Mediat e “Foltores”, veçanërisht “Syri TV” që dyshohet se financohet nga ish-kryeministri Sali Berisha janë shfaqur dje në ekstazë, teksa takimin e të ngarkuarit me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, David Wisner me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla e kanë shitur si lajm që mbështet kreun e Rithemelimit të shpallur “non-grata” nga Londra e Uashingtoni. Fillimisht këtë takim “Syri Tv” e mbajti me titullin “Ëisner-Nikollës: Respektoni opozitën reale në Kuvend”, duke nënkuptuar grupin Bardhi-Berisha. Pra në delir e sipër ky lajm qëndroi dje në ballinën e “Syri TV” disa sekonda, deri sa më pas u censurua, pasi si duket berishistët e kuptuan që kishin bërë lapsus, pas me amerikanët nuk bëhet shaka dhe se për ta nuk ka kthim pas dhe s’ka bashkëpunim me individët e sanksionuar nga SHBA, sikundër është zoti Berisha. Këtë herë titullin e të njëjtit lajm, që u modifikua, “Syri TV” zgjodhi ta quaj “Wisner-Nikollës: Garanto një Parlament plotësisht funksional, ku përfaqësuesit e zgjedhur punojnë në mënyrë konstruktive”. Pra duket qartë se Berisha, mediat pranë tij dhe enturazhi i ish-kryeministrit, kërkojnë të shtrembërojnë realitetin duke manipuluar opinion publik se gjasme amerikanët janë bërë pishman që e kanë shpallur “non-grata” kreun e Rithemelimit, por një gjë e tillë është thjeshtë gënjeshtër, pasi Uashingtoni s’ka ndërmend që të rehabilitojë personat e sanksionuar.
Ambasada e SHBA jep detaje nga takimi Wisner-Nikolla
Ndërkohë ambasada e SHBA-ve reagoi dje për takimin e Wisner me Nikollën, duke vënë në dukje se diskutimet kryesore ishin bërë rreth kthimit në normalitet të Kuvendit, ku prej muajsh Rithemelimi shkakton kaos duke mos lejuar diskutimet dhe debatet mbi projektligje shumë të rëndësishme, si dhe avancimi i reformës në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit. “I Ngarkuari me Punë David Wisner u takua sot me Kryetaren e Parlamentit Lindita Nikolla për të theksuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara në forcimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, si dhe përpjekjet e saj në zbatimin e ligjit dhe kundër korrupsionit, teksa vendi ecën përpara drejt integrimit Euroatlantik. Një parlament plotësisht funksional, ku përfaqësuesit e zgjedhur punojnë në mënyrë konstruktive për njerëzit është thelbësor për përmbushjen e këtyre synimeve”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA.
Reagon Kuvendi
Nga ana tjetër, detaje lidhur me takimin ka dhënë dje dhe vetë Kuvendi. Përmes një njoftimi për mediat bëhet me dije se në foks të bisedës ka qenë edhe reforma në drejtësi. “Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u takua sot me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-së, z. David Wisner. Gjatë takimit u diskutua mbi kontributin e Kuvendit në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe thellimin e reformave. Kryetarja Nikolla nënvizoi se Kuvendi po punon për avancimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Gjithashtu znj. Nikolla e informoi z. Wisner mbi përpjekjet për rikthimin e veprimtarisë së Kuvendit në normalitet, për zhvillimin e debatit parlamentar gjatë seancave plenare, në mënyrë që publiku dhe qytetarët të njihen më mirë me përmbajtjen e legjislacionit që shqyrtohet e miratohet në Kuvend”, njoftoi Kuvendi. Sipas Kuvendit, Wisner vuri në dukje se SHBA dhe partnerët e Shqipërisë do të vijojnë të mbështesin Shqipërinë në konsolidimin e demokracisë, fuqizimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe integrimin euro-atlantik si edhe vlerësojnë angazhimin e institucioneve shqiptare në përparimin e vendit. Diplomati e ka bërë të qartë se Parlamenti është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe sistemin demokratik dhe është e dobishme që palët në Kuvend të angazhohen për t’u shërbyer qytetarëve dhe të ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë.
