Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja çfarë përmban marrëveshja e Edi Ramës me “Rithemelimin”, nga shkatërrimi i SPAK dhe rrëzimi i ligjit të dekriminalizimit, te ngritja e komisionit anti-reformë

Data

Pazari i arritur mes Partisë Socialiste dhe Rithemelimit duket se do të jetë i dobishëm për dyshen Rama-Berisha. Marrëveshja e re Rama-Berisha është parë në mënyra të ndryshme. Ka që e shohin si dorëzim të opozitës “që u kënaq me dy komisione parlamentare”, të tjerë e shohin qartësisht një komerdare të re për Berishën, duke e njohur atë si drejtues të opozitës, pasi socialistët ishin betuar që nuk ishte më faktor. Por në thelb kjo marrëveshje i hap rrugë lirimit të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga izolimi “arresti shtëpiak” ku ndodhen sa i takon aferës së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa mes të tjerash synon edhe shkatërrimin e SPAK, rrëzim e ligjit të dekriminalizimit dhe ngritjen e komisionit anti-reformë. Pra duke qenë se si Rama, ashtu edhe Berisha kanë llogari të hapura me drejtësinë, ata po shfrytëzojnë paktin e arritur mes PS dhe Rithemelimit për të përmbysur reformën në drejtësi, zhbërë Prokurorinë Speciale, duke u veshur me imunitet. Thënë troç Berisha e Rama po punojnë për interesat e tyre dhe se nuk u interesojnë fare qytetarët.

Detajet

Por teksa ndalemi tek detajet, pas arritjes së marrëveshjes mes Rithemelimit të Sali Berishës dhe Partisë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama, duket se kanë filluar të lëvizin edhe disa ndryshime që deri më dje ishin të paprekshme dhe më saktë disa ndryshime që kanë të bëjnë me ligjin e vitit 2015 të dekriminalizimit, i cili ka qenë një ndër arritjet dhe fitoret më të mëdha të PD të drejtuar nga Lulzim Basha. Parti Socialiste ka propozuar që në reformën e re zgjedhore të ndryshohet edhe ligji i Dekriminalizimit. Mazhoranca kërkon që në zbatim të rekomandimeve të OSBE-së të lejohen për të kandiduar dhe zgjedhur edhe personat që janë të dënuar nga një gjykatë e huaj jo me vendim të formës së prerë, por edhe ata që janë të dëbuar nga një vend i huaj. Partia Socialiste ka propozuar 17 pika ku do të ndryshojë rregullat e zgjedhjeve. Një nga pikat është neni dy i ligjit të dekriminalizimit ku propozohet të lejohet kandidimi për personat të cilët janë të dëbuar ose të dënuar me një vendim jo përfundimtar nga një shtet tjetër. Deri më tani personat të cilët kanë të paktën një dënim në një vend tjetër madje edhe jo të formës së prerë nuk mund të garonin për tu zgjedhur në parlament ose pushtet vendor dhe as për anëtarë të Këshillit të Ministrave. I njëjti kufizim në ligjin e vitit 2015 ishte edhe për personat të cilët janë të dëbuar nga një vend anëtar i Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Australisë dhe Kanadasë. Një tjetër propozim është të hiqet ndalimi për t’u përfshirë në garën elektorale për personat të cilët kanë një dënim nga një gjykatë e shkallës së parë në një vend të huaj, ose që janë të dëbuar. Në vendin tonë që nga miratimi i Ligjit të Dekriminalizimit në vitin 2015, disa zyrtarë të lartë, kryesisht kryebashkiakë, janë prekur nga këto nene që tanimë kërkohen të hiqen.

Rama përshëndet pazarin me Berishën

Ndërkohë nga ana tjetër edhe Rama ka folur për marrëveshjen me Rithemelimin. Në Asamblenë Kombëtare të PS-së, kryeministri Edi Rama, ka komentuar dje kthimin në normalitet të Kuvendit, teksa theksoi se i vjen mirë që më në fund Kuvendi nuk do të jetë më çmendina e muajve të fundit. “Më vjen mirë që mesa kuptoj Kuvendi do të pushojë së qeni çmendina e muajve të fundit dhe së paku fjala do të rikthehet në vend të dhunimit të saj, i cili goditi imazhin e parlamentit që edhe pa dhunimin e fundit nuk ishte edhe aq i mirë. Mbase rikthimi i fjalës do të krijojë hapësirë për të komunikuar, e jo veç për të folur secili për të vetët, por sidoqoftë shumica jonë kuvendore duhet ta vendosë në tryezën e Komisionit të Ligjeve një draft-rezolutë për të nxitur një debat të madh publik, lidhur me sfidat kombëtare të anëtarësimit në BE dhe reformat e masat e mëtejshme që Shqipëria duhet të ndërmarrë, pa humbur kohë.  Fola jo pa qëllim për sfida kombëtare në numrin shumës, sepse bisedimet për anëtarësim nuk janë thjesht të qeverisë, po të të treja pushteteve kushtetuese në Shqipëri dhe të plot 147 institucioneve, ndër të cilat një numër i konsiderueshëm institucionesh të pavarura që ndërveprojnë drejtpërdrejtë me Komisionin Europian Sigurisht që i gjithë Debati i Madh, s’mund ta ketë gravitetin e vet përveçse në Kuvendin e Shqipërisë dhe zhvillimi i fundit për rikthimin e parlamentit në normalitet, si edhe krijimin nga Komisioni i Ligjeve, i një mekanizmi që mundëson ballafaqimin e hapur e të barabartë, mes shumicës e pakicës,  për ndërmarrjen e nismave ligjore përtej votave në dispozicion të Partisë Socialiste, duhet të shkojë në drejtimin e duhur për Shqipërinë në përballjen e saj si shtet, jo thjesht si qeveri, me sfidat kombëtare të procesit të anëtarësimit”, deklaroi Rama.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related