Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se të katër personat e armatosur që kryen një sulm vdekjeprurës në një sallë koncertesh në Moskë janë arrestuar
Në një fjalim televiziv, Putin dënoi masakrën – më vdekjeprurëse në Rusi për gati 20 vjet – si një “akt barbar terrorist” dhe përsëriti sugjerimet e mëparshme nga shërbimet ruse të sigurisë se sulmuesit ishin përpjekur të arratiseshin në Ukrainë.
Ndërkohë Kievi hodhi poshtë pretendimin se ishte përfshirë në sulm.
Të paktën 133 njerëz u vranë dhe më shumë se 140 u plagosën kur sulmuesit hynë në ndërtesë, duke qëlluar pa dallim dhe duke e djegur atë.
Autoritetet thanë se 11 persona u arrestuan gjithsej dhe katër personat e armatosur u kapën teksa po shkonin për në Ukrainë.
Grupi Shteti Islamik (IS) thotë se qëndron pas sulmit.
