Presionet dhe kërcënimet nuk pinë ujë, Irena Gjoka refuzon të nxjerrë nga “arresti shtëpiak” Berishën dhe dhëndrin e tij, Argita Malltezi shpërthen në akuza ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK

Data

Presionet dhe kërcënimet ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, por edhe akt ekspertiza kontabël që kishin porositur vetë, duket se nuk i ndihmoi Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Ata do të mbeten sërish në “arrest shtëpie” për aferën e ish-kompleksit “Partizani”. GJKKO rrëzoi dje kërkesat e ish-kryeministrit dhe Malltezit për revokim të masës së sigurisë. Në dalje të gjykatës foli avokati i familjes, Gjokutaj që e cilësoi komisariat politik drejtësinë e re. Në deklaratën për gazetarët, avokati akuzoi GJKKO-në nuk ka asnjë provë që e lidh Berishën me akuzat ndaj tij për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. “Vendimi i sotëm ka qenë në kundërshtim me ligjin haptas. Sot ishte seanca kur prokurorët duhej të shpjegonin ku qëndron korrupsioni i Berishës dhe ku lidhen personat që figurojnë materialin në gjykatë. Prokurori tha se nuk i jep shpjegime pyetjeve tona. Këta janë një komisariat politik të cilëve u kanë thënë mbajeni në këtë gjendje. Nuk e di sesi kjo gjykatë që ka dhënë masën e sigurisë për Berishën dhe Malltezin nuk u bëri asnjë pyetje prokurorëve. Absolutisht nuk është sqaruar asnjë element nga prokurorët”, deklaroi ai. Ndërsa pyetjes së gazetarëve se kur do të përfundojnë hetimet për aferën “Partizani”, Gjokutaj iu përgjigj duke thënë se këtë gjë e di vetëm kryeministri Edi Rama. “Se kur do përfundojnë, nuk e dinë as vetë prokurorët sepse pritet fjala e Edi Ramës. Ai e përcakton fundin e hetimeve”, nënvizoi avokat Genc Gjokutaj. Sakaq, avokatët mbrojtës sërish kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, pasi sipas tyre, ka bërë shkelje të rëndë duke u dhënë mediave vendimin për Berishën për të mos marrë pjesë në Kuvend, para se me të të njihej mbrojtja.

Reagon Argita Malltezi

Ndërkohë me të njëjtën gjuhë presioni dhe akuzash, foli disa orë para se seanca të niste në GJKKO, Argita Malltezi, vajza e personit nën hetim Berisha dhe bashkëshortja e të akuzuarit për pastrim parash, Jamarbër Malltezi. Ajo doli me avokatët në një konferencë për gazetarët duke i cilësuar Gjykatën dhe Prokurorinë e Posaçme si të anshme dhe të përdorura politikisht. “Sali Berisha dhe Arbi Malltezi janë në burg pa asnjë provë apo dëshmi që të tregojë se kanë kryer një rol në atë që njihet si çështja Partizani. Masa e arrestit me shtëpi ka për qëllim goditjen e opozitës, për qëllimet e vetë pushtetit. Çështja nisi nëpërmjet diktatit politik, teksa Taulant Balla bëri një kallëzim penal, që ngriti disa pretendime, që SPAK më pas tha se janë akuza të vlefshme. Balla ka bërë kallëzim të rremë, ne e kemi kallëzuar dhe SPAK nuk ka nisur procedim penal. Në çdo moment që Rama ka bërë presion ndaj SPAK për marrjen të pandehur të Sali Berishës apo familjes së tij, SPAK ka intensifikuar hetimet”, deklaroi Malltezi. Mes të tjerash ajo ka renditur disa nga shkeljet, që sipas saj janë bërë për këtë çështje nga SPAK.

 

“Të njëjtin vendim, së bashku me disa vendime të tjera, KRT. Rama miraton një masterplan që parashikohet si zonë U12. Plani u miratua me vendim të KRT-së. Keni të gjithë firmat e drejtorëve të Edi Ramës. Një nga pretendimet e tjera, është se SPAK tjerr tymnaja dhe më pas hidhet kjo tymnajë. Çfarë është ligj ndryshohet me ligj ose me dekret, dhe jo me gjykatë. Dekretet presidenciale provojnë se klubi i futbollit nuk ka qenë në planin e përhapjes. Këtë e konfirmon dhe OPGJ-ja.  Dekreti është aty. Klubi i futbollit shërben si lokacion dhe jo objekt”, u shpreh ajo. Më tej gjatë një konference për mediat, ajo u shpreh se Prokuroria e Posaçme po përpiqet të krijojë një tymnajë lidhur me detaje të dosjes. Malltezi theksoi se privatizimi i kompleksit, nuk ka shkaktuar dëme financiare në buxhetin e shtetit. “SPAK pretendon se pronarët u kujtuan për pronat pas 2005, në fakt pronarët e kërkuan që në ‘93. SPAK i ka pasur në dosje. U është dhënë e drejta e parablerjes, ka nisur pjesërisht kthimi i pronës. Privatizimi i ndërtesave të klubit Partizani, që ishte detyrim ligjor, neni 7 i ligjit për pronat parashikonte pronat që nuk tjetërsoheshin. Por kishte një paragraf, që kur tjetërsoheshin automatikisht i ktheheshin pronarëve. Kjo ka ndodhur në 2005 nga qeveria socialiste. Tymnaja që përpiqet të krijojë SPAK, tregon që klubi ka qenë jashtë funksionin. Një të akomodonte sportin dhe e dyta të gjeneronte të ardhura për shtetin. Klubi ka qenë në pjesën më të madhe nga banorë informalë. Shfrytëzohej edhe informalisht nga biznese private. Shteti nuk merrte të ardhura, nuk ka asnjë dëm financiar nga privatizimi, përkundrazi pas privatizimit mori 800 mijë dollarë. I vetmi dëm në financat e shteti ka qenë mosveprimi i Ramës për moszbatim të lejes së ndërtimit që e dha vetë. Janë 350 kontrata që tregojnë sigurinë e financimit nga shitjet”, nënvizoi Malltezi.

Çfarë ka ndodhur?

Kujtojmë se Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave te ish-Kompleksi “Partizani”. Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal. Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”. “Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë  kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën. Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi. Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtpërdrejtë Malltezi; Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related