Gjykata e Vlorës ka caktuar dje masën arrest në burg për 35-vjeçarin Luçiano Deraj, i cili kishte kthyer banesën e tij në fshatin Babicë në një bazë armësh. Ai ka kyçur gojën para togave të zeza duke mos pranuar të flasë në asnjë moment në sallën e gjyqit. Edhe më herët gjatë marrjes në pyetje, 35-vjeçari nuk ka pranuar të tregojë lidhjet me grupet kriminale apo të japë detaje për origjinën e armëve. Dyshohet se ai i shërbente dhe bashkëvepronte me disa grupe kriminale në Vlorë, Fier dhe qytete të tjera. Baza e armatimeve dyshohet se është përdorur apo do të përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale. Hetuesit kanë dyshime se snajperi i gjetur në bazën e armatimeve në Babicë të Vlorës është përdorur për ekzekutimin e Gëzim Sinomatit më 7 janar. Sinomati u qëlluam me një plumb snajperi në kokë, ndërsa policia nuk ka arritur që të gjejë armën e krimit. Ekspertët dyshojnë se ky snajper i zbuluar në bazën e armatimeve është përdorur për vrasjen e tij, ndërsa në mjetin e djegur që u gjet pas ekzekutimit asokohe u gjet edhe një bllok betoni që dyshohej se ishte vendosur për të mbajtur snajperin. Të gjitha armët dhe pajisjet e sekuestruara do t’i nënshtrohen një ekspertize balistike, për të rënë në gjurmët e personave të tjerë të përfshirë si dhe të verifikohet nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale, përfshirë këtu edhe në vrasjen e Sinomatit. Në banesë u gjetën disa lloje armatimesh, snajper, pistoleta, qindra fishekë, 7 kallëpe lëndë eksplozivi plastik, silenciatorë për armët, 4 dylbi optike, 2 palë dylbi, radiomarrëse me valët e Drejtorisë së Policisë Vlorë, targa dhe çelësa makinash, maska, fenelina dhe veshje të ndryshme.
Kë furnizonte me armë?
Kreu i Policisë së Vlorës, Ermal Muçaj në detajet e fundit që dha për këtë ngjarje u shpreh se ka dyshime se armatimet mund të jenë përdorur për 2 ngjarje kriminale të ndodhura kohë më parë në qytetin e Vlorës. Por në momentin që u pyet nga gazetarët për më tepër informacion se cilat ngjarje iu referohej, Muçaj u shpreh se çështja është akoma në hetim dhe nuk mund të japë më shumë detaje. Muçaj tha se u arrestua Luçiano Deraj alias Albano Deraj, banues në Babicë të madhe Vlore, i dyshuar për dy veprave të rënda kriminale ndodhur disa kohë me parë në Vlorë, i cili posedonte një arsenal armësh, municionesh luftarake dhe lëndë shpërthyese, për llogari të tij dhe personave të tretë anëtare të një grupi kriminal ne qytetin e Vlorës te cilit i atribuohen disa ngjarje kriminale. Nuk dihet ende nëse grupi ka lidhje me vrasje e ndodhur së fundmi në Vlorë, atë të ekzekutimit të Gëzim Sinomataj. I pyetur për dkëtë detaj që personi i arrestuar dyshohet se ka lidhje me ngjarje kriminale, ai tha se: Nuk mund të japim më shumë informacion, kjo ishte një dalje për shkak të arsenalit që gjetëm. Çështja është akoma në hetim dhe do të kemi një komunikim të shpejtë besoj. I referohemi dy ngjarjeve kriminale që do shprehemi për to në një moment më të përshtëtshëm. Në lidhje me dyshimet se këto armë mund të përdoreshin apo janë përdorur në ngjarje kriminale, ai tha se: Janë të dyja opsionet. Të gjitha armët do ti nënshtrohen ekspertizës dhe janë marë mostra për AND dhe janë prova shkencore që do kryhen të gjitha teknike, biologjike dhe do dalin përgjigjet. I pyetur nëse dyshohet për ngjarje kriminale të ndodhura në Vlorë, Muçaj u shpreh: Ky dhe subjekte të tretë, dyshohet për dy ngjarje kriminale të ndodhura në Vlorë kohë më përpara. Nuk mund të dalim në përfundime.
