Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë për mediat, ku ndër tjera dënoi dhunën e kryer ndaj protestuesve nga policët me uniformë dhe civilë më 20 shkurt.
Agresioni dhe dhunimi i protestuesve nga banditët e Edi Ramës është një vepër e rëndë penale, por drejtësia në vend të ndëshkojë autorët e dhunës pritet të dënojë protestuesit e arrestuar. I bëjmë thirrje drejtësisë të nisë hetimet penale për keqpërdorimin e strukturave të shtetit,” tha ndër të tjera Meta.
Meta po ashtu u shpreh se Kuvendi është zhytur në një kaos dhe paligjshmëri totale, ku projektligjet votohen pa asnjë debat.
Kuvendi i Shqipërisë është zhytyr në kaos dhe paligjshmëri totale dhe është kthyer prej kohësh në një noter të neveritshëm të Qeverisë, që miraton vetëm ligje për llogari të oligarkëve dhe në dëm të interesit public, qytetar dhe kombëtar”shtoi kreu i PL.
Deklarata e plotë e kryetarit të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta në konferencën për mediat
Dëshiroj ta nis këtë komunikim me vendimin e fundit të qeverisë e cila ka rialokuar 102 milionë euro për investime publike dhe për uljen e borxhit.
Shqetësimi më i madh i Partisë së Lirisë është që 76 milion euro që janë grumbulluar nga skema e pensioneve do të përdoren për të larë borxhet e Qeverisë e cila dihet që vjedh me inceneratorë fantazmë që nuk ekzistojnë, me rrugët e florinjta që shemben si ajo që ka bllokuar dhe qarkullimin midis Korçës dhe Ersekës, me PPP-të e pafundme shumica e të cilave janë në hetim dhe me tendera sekret.
Në vend që këto para të cilat janë grumbulluar nga skema e pensioneve të përdoreshin për rritjen e pensioneve dhe për mbështetur pensionistët për mbulimin e shpenzimeve të tyre më jetike për ushqimet dhe ilaçet ato do të shkojnë përsëri tek PPP-të.
Vetëm një Qeveri e papërgjegjshme ndaj kategorive më të vuajtura dhe vulnerabël të shoqërisë, mund të përdorë fondet e pensioneve për të shlyer borxhet e PPP-ve.
Pensionistët dhe grupet në nevojë po varfërohen gjithmonë edhe më shumë si për shkak të mos rritjes të duhur të pensioneve dhe përfitimeve sociale, edhe për shkak të rritjes së pakufijshme të çmimeve dhe kujdesit të munguar shëndetësor.
“Rilindja” e cila që vitin 2013 premtoi pensione më të larta, në 11 vite bëri pikërisht të kundërtën për këtë kategori që aq shumë ka kontribuuar për ndërtimin e vendit.
Në total indeksimi dhe rritja reale e pensioneve do të duhej të ishte në 75.5% në fund të vitit 2023, krahasuar me fundvitin e 2013.
Kjo do të thotë që pensioni mesatar i pleqërisë në fund të vitit 2023:
Në zonat urbane do të duhej të ishte në nivelin 26,332 lekë në muaj, kur ndërkohë është 18,842 lekë.
Ndërsa në zonat rurale do të duhej të ishte në nivelin 14,477 lekë në muaj, kur ndërkohë është 11,239 lekë në muaj.
Pra, sot Qeveria e rilindjes i ka borxh secilit pensionist në qytet 7,489 lekë çdo muaj dhe secilit pensionist në fshat 3,238 lekë çdo muaj pikërisht për shkak të mosindeksimit mbi bazën e rritjes së çmimeve.
Ndaj dhe Partia e Lirisë do të propozojë një amendament në ligjin e pensioneve për një ndryshim të llogaritjes së indeksimit të masës së pensioneve duke konsideruar rritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë.
Si dhe do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të gjykojë mbi shkeljen e ligjit të pensioneve nga Qeveria për mos indeksimin e masës së pensioneve në përputhje me ligjin përkatës.
Gjithashtu Partia e Lirisë dhe grupi i saj i ekspertëve të shëndetit ka propozuar:
Mbulimin e plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistët dhe të përshkruara me recetë mjekësore.
Mbulimin e të gjitha shërbimeve mjekësore dhe të infermierisë në banesë për të gjithë pensionistët me probleme shëndetësore.
Një çështje shumë e rëndësisshme e cila padyshim që përbën një ngjarje skandaloze për sistemin e drejtësisë dhe për fat të keq dhe për Gjykatën e Lartë. Vendimi anti-ligjor, anti-kushtetues i së Gjykata së Lartë, në kundërshtim flagrant me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe me Kartën Universale të të Drejtave të Njeriut, që çertifikoi paligjshmërinë e akteve të SPAK ndaj gazetarit kurajoz Elton Qyno, i cili për orë të tëra u mor peng nga hetuesit e Prokurorisë Speciale dhe ju nënshtrua, së bashku me familjen e tij, një presioni dhe shantazhi të paprecedent.
Kontrolli i banesës, i zyrës, kontrolli fizik, u cilësuan të ligjshëm nga Gjykata e Lartë, a thua se gazetari Qyno ishte një kriminel i rrezikshëm dhe jo një profesionist i gazetarisë që për mision të tij ka kërkimin e lajmit dhe informimin e opinionit publik.
Gjykata e Lartë, përmes këtij vendimi të papranueshëm jo vetëm noterizoi dhunimin e fjalës së lirë, por dhe dëmtoi seriozisht cënimin dhe mbrojtjen e burimeve të gazetarëve, që janë të shenjta për ta, por edhe të mbrojtura nga ligji dhe konventat ndërkombëtare. Liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit përcse janë të drejta themelore kushtetuese janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik dhe europian.
Ndaj Partia e Lirisë është në mbështetje të plotë dhe në solidaritet me të gjithë gazetarët e pavarur dhe kurajozë, si dhe me familjet e tyre, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave themelore pasi ato duhet të mbrohen në mënyrë të vendosur nga gjithë shoqëria sepse janë ekspozuar më shumë se kurrë para dhunës dhe terrorit shtetëror.
