Ky është momenti i ekstradimit të “Baronit të drogës”, Gëzim Çela nga Kosova në vendin tonë.
Gëzim Çela shihet me pranga në duar dhe ekstradohet nën masa të rrepta sigurie, shoqëruar nga disa makina policie e efektivë me skafanda dhe të armatosur. Në pamje shihet momenti kur autoritetet e Kosovës ua dorëzojnë të shumëkërkuarin e drejtësisë autoriteteve shqiptare në doganë.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla përgëzoi policinë Shtetit dhe atë të Kosovës për bashkëpunimin që u finalizua me ekstradimin e kreut të një organizate kriminale.
“Përgëzoj Policinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë disamujor që u finalizua me ekstradimin e kreut të një organizate kriminale, i cili ishte i prej shumë vitesh i kërkuar nga drejtësia. Ky bashkëpunim po intensifikohet çdo ditë me agjencitë partnere kudo, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, shkruan ministri Balla.
Gjykata Themelore në Ferizaj të Kosovës më 27 shkurt vendosi për lejimin e ekstradimit të Gëzim Çelës drejt vendit tonë, për shkak se 56-vjeçari i ka dhënë pëlqimin për t’u ekstraduar.
GJKKO ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
