Nisin pazaret e pista Rama-Berisha, Bardhi ulet në tryezën e bisedimeve me Çuçin dhe Nikollën si përfaqësues i “non-gratës”, ja si do përmbysin reformën në drejtësi

Data

Kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha duken të vendosur për të bërë pazare në kurriz të shqiptarëve dhe në dëm të demokracisë e ligjit. Edhe pse në publik bëjnë sikur zihen dhe janë armiq të përbetuar, Rama dhe Berisha nuk mbijetojnë dot në politikë pa njëri-tjetrin. Prej disa ditësh vendi zien nga debati se Partia Socialiste dhe Rithemelimi kanë arritur një marrëveshje fluide, ku përveçse ngritjes së komisioneve hetimore apo aksesi në reformën zgjedhore, palët janë gati të vënë në zbatim planin ogurzi, sikundër është përmbysja e reformës në drejtësi, për të cilën, aleatët strategjik, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar miliona dollarë. Pazaret e pista Rama-Berisha, pritet të hedhin sot piketat e para, ku Bardhi do të ulet në tryezën e bisedimeve me Çuçin dhe Nikollën si përfaqësues i “non-gratës” Sali Berisha. Mësohet se kryeparlamentarja Lindita Nikolla do të ulë sot në orën 13:30 tryezën e Konferencës së kryetarëve, krerët e grupeve parlamentare Bledi Çuçin dhe Gazment Bardhin, i cili dy orë para, më 11:30 ka thërritur në mbledhje deputetët e tij. Bardhi nuk i është bashkuar prej thuajse 5 muajsh mbledhjeve të Konferencës së Kryetarëve, por bisedimet mund ta rikthejnë atë në tryezën e drejtuesve të grupeve parlamentare, çka do të ishte shenja e parë e një dakordësie në horizont për t’i dhënë fund kaosit. Po ashtu, gazeta “SOT” mësoi se dje zonja Nikolla ka zhvilluar takime të ndara në Kryesinë e Kuvendit me kreun e grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçin, por edhe me kryetarët e dy komisioneve, Damian Gjiknurin e Reformës Zgjedhore dhe Klotilda Bushkën e Ligjeve, me gjasë për të diskutuar me ta mundësitë sesi do të qasen në negociata me grupin e Rithemelimit për çështjen e Zgjedhores. Për këtë çështje, që është pika më e vështirë e negociatave, diskutimet janë që nëse Komisioni Bipartizan, ku Rithemelimi ka refuzuar të marrë pjesë për sa kohë bashkëkryetar është Enkelejd Alibeaj i PD, dështon të prodhojë një produkt deri në fund të marsit kur i mbaron mandati, të zhvendoset në një nën-komision në Kuvend, ku Gazment Bardhi kërkon të ketë më shumë anëtarë se PD zyrtare duke vlerësuar se ai është opozita reale. Për reformën zgjedhore një përpjekje për të ulur palët e për të dëgjuar propozimet e tyre do ta bëjë dhe OSBE-ODIHR, që më 13 mars sjell në Shqipëri ekspertët e saj për një tryeze pune, ku edhe Bardhi mësohet se do të ketë përfaqësuesin e tij. Sa i takon kërkesës së Rithemelimit për komisionet hetimore, palët duket të jenë dakordësuar për të pranuar 2 të tillë, me kushtin që objekti të jetë konkret. Pra duket qartë se Rithemelimi i drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe mazhoranca e kryeministrit Edi Rama duket se janë në prag të një marrëveshje për ndërprerjen e protestës në Kuvend, pas një raundi bisedimesh të përfaqësuesve të tyre gjatë javës së kaluar.

Reforma në drejtësi

Ndërkohë protagonistë nga të dyja palët i thanë “BIRN” dje se kishin zhvilluar bisedime mes tyre rreth tre çështjeve kyçe; ngritjen e të paktën dy komisioneve hetimore parlamentare, reformën zgjedhore si dhe ndryshime të mundshme ligjore për reformën në drejtësi, sikundër gazeta “SOT” e paralajmëroi një ditë më parë, çka tregon se Rama dhe Berisha po vijojnë pazarin mes tyre, i cili daton që nga viti 2008. Negociatat mes palëve synojnë të rikthejnë në Kuvend deputetët e opozitës, pas katër muajsh të tensionuar të aksionit opozitar për bllokimin e punimeve parlamentare për shkak të refuzimit të ngritjes së komisioneve hetimore dhe përfaqësimit në komisionin e reformës zgjedhore. Në anën tjetër, ideja për ndryshime ligjore në sistemin e drejtësisë rikthehet disa muaj pasi një grup pune i përbashkët u tërhoq nga propozimet fillestare, pas kundërshtimit të ekspertëve të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Prapaskenat

Socialistët duken të vendosur për ta rihapur çështjen e reformës në drejtësi, siç sugjeroi Kuvendi përmes një njoftimi të hënën pas takimit të kryeparlamentares Lindita Nikolla me të ngarkuarin me punë të SHBA-ve në Tiranës, David Wisner. “Kryetarja Nikolla nënvizoi se Kuvendi po punon për avancimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike,” thuhet në njoftim. I pyetur nëse ka kompromis për rikthimin e Kuvendit në normalitet, shefi i kabinetit të Nikollës, Kosta Bajraba i tha dje “BIRN” se “do të kemi”. Kuvendi njoftoi gjithashtu se të martën do të mbante mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve me rend dite “disa saktësime në kalendarin e punimeve për periudhën 18 mars – 5 prill 2024”. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nuk nxitoi të komentonte para kohe, duke pritur zhvillimet në mbledhjen e së martës. Megjithatë, Bardhi i tha BIRN se ishte në bisedime me PS-në për të tre çështjet, pa dhënë detaje të mëtejshme. Socialistët, të betuar më parë se nuk do të negocionin me “non-gratat”, po kujdesen që t’i paraqesin bisedimet si institucionale dhe jo politike. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali këmbënguli në një komunikim me BIRN se nuk ka negociata të fshehta, por “takime formale brenda institucioneve të Kuvendit”. “Aty, në Konferencën e Kryetarëve e kudo tjetër, përfaqësuesit e opozitës janë jo vetëm të mirëpritur të paraqesin kërkesat e tyre, por edhe të detyruar të paraqiten nga misioni i tyre kushtetues”, tha Spiropali përmes një mesazhi telefonik.  E pyetur nëse pjesë e bisedimeve ishin edhe ligjet e drejtësisë, Spiropali theksoi dje se “çdo propozim që do të vijë nga institucionet e Kuvendit do të bëhet publik”. Negociatat mes dy grupimeve të mëdha në parlament shihen me mosbesim nga partitë më të vogla. Deputeti Dashamir Shehi, i pranishëm në njërin prej takimeve të thirrura nga Nikolla, i tha BIRN se takimi u fokusua tek kërkesat e opozitës për reformën zgjedhore dhe komisionet hetimore. “Dy partitë e mëdha mund të kenë negociuar me njëra- tjetrën pas këtij takimi”, tha Shehi, duke shprehu mosbesim për reformën zgjedhore. “Ato do të shohin interesat e veta,” shtoi ai. Paketa ligjore e reformës në drejtësi u miratua 8 vjet më parë me nxitjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, duke sjellë si rezultat kryesor krijimin e Prokurorisë së Posaçme që po heton aktualisht politikanë të nivelit të lartë nga të dyja kahet e politikës. Lënia hapur e derës për ndryshime të mundshme ligjore rrezikon të shkaktojë shqetësime për fatin e mëtejshëm të institucioneve të reja të drejtësisë.

Reagon PD zyrtare

Ndërkaq, Bashkëkryetari opozitar i Komisionit të Reformës Zgjedhore Enkelejd Alibeaj, duke iu referuar mediave foli dje në një konference për shtyp për pazare okulte e të njëanshme mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës. Ai i shtroi socialistëve disa pyetje dhe u kërkoi ta dëshmojnë se e duan reformën zgjedhore. Alibeaj kërkon të dijë nëse Partia Socialiste po kërkon ta çoj Reformën Zgjedhore në Komisionin e Ligjeve aty ku ka shumicën dhe ta heq nga Komisioni aktual ku ka veton edhe PD-ja. Sipas Alibeajt, PS po kërkon të ruajë marrëveshjen e vitit 2008 të bërë me Sali Berishën, rezultat i së cilës është kodi aktual zgjedhor. “Media ka thënë, ka folur që negociata apo pazare okulte janë duke u zhvilluar, ndaj ky është një interes publik që Partia Socialiste ta bëjë të ditur këtë gjë. Në komisionin e reformës zgjedhore, Partia Demokratike ka përfaqësuesit e vet. Aty është vendi se ku debatohen të gjitha alternativat dhe të gjitha pozicionet. Ne i kemi çuar prej kaq e kaq muajsh të gjitha opsionet tona, të gjitha alternativat tona, draftligjin përkatës, për listat e hapura, për Shqipërinë një zonë, për votën e diasporës, për votimin dhe numërimin elektronik dhe për një sërë garancish të tjera që procesi zgjedhor do të duhet të ketë. Ndaj, një orë e më parë tashmë ku letrat janë hapur, Partia Socialiste do të duhet ta tregojë, do ta dështojë komisionin e reformës zgjedhore, do të bëjë një marrëveshje okulte, do të bëjë një marrëveshje të njëanshme, do ta çojë çështjen në komisionin e ligjeve, do të bëjë një ligj të njëanshëm sipas orekseve dhe shijeve të saj? Kjo është ajo se çfarë publiku kërkon, zgjedhësit kërkojnë, Shqipëria kërkon. Ndaj është një përgjigje që duhet dhënë një orë e më parë”, deklaroi Alibeaj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related