Prokuroria e Posaçme për tragjedinë e 15 marsit 2008 në “Gërdec”, po heton dhe një fraksion tjetër nga dosja. Mësohet se prokurorët po kërkojnë të zbulojnë grupin organizator të korrupsionit dhe pastrimit të parave sa i takon trafikimit te municioneve në këtë aferë. Hetimet po thellohen dhe ka prova e dëshmi të cilat konfirmojnë se korrupsioni dhe krimi shtetëror në “Gërdec”, ku humbën jetën 26 qytetarë të pafajshëm, u plagosën e 300 të tjerë, u shkatërruan qindra shtëpi dhe i 400 pronave, ishte një biznes i familjes së Sali Berisha, për të cilin kujdesej në prapaskenë i biri, Shkëlzen Berisha, duke vënë në rresht ministra dhe drejtorë të pushtetit të babait. Në lojë kanë hyrë amerikanët. SPAK ka vendosur të çojë letër-porosi për 5 shtetas amerikanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë informacione në lidhje me këtë çështje. Ky vendim është hasur me kundërshtinë e avokatëve, të cilët kanë kërkuar marrjen e tyre në pyetje përmes video-konferencës, por togat e zeza thanë se do t’i qëndrojë vendimit për pyetjen e tyre mes letërporosive. Në procesin gjyqësor u paraqit biznesmeni Mihal Delijorgji, i cili refuzoi të dëshmonte për shkak se ka qenë bashkë i pandehur. Ndërkohë për Luan Hoxhën dhe ish-sekretaren e Aldo Bumçit nuk ka asnjë njoftim. Ndërsa për rastin e Denis Hajdarit, u urdhërua nga GJKKO shoqërimi i detyrueshëm.
SPAK kërkon informacione për Patrick Henryn
Patrik Henri, pronar i kompanisë SAC, që ishte kontraktuar për demontimin e armëve dhe ishte partner me Mihal Delijorgjin, pronar i Alba Demil, do të merret në pyetje nga SPAK. Përfaqësues i kësaj kompanie amerikane SAC (Southern Anmmunition Company), e cila kishte lidhur kontratën me Ministrinë e Mbrojtjes, për çaktivizimin e municionit të kalibrit të rëndë, të predhave të artilerisë në Gërdec ishte Rrahman Selmanllari, i konsideruar edhe si “vëllai” i Shkëlzen Berishës.
Selmanllari përfaqësuesi i Shkelzenit
Selmanllari, në atë kohë përfaqësonte Shkëlzen Berishën në transaksione biznesi apo pasurish të patundshme. Me autorizim të presidentit të kësaj kompanie, Patrick Henry, Selmanllari ka përfaqësuar veprimtarinë e kësaj kompanie në Gërdec. Pikërisht për këtë kompani Fatmir Mediu debatoi me Ridvan Boden në mbledhjen e qeverisë së 17 shkurtit 2007. I pyetur për raportet me Rrahman Selmanllarin, Shkëlzen Berisha ka relativizuar lidhjet me të, duke pretenduar se roli i Selmanllarit në Gërdec nuk kishte lidhje me atë.
Lidhja mes Patrik Henrit, Delijorgjit, Selmanllarin dhe Shkëlzenit
Patrik Henri, pronar i SAC, ishte partner me Delijorgjin, i cili ishte pronar i Alba Demil. SAC merrej me demontimin, ndërsa Alba Demil me ngritjen e infrastrukturës dhe rekrutimin e punonjësve, që në fakt ishin gra, fëmijë, por edhe baxhanaku i Sali Berishës, Mehmet Hoxha. Patrik Henri ishte bashkëpronar me 25% të aksioneve në kompaninë Alba Demil me Delijorgjin. Nga ana tjetër, Patrik Henri përfaqësohej nga shoku i Shkëlzenit, Rrahman Selmanllari, ndërsa vetë Shkëlzeni lëvizte fijet lart, duke pasur babin, Sali Berishën, kryeministër. Kur shpërtheu Gërdeci, Patrik Henri dhe Delijorgji nisën të akuzonin njëri-tjetrin si përgjegjës dhe madje të implikonin edhe emra të tjerë. Kur prokurorët amerikanë e morën në pyetje për llogari të drejtësisë shqiptare, Patritk Henri u shpreh se “Ylli Pinari (ish-drejtori i MEIKO nën varësinë e Mediut dhe Berishës) më prezantoi mua me Mihal Delijorgjin. Ne u takuam në House of Pasta në Tiranë, Shqipëri. Mu tha se ai kishte çmilitarizuar tanke për MEICO dhe ishte shumë i familjarizuar me drejtimin e biznesit si në Shqipëri dhe me MEICO. Gjithashtu mu tha se ai kishte një kompani ndërtimi, e cila mund të ndërtonte çdo ambient të nevojshëm si dhe të siguronte fondet, që kërkoheshin për të blerë lëndën e parë”.
Reagimi i Fatmir Mediut
Pas përfundimit të seancës gjyqësore ish-ministri Fatmir Mediu tha se vazhdon një gjyq ku Prokuroria nuk po jep asnjë të dhënë të re dhe se dëshmitarët janë formalë. “Besoj është gjëja më e drejtë dhe të shikohet nëpërmjet pyetjeve që të dalë e vërteta dhe të pyeten prapë. Me letër porosi është një akt formal, unë mendoj që ky procesi ka nevojë ti shkohet procesit nëpërmjet pyetjeve. Kjo është rruga më e drejtë. Nuk e kuptoj pse nuk bëhet në këtë formë kur pala amerikane ka ofruar për tu pyetur përmes video konferencës Ajo që dua të theksoj është që vazhdon një gjyq që prokuroria epërmes dëshmitareve nuk po jep asnjë të dhënë të re. Dëshmitarët mbajnë qëndrimin për të mos u pyetur. Kjo nuk e ndihmon procesin Besoj se në këtë proces mos përgjigja e tyre tregon qartë se edhe prokuroria i ka sjellë si dëshmitarë formalë pa marrë atë produkt që duhet të kishte procesi për të vërtetën”, u shpreh ai. Ndërkohë seanca e radhës është planifikuar të zhvillohet më 9 prill në orën 9:00. Kujtojmë se Fatmir Mediu po hetohet për shpërdorim detyre në lidhje me vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve pas shpërthimit që ndodhi në Gërdec më 15 mars të vitit 2008.
