Kryeministri kundër SHBA, përgënjeshtron veten pas deklaratës me Blinken, deklaron se Reforma në Drejtësi nuk ka lidhje me amerikanët

Data

Kryeministri Edi Rama ka dalë dje hapur kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke treguar çdo ditë e më shumë se është një politikan që nuk e mban fjalën, pasi nuk e ka problem të ndryshojë qëndrimi, duke rrëzuar veten e tij, e ngjarë më shumë me një “fëmijë” se sa një burrë shtetit. Pak muaj më parë dhe sidomos pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi ofensivën ndaj të korruptuarve në Shqipëri, duke i çuar në burg gjysmën e qeverisë e mazhorancës, kryeministri Rama sulmoi hapur amerikanët, duke ua bërë të qartë se Reforma në Drejtësi është një krijesë e Partisë Socialiste dhe se nëse kjo e fundit nuk do të kishte dashur, kjo vepër që i hapi rrugë pastrimit të sistemit nga llumi, të korruptuarit e inkriminuarit nuk do të ishte bërë realitet. Ky entuziazëm i Ramës u pa si karshillëk  i hapur ndaj aleatit tonë strategjik SHBA-ve, ndërkohë që u shua me ardhjen e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, të cilën Rama e falënderoi më 15 shkurt të muajit që shkoi gjatë konferencës së përbashkët të shtypit për mbështetjen e SHBA në lidhje me reformën në drejtësi. Kryeministri Rama theksoi se nga kjo mbështetje është bërë e mundur që shqiptarëve t’u kthehet besimi se të gjithë mund të jenë të barabartë para ligjit.

Rama u bën karshillëk amerikanëve

Por kur ka kaluar një muaj nga kjo deklaratë, Rama ka bërë një deklaratë tjetër duke rrëzuar vetën dhe dalë kundër Uashingtonit. Duke folur dje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS të mbledhur në Durrës (Gjiri i Lalzit) shefi i ekzekutivit e cilësoi Partinë Socialiste si flamurmbajtësen e reformës në drejtësi dhe jo amerikanët sikundër thuhet lartë e poshtë. “Nëse ne nuk do të donim një drejtësi me duart e lira nga prangat 100 e kusur vjeçare të pushtetit ekzekutiv, i kishim bërë të tëra pazaret e nevojshme për ta penguar ardhjen e kësaj kohe, kur për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, hetohen, gjykohen, dënohen individë të niveleve më të larta të pushtetit politik. Thonë disa që e bënë amerikanët, s’e bëmë ne, po amerikanët këtu ishin edhe përpara, aty janë edhe në vende të tjera të NATO-s apo pro NATO-s në rajon. Në Shqipëri ka një parti që e kishte në programin e saj Reformën në Drejtësi, qysh se ishte në opozitë, që fitoi zgjedhjet duke e premtuar Reformën në Drejtësi dhe që bëri Reformën në Drejtësi, sepse është një parti që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë, e cila quhet Partia Socialiste e Shqipërisë! Kështu që jo vetëm s’ka shans, që kjo parti të kthehet nga flamurmbajtësja e Reformës në Drejtësi, në flamurgrisësen e saj, po kjo parti do të jetë garantja e vendosur, me çdo çmim të drejtësisë së re, duke i mbështetur pa kushte institucionet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit majtas e djathtas, lart e poshtë, dhe duke i mbajtur larg duart e pushtetit të shumicës nga punët e pavarura të drejtësisë. Kush predikon të kundërtën, ose është aq në hall, sa kërkon të shpjegojë me përrallën e persekutimit politik, vënien e vet para drejtësisë, ose është aq i mllefosur me Partinë Socialiste e sidomos me mua personalisht, sepse fitojmë sa herë që na vihen përballë, sa nuk e pranon dot që kjo parti po bën histori me Reformën në Drejtësi dhe me shtetbërjen europiane të Shqipërisë në përgjithësi dhe prandaj zgjidhet, e do të vazhdojë të zgjidhet pa dilema, nga shumica absolute e shqiptarëve”, deklaroi ai.

Ja çfarë deklaroi Rama para Blinken

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama falënderoi Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken për mbështetjen e SHBA-ve për Reformën në Drejtësi. Rama theksoi në 15 shkurt 2023 se falë kësaj reforme në Shqipëri është rrëzuar miti i “pandëshkueshmërisë” të personave të lidhur me pushtetin. “E falënderoj publikisht sekretarin amerikan për çfarë kemi thënë në mënyrë të përsëritur e kemi thënë për mbështetjen e pazëvendësueshme për transformimin e Shqipërisë nga një vend ku nuk ka pasur kurrë drejtësi që i bënte shqiptarët të besonin se asnjëherë në Shqipëri nuk do ishte e mundur që ligji të ishte i barabartë për të gjithë, duke na mundësuar që sot të shohim se edhe në Shqipëri si në çdo vend ambicioz për fëmijët e vetë është e mundur që njerëz me pushtet të lidhur edhe me qeverinë të thirren për të dhënë llogari para ligjit. Kjo është diçka peshën dhe vlerën e së cilës Shqipëria do mund ta konceptojë shumë vite më pas. Por një gjë e dimë që sot, kur nisëm përpjekjet për Reformën në Drejtësi, të gjitha anketimet dhe pyetjet lidhur me këtë reformë gjenin një mbështetje masive pavarësisht përkatësive politike dhe përtej polarizimit politik. Të majtë e të djathtë e mbështesin reformën”, u shpreh ai. Më tej Rama  theksoi se gjatë takimit me zyrtarin e lartë amerikan ishte diskutuar edhe për thellimin e Reformës në Drejtësi. Kreu i qeverisë theksoi se angazhimi i SHBA-ve ka qenë thelbësor për suksesin e kësaj reforme, frytet e  së cilës, Rama tha se vendi do t’i ndjejë pas disa vitesh. “Nuk është sekret zoti sekretar që këtu kemi vështirësi të gjejmë konsensus edhe për orën. Por pyetjes nëse ata që mbështesin reformën në drejtësi e besonin se në jetën e tyre do shikonin njerëz të pushtetshëm para drejtësisë, shumica i përgjigjeshin me jo. Por ja ku jemi sot, ku miti i të pushtetshmit mbi ligjin është rrëzuar. Kemi shumë punë për të bërë, folëm për thellimin e reformës por nëse sot ka një arsye të rëndësishme për të qenë më të bindur se asnjëherë tjetër për vlerën e kësaj miqësie kjo arsye është angazhimi i partnerëve tanë strategjikë në mbështetje për të ndryshuar një faqe të historisë së Shqipërisë që dukej e palëvizshme për të gjithë jetën”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related