dosja e vjetër e Bardhit
Rama thotë se Gazment Bardhi duhet të presë me durim hetimet e SPAK, sa kohë që vëllai i tij paditi deputetin e Rithemelimit për shpifje në lidhje me akuzat. Kryeministri e akuzon Bardhin se po bëhet shërbëtori i “Non Gratës”, pasi kjo çështje ishte paralajmëruar prej muajsh, dhe vetëm tani është denoncuar publikisht. “Kësisoj, Gazmend B duhet ta presë me durim edhe SPAK-un të na ndriçojë lidhur me vërtetësinë e zbulimit prej tij të trafikantit të paidentifikuar, siç priti me shumë durim, për plot muaj, radhën tek salloni i Blendi Fevziut për ta prezantuar këtë zbulim të ububushëm, çka tregon se nuk jemi përpara asnjë urgjence të posaçme përveç turravrapit të një shërbëtori ambicioz për të fituar besimin e padronit të ri. Plus, të treja pyetjet që autori i zbulimit më drejton nuk kanë asnjë lidhje me asnjë realitet faktik. Ato burojnë thjesht nga hipoteza haluçinante mbi të cilën ngrihet zbulimi i tij, për të cilin ai edhe është kallzuar menjëherë në SPAK nga vëllai im “trafikant”. Për më shumë, rikujtoj këtu se ç’është në dorën e SPAK-ut, për çfarëdoqoftë e për këdoqoftë, aq më tepër për tim vëlla, nuk është dot në gjuhën time dhe nga ana tjetër, një interpelancë parlamentare, ku gënjeshtrat e thëna publikisht kthehen në pyetje për subjektin e tyre, do t’i njihte çdo gënjeshtari të drejtën e padëgjuar të kërkesës së llogarisë për gënjeshtrat e tij, ndërkohë që rregulli elementar i kësaj bote qëkur njeriu i dalë nga shpella u organizua shoqërisht, e do që gënjeshtari duhet të japë, jo të kërkojë llogari.’- nënvizon Rama.
Talljet e Ramës me Bardhin
Rama i kujton Bardhit po ashtu se ka fituar 11 gjyqe për shpifje, përfshirë një me padronin e tij të vjetër Lulzim Bashën si dhe me padronin e tij të ri Sali Berishën. ‘Kështu që nuk është gjëkundi në përputhje as me detyrën, as me shkallën time të tolerancës ndaj ultësisë njerëzore, po as me nivelin minimal të dinjitetit të Kuvendit të ligjvënësve të Shqipërisë, që unë të ul përtokë çmimin e kohës së nevojshme për punët e mëdha e të vogla që kam detyrë të ndjek si i zgjedhur i popullit në drejtimin e vendit, për t’u angazhuar në një ndërveprim verbal me një shkelës mendjelehtë të ligjit e të çdo zakoni të mirë të këtij vendi, një kallzues i sapokallzuar për kallzim publikisht të rremë dhe për çfarë?! Tamam për çështjen për të cilën kam fituar një gjyq për shpifje, me një vendim fajësie për padronin e vjetër të Gazmend B, shtetasin Lulëzim B, siç kam fituar deri më tash edhe 11 gjyqe për shpifje (10 të tjera janë në proces) për të tjera sajesa të ngjashme me të tjerë shërbëtorë të zellshëm si ky dhe me vetë padronin e ri të tij, një tjetër B, ku e ku më famëkeq se sa B-ja i mëparshëm, aspak rastësisht i vetmi ish-president e kryeministër në historinë e Europës, i shpallur Non Grata nga Shtetet e Bashkuara, për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë”, shkruan Rama.
Reagon Bardhi
Pas përgjigjes së kryeministrit, nuk vonoi as reagimi i Gazment Bardhit në një konferencë për media. Ai tha se reagimi i Ramës është hap pozitiv, duke shtuar se kryeministri vendosi që mos fshihet pas deklaratave me shkrim që bënte në emër të të vëllait. Ndër të tjera shtoi se kryeministri Rama nuk ka guxuar të kundërshtojë përmbajtje qoftë edhe një fjalë të dosjes që ndodhet në Prokurori. “Në përfundim të mbledhjes së sotme të Grupit, jam në këtë komunikim me ju për t’ju informuar jo vetëm për vendimet, por edhe mbi atë që ndodhi në Konferencën e Kryetarëve apo patra kësaj mbledhjeje. Më në fund, pas 6 ditësh, kryeministri Edi Rama, e theu frikën e parë dhe vendosi të mos fshihet pas deklaratave me shkrim që bënte në emër të të vëllait. Është hap pozitiv që vendosi të reagojë. Por që të ruajë statusin si kryeministër, duhet të thyejë dhe frikën tjetër, atë të zbatimit të Kushtetutës dhe Rregullores, për të ardhur në interpelancë. Unë Edi Ramën e kam thirrur për të informuar opinionin publik, nëse nga policia e shtetit shërbimet sekrete, ka marrë apo jo informacion për përfshirjen ose jo në laboratorin e drogës në Xibrakë dhe shoqërimin e tij me këta trafikantë. Dënimi, fajësia ose jo është vendim i drejtësisë, jo i një personi që kryen një krim. Jo me fjalë të Gazment Bardhi, por me dosje që ndodhen në Prokurore. Rama nuk ka guxuar të kundërshtojë përmbajtje qoftë edhe një fjalë të dosjes që ndodhet në Prokurori”, deklaroi Bardhi. Pra e gjithë kjo përplasje mes tyre dhe zhurmë u bë që në fund të mbyllej pazari i radhës. Kërkesa për Interpelancë u refuzua, por qëllimi i tyre u arrit. Vemendja u zhvendos në akuza të vjetra dhe Amnistia Penale kaloi sipas interesave të tyre.
