Gjykata e Lartë refuzon Berishën dhe dhëndrin e tij, nuk ndryshon masat e sigurisë për aferën “Partizani”, Malltezi i shpëton rikthimit në burg, ish-kryeministri shton kërcënimet ndaj gjyqtarëve

Data

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi do të vijojnë të qëndrojnë në “arrest shtëpie”. Gjykata e Lartë ka refuzuar dje rekurset e bëra nga ish-kryeministri dhe dhëndri i tij, si dhe rekursin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që kërkonte rikthimin në qeli të Jamarbër Malltezit. Sali Berisha ju drejtua Gjykatës së Lartë me kërkesën: “Konstatimi i humbjes së fuqisë së masave shtrënguese “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 233 dhe 234 te K.Pr.Penale, caktuar ndaj deputetit te Kuvendit të Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha, Kryetarit te Opozitës”. Ndërsa Malltezi me kërkesën: “Konstatim i humbjes se fuqisë së masës shtrënguese “Arrest ne burg”, të caktuar sipas vendimit nr. 112, dt. 20.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj Prof. Dr. Jamarbër Malltezi”. Pra avokatët e të dyve pretendojnë se vendimi i shpallur për masat e sigurisë fillestare ndaj tyre ka tejkaluar afatet dhe për pasojë masat janë zhbërë. Pra Berisha ka ankimuar masën e parë të sigurisë ndaj tij, atë të detyrimit për tu paraqitur. Por kjo ka qenë një manovër, pasi nëse binte kjo masë, automatikisht binte dhe e dyta, ajo e “arresti në shtëpi”.

Vendimi

Por Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin, duke mos ndryshuar asgjë. Ndërkohë interesant është fakti se Gjykata e Lartë është treguar bujare me Malltezin sa i takon kërkesës së SPAK që ai të kthehet në qeli. Ashtu si në dy rastet e para, Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin dhe dhëndri i Berishës do vijojë të hetohet në “arrest shtëpie”. Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave te ish-Kompleksi “Partizani”. Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal. Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”. “Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë  kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën. Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: “Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi. Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtpërdrejtë Malltezi”. Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.

Reagon Berisha

Ndërkohë ish-kryeministri Berisha ka sulmuar ditën e djeshme Gjykatën e Lartë, pasi ka refuzuar rekurset e bëra nga ai dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Duke folur para mbështetësve të tij nga ballkoni i izolimit ku qëndron në “arrest shtëpie”, ish-kryeministri theksoi dje se Gjykata e Lartë po funksionon në mënyrë identike si një seksion i partisë së krimit, duke iu referuar Partisë Socialiste. Sipas Berishës, rrëzimi i rekursit të tij dhe Jamarbër Malltezit, faktoi se sot Shqipëria e Edi Ramës është një diktaturë e shëmtuar, një regjim karikaturë, një regjim të cilin ne duhet ta fshijmë nga faqja e dheut. “Shqipëria sot u faktua ashtu siç është, Shqipëria e Edi Ramës, një diktaturë e shëmtuar, një regjim karikatur, një regjim të cilin ne duhet ta fshijmë nga faqja e dheut, me vrullin, idealet dhe guximin tonë. Sot gjykatësit vasal të Gjykatës së Lartë, pengje mjerane të Edi Ramës zbatuan urdhrat e skapit të partisë dhe u bënë palë me puçin konstitucional, me marrjen e pushtetit nga gjykatës që nuk kanë ligj e as moral dhe vendosën të mos shqyrtojnë apo hodhën poshtë ankesat e avokatëve të mi dhe Jamarbër Malltezit. Ky ishte një akt mjeran, një akt i turpshëm, por askush nuk mund të priste tjetër gjë. Imagjinoni miq. Dy prej këtyre gjykatësve janë ata që 10 ditë më parë firmosën për të detyruar gazetarët të tregojnë burimet e lajmeve, në një kohë që po këta të dy 1 vit më parë kishin firmosur të kundërtën që gazetarët nuk duhet dhe nuk mund të tregojnë burimin sepse kjo cenon rëndë të drejtën e informacionit dhe lirinë e shprehjes. Çfarë ndodhi në harkun kohor rreth 1 vjeçar. Në harkun kohor rreth 1 vjeçar, pushteti mafioz i Edi Ramës me Sadushin e tij u bë absolut në Gjykatën e Lartë. Sot kjo gjykatë funksionon në mënyrë identike si një sesion i partisë së krimit, i PS-së. Ata nuk gjykojnë më në salla, nuk gjykojnë më me palë, nuk gjykojnë më me avokatë dhe paditës, ata gjykojnë vetëm me njëri-tjetrin në salla të mbyllura, sikur të ishin kioska mafioze të PS-së”, deklaroi dje Berisha gjatë fjalës së tij para mbështetësve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related