Deputeti i Rithemelimit, Gazment Bardhi, ka depozituar dje në SPAK, një shtesë padie lidhur me ish-agjentit e FBI-së Charles Mc. Gonigal, i dënuar “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Neza dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama. Bardhi në cilësinë e tij si kallëzues, i është drejtuar SPAK me një informacion shtesë, shoqëruar me dokumente të reja, lidhur me këtë aferë të rëndë, duke kërkuar hetimin e Edi Ramës dhe mbajtjen e tij përgjegjës për aferën korruptive. “Në vijim të komunikimeve të mëparshme lidhur me kallëzimin penal nr. 14, i vitit 2023, për të cilin është regjistruar procedimi penal lidhur me çështjen Edi Rama – McGonigal, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, në cilësinë e tij si kallëzues, i është drejtuar SPAK me një informacion shtesë, shoqëruar me dokumente të reja, lidhur me këtë aferë të rëndë, duke kërkuar hetimin e Edi Ramës dhe mbajtjen e tij përgjegjës për aferën korruptive. Në 20 Shtator 2023, Charles McGonigal pranoi fajësinë lidhur me të gjitha akt-akuzat, të cilat përfshinin, ndër të tjera, vizitat e tij në Shqipëri, takimet me kryeministrin Edi Rama dhe “mbajtjen e një marrëdhënie të vazhdueshme me të”. Në të dhënat shtesë të dorëzuara në SPAK dokumentohet se McGonigal jo vetëm nuk deklaroi marrjen e parave, por avancoi interesat e biznesit dhe gënjeu FBI-në për aktivitetin e tyre të përbashkët me Edi Ramën, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private”, deklaroi ai. Më tej Bardhi theksoi se nga faktet del qartë se Edi Rama u përfshi në një marrëdhënie të paligjshme dhe korruptive me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së. “Në vendimin e drejtësisë amerikane thuhet shprehimisht se fakti që McGonigal kishte marrë para nga dikush që e kishte prezantuar me zyrtarë të huaj në Shqipëri “është një shkelje shumë serioze”. Nga faktet dhe dokumentet e dorëzuara në SPAK del qartë se tashmë organet e drejtësisë amerikane, Prokuroria dhe Gjykata, kanë provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se shtetasi Edi Rama, me detyrë kryeministër i Shqipërisë, u përfshi në një marrëdhënie të paligjshme dhe korruptive me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, duke pasur për qëllim që Edi Rama të dëmtonte partinë e tij kundërshtare, Partinë Demokratike të Shqipërisë, dhe shtetasi Charles McGonigal të realizonte përfitime monetare dhe favorizime shtetërore për shërbimet e ofruara kryeministrit shqiptar”, nënvizoi Bardhi.
Bardhi padi shtesë në SPAK për çështjen e “McGonigal”: Rama u përfshi në marrëdhënie korruptive me ish-zyrtarin e FBI-së
Data
