Basha akuzon Ramën, Berishën dhe Metën se janë bërë bashkë për të asgjësuar SPAK, Meta sulmon amerikanët për “non-gratën” e Berishës dhe i mbyll Bardhit derën e bashkëpunimit

Data

Një përplasje në distancë ka ndodhur dje ndërmjet dy ish-aleatëve, kreut të Partisë Demokratike Lulzim Bashës dhe kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta. I pari ishte kreu i PL Ilir Meta, i cili dje gjatë një konference për mediat, akuzoi Bashën për pazare me kryeministrin Edi Rama. “Nuk e di kush është treshja më e vjetër e politikës në vend e për cilat pazare bëhet në vend. Pra që unë jam pjesë e një tresheje ku është ish shefi i tij, shefi i tij aktual dhe unë jam pjesë e pazareve që ka votuar ky? Për të cilat ka votuar ish shefi i tij dhe unë kam bërë grevë? Për pazarin e 17 majit? Apo bëhet fjalë për pazarin që mos të jepte alternativë për reformën territoriale? Dhe ai kurrë nuk e solli atë se që atëherë ka qenë në Pazar me shefin e tij aktual. E di gjithë Shqipëria se kush është njeriu I pazareve, kush mbahet peng për të dëmtuar opozitarizmin dhe nuk bëhesh njeri duke lyer flokët, as duke thënë se unë jam fitimtar se bëj lapsuse siç bën presidenti i SHBA”, tha Meta.

Meta sulmon amerikanët për “non gratën” e Berishës

Ndërkohë, gjatë fjalës së tij dje Meta ka sulmuar edhe amerikanët. Ai doli në krah të Sali Berishës, duke sulmuar amerikanët për shpalljen “non grata”. “Unë mbështetjen për Berishën e kam shprehur me kohë, edhe e shpreh gjithmonë, kjo nuk ka të bëjë me paraqitjet fizike atje. E kam shprehur që në momentin kur është shpallur në mënyrë të padrejtë non grata. Merrni lexoni statusin e Ilir Metës, edhe pse kam pasur një kohë të gjatë që s’kam pasur asnjë komunikim me të dhe e pse e kam paralajmëruar prej kohësh që në shkurt të atij viti që do të shpallej non grata, mbas zgjedhjeve dhe një nga arsyet pse do të shpallej non grata ishte pikërisht sepse Basha e kishte pranuar këtë fakt, sepse ishte peng për hallet e veta që kishte. E përshëndes Berishën për denoncimin e vazhdueshëm që i bën mafies, kapjes së shtetit dhe nga ai ballkon, i cili jo vetëm që nuk e ka izoluar por e ka ngritur në një lartësi për ta dëgjuar më mirë të gjithë”, tha Ilir Meta. Sakaq, Meta duket se dha sinjale se nuk i pëlqen shumë bashkëpunimi me Gazment Bardhin. I pyetur nëse do ketë takime e biseda me të, Meta i bëri të qartë kufijtë e tij. Praktikisht duke i mbyllur derën kreut të grupit të PD. “Bashkëpunimi politik nuk është çështje selish e vulash, por principesh, integriteti por edhe çështje e cila ka të bëjë me sinqeritetin me ballafaqimin me këtë regjim mafioz e kriminal, ka marrë edhe kosto për këtë çështje. Janë kosto të cilat duhen marrë në beteja me mafien, që nuk janë të thjeshta, por çdo kosto ia vlen kur luftohet për kauza të drejta”, tha ai.

Basha i përgjigjet akuzave të Metës

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi Metën se është bërë bashkë me Ramën dhe Berishën në një aleancë të re kundër SPAK-ut dhe kundër Reformës Zgjedhore. Dje, në një konferencë për media Basha, duke ju referuar Metës, thotë se nuk impresionohet nga deklaratat e atyre që kanë marrë malet për t’iu fshehur drejtësisë. “Politikanët e vjetër të tranzicionit të stërzgjatur shqiptar nuk e kanë thjesht betejën me Partinë Demokratike, por, mbi të gjitha, ata e kanë me popullin shqiptar. Jo vetëm që janë në pazar me njëri-tjetrit, por dihet se kur mblidhen bashkë Rama, Berisha dhe Meta diçka po luajnë në kurriz të shqiptarëve. Këtë radhë janë bërë bashkë në një aleancë të re kundër SPAK-ut dhe kundër Reformës Zgjedhore, sepse vetëm kështu mund të vijojnë me pazaret e vjetra të bëra në kohë të reja. Personalisht nuk impresionohet nga deklaratat e atyre që kanë marrë malet për t’iu fshehur drejtësisë, por një gjë është e sigurt: nuk u ka mbaruar vetëm koha, por edhe rruga. Dhe kur të mbaron rruga, nuk ka mal që të bën derman”, shkruan Basha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related