Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria që ai udhëheq përkrah politika feministe barazimtare, pasi sipas tij politika të tilla po e përparojnë demokracinë ngado.
“Politikat feministe po e ruajnë dhe po e përparojnë demokracinë ngado sot. Ato e kanë fituar luftën politike sepse tashmë nuk ka dyshime më se këto të dyja mund të ecin vetëm bashkë. Ky është edhe shteti për të cilin punojmë për çdo ditë, demokrat po, por edhe feminist gjithsesi”, tha Kurti gjatë një konference të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore për nder të 8 marsit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka një hendek të madh sa i përket punësimit të grave dhe burrave. Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2023, flasin për vetëm 18.5 për qind të grave në moshë pune të punësuar, krahasuar me 51.5 për qind të burrave të punësuar.
