Mashtroi italianët dhe u vodhi 4.7 milionë euro, ekstradohet në Dubai Bruno Çobo
Sipas hetimeve shtetasi Bruno Çobo akuzohet për “Krijim grupi të strukturuar kriminal” dhe “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunimin. Ndërsa personat e tjerë akuzohen për veprat penale të “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal” dhe “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim në dëm të disa personave, në formën e grupit të strukturuar kriminal
Personat kontaktoheshin nëpërmjet telefonit, u propozohej blerja on line e aksioneve “Amazon” me premtimin e pa vërtetë të fitimit të shumave të majme dhe të shpejta. Në momentin që klienti në dijeni pranonte nënshkrimin e investimeve, i dërgohej një e-mail që përmbante një link nëpërmjet të cilit lidheshin për të filluar blerjen e titujve. Në këtë kontekst, viktima shkarkonte sipas udhëzimeve te telefonuesit aplikacionin “AnyDesk”, faktikisht duke i lejuar mashtruesit që të futej si i jashtëm në kompjuterin e tij dhe të marrë kodet e sigurisë të bankës, duke e lejuar për tu futur direkt në numrat e llogarive bankare.
Sipas hetimeve, skema parashikonte që të merrte dhe më shumë para duke i bërë viktimat të besonin se duhej të paguan një lloj komisioni bankar për të marrë në zotërim shumat që ‘fitonin’ nga investimi.
Për të humbur gjurmët, sipas hetimeve, grupi e kryente lidhjen “AnyDesk” në kompjuterat personal të viktimave duke përdorur një server italian të provider-it Aruba, që, sipas SPAK, “garantonte në fakt fshehjen reale të adresës IP nga ku kishte kryer komunikimi, duke bërë serverin si nyje të vetme për të gjitha komunikimet”.
Hetimi nisi nga autoritetet italiane në shtator 2020 pas kallëzimit të një shtetasi italian, i cili kishte rënë pre e mashtrimit duke ‘investuar’ në këtë skemë 700.000 euro.
Sipas SPAK hetimet paraprake kanë evidentuar ekzistencën e grupit të strukturuar kriminal ndërkombëtar me qëllim mashtrimin financiar nëpërmjet “trading on line” në dëm të personave me banim në Itali.
“Hetimet kanë bërë të mundur konstatimin dhe atribuimin grupit kriminal, të episodeve të shumta mashtrimi të kryera ndaj personave me banim në të gjithë territorin e Italisë, të cilat i kanë dhënë grupit kriminal një fitim total prej rreth 4.7 milionë euro, që dyshohet se është vetëm një pjesë e vogël e shumës së përfituar nga grupi si rezultat i kësaj veprimtarie kriminale”
