Si mund të pasurohen shtetet në shekullin XXI? Gara për t’u bërë superfuqia e ardhshme ekonomike, shkruan The Economist.
Deri në vitin 2050, do të ketë një grup të ri fuqish ekonomike, nëse gjërat shkojnë sipas planit. Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, dëshiron që PBB-ja për frymë e vendit të tij, të arrijë nivelin e një shteti me të ardhura të larta deri në vitin 2047.
Udhëheqësit e Indonezisë mendojnë se kanë kohë deri nga mesi i shekullit për të kapur nivelin e vendeve të pasura, kur popullsia në plakje e këtyre vendeve do të ndikojë negativisht mbi rritjen ekonomike.
Mesi i shekullit është gjithashtu afati për shumë prej reformave “Vizioni 2030”, të princit saudit Muhamed bin Salman. Princi i Arabisë Saudite dëshiron ta shndërrojë vendin nga një prodhues nafte, në një ekonomi të larmishme.
Vende të tjera më të vogla, duke përfshirë Kilin, Etiopinë dhe Malajzinë, kanë skemat e veta.
Të gjitha këto shtete kanë diçka të përbashkët: ambicie të mëdha. Zyrtarët e Indisë mendojnë se do të nevojitet një rritje e PBB-së prej 8% në vit, për të përmbushur objektivin e zotit Modi. Kjo është 1.5 pikë përqindje më shumë se sa ka arritur vendi mesatarisht gjatë tri dekadave të fundit.
Indonezia do të ketë nevojë për një rritje prej 7% në vit, nga një mesatare prej 4.6% tani.
Ekonomia e Arabisë Saudite duhet të rritet me 9% në vit për të përmbushur synimet, nga një mesatare prej 2.8% tani. Edhe pse viti 2023 ishte një vit i mirë për të tre shtetet, asnjë prej tyre nuk përjetoi një rritje me këtë lloj ritmi.
Shumë pak vende kanë ruajtur një rritje të tillë për pesë vjet, aq më pak për 30 vjet.
Për më tepër, nuk ka asnjë recetë të qartë për rritjen. Për të nxitur zhvillimin ekonomik, ekonomistët zakonisht mbështesin reformat liberalizuese që janë miratuar nga FMN-ja dhe Banka Botërore që nga vitet 1980, me “marrëveshjen e Uashingtonit”.
Ndër reformat më popullore të saj janë politikat fiskale të matura dhe kursi i qëndrueshëm i këmbimit.
Sot teknokratët kërkojnë rregulla më të lira të konkurrencës dhe privatizimin e firmave shtetërore. Megjithatë, këto propozime kanë të bëjnë me heqjen e barrierave ndaj rritjes ekonomike, jo nxitjen e vetë rritjes.
William Easterly, nga Universiteti i Nju Jorkut, ka llogaritur se, midis 52 shteteve që kishin ndjekur politika në përputhje me marrëveshjen e Uashingtonit, rritja e PBB-së ishte mesatarisht vetëm 2% në vit, nga viti 1980, deri në 1998.
Zoti Modi dhe Princi Muhamed nuk janë të gatshëm të presin. Ata duan t’i rrisin ekonomitë e tyre, sa më shpejt.
Qëllimi është të arrihet një lloj rritjeje e jashtëzakonshme si ajo që arritën vendet e Azisë Lindore në vitet 1970 dhe 1980. Me përhapjen e globalizimit, këto shtete shfrytëzuan maksimalisht fuqinë punëtore të madhe dhe të lirë, duke fituar përparësi në tregjet e makinave (Japonia), elektronikës (Koreja e Jugut) dhe farmaceutikës (Singapori).
Industritë u ndërtuan pas mureve proteksioniste, të cilat kufizuan importet, më pas lulëzuan kur u nxit tregtia me pjesën tjetër të botës. Kompanitë e huaja më vonë sollën njohuritë dhe kapitalin e nevojshëm për të prodhuar mallra më komplekse dhe fitimprurëse, duke rritur kështu produktivitetin.
Pra, nuk është çudi që udhëheqësit në të gjithë botën në zhvillim, janë entuziastë për prodhimin. Në vitin 2015, kryeministri indian Modi njoftoi planet për të rritur pjesën e industrisë në PBB-në e Indisë nga 16%, në 25%.
“Shitni kudo, por prodhoni në Indi”, u tha ai udhëheqësve të biznesit. Kamboxhia shpreson të dyfishojë eksportet e fabrikave, duke përjashtuar veshjet, deri në vitin 2025. Kenia dëshiron të rrisë sektorin e prodhimit me 15% në vit.
Fiksimi me risinë teknologjike
Megjithatë, ka një pengesë. Industrializimi është edhe më i vështirë për t’u nxitur sesa 40 ose 50 vite më parë. Falë përparimeve teknologjike, nevojiten më pak punëtorë se kurrë për të prodhuar, qoftë edhe një palë çorape.
Në Indi u kërkuan pesë herë më pak punëtorë për të operuar një fabrikë në vitin 2007 sesa në vitin 1980.
Në mbarë botën, industria tani funksionon me aftësi dhe kapital, të cilat vendet e pasura i kanë me bollëk, dhe nevojitet më pak fuqi punëtore, që do të thotë se një fuqi punëtore e madhe dhe e lirë, nuk ofron më shumë rrugë drejt zhvillimit ekonomik.
Prandaj, zoti Modi dhe të tjerët kanë një plan të ri: ata duan t’i përqendrojnë përpjekjet në prodhimin e produkteve të teknologjisë së lartë. Pse të qepësh çorape kur mund të prodhosh gjysmëpërçues?
Ky “fiksim i jashtëzakonshëm me risinë teknologjike”, siç thotë një ish-këshilltar i qeverisë indiane, ndonjëherë çon në proteksionizëm të modës së vjetër. Kompanitë indiane mund të jenë të mirëpritura të shesin kudo, por zoti Modi dëshiron që indianët të blejnë mallra indianë. Ai ka shpallur ndalimin e importit për çdo gjë, nga laptopët tek armët.
Por jo i gjithë proteksionizmi është i modës së vjetër. Me kalimin e kohës, subvencionet dhe lehtësimet tatimore kanë zëvendësuar ndalimet e importit dhe licencimin. Rreth viteve 1970, çdo investim mbi një prag të caktuar, duhej të miratohej nga një nëpunës civil.
Tani zyrtarët e lartë kanë marrë urdhër nga zoti Modi për të grumbulluar 100 miliardë dollarë investime në vit, dhe kryeministri ka deklaruar se joshja e prodhuesve të çipave, është ndër qëllimet e tij kryesore ekonomike.
“Stimujt e lidhur me prodhimin” ofrojnë lehtësime tatimore për çdo kompjuter apo raketë të prodhuar në vend, si dhe për produkte të tjera të teknologjisë së lartë.
Në vitin 2023, subvencione të tilla arrinin një vlerë prej 45 miliardë dollarësh, ose sa 1.2% e PBB-së, krahasuar me 8 miliardë dollarë kur skema u krijua tre vjet më parë. Në mënyrë të ngjashme, Malajzia po ofron subvencione për firmat që krijojnë operacione kompjuterike cloud dhe vendi po ndihmon me koston e fabrikave të ngritura në vend.
Kenia po ndërton pesë parqe industriale pa taksa, të cilat do të jenë gati në vitin 2030 dhe ka plane për të ndërtuar 20 të tjerë.
Në disa shtete, është ndier suksesi i hershëm. Vitin e kaluar, sektori i prodhimit i Kamboxhias rriti PBB-në e vendit me tre pikë përqindje më shumë sesa pesë vite më parë. Firmat që kërkojnë të bëhen të pavarura nga Kina, janë joshur nga kostot e ulëta, subvencionet për prodhimin e teknologjisë së lartë dhe investimet shtetërore.
Megjithatë, në vende të tjera, gjërat kanë qenë më të vështira. Në Indi, prodhimi si pjesë e PBB-së nuk ka ndryshuar. Zoti Modi nuk do ta arrijë objektivin prej 25% deri në vitin e ardhshëm.
Emra të mëdhenj si Apple dhe Tesla kanë hapur një ose dy fabrika, por nuk kanë treguar shumë dëshirë për të bërë investime si ato që bëheshin dikur në Kinë, e cila ofron një infrastrukturë shumë më të zhvilluar dhe një fuqi punëtore më të arsimuar.
Rreziku është se, duke u përpjekur të nxisin prodhimin e teknologjisë së lartë brenda vendit, qeveritë mund të përfundojnë duke përsëritur fatkeqësitë e së kaluarës. Nga viti 1960 deri në vitin 1991, pjesa e prodhimit në PBB-në e Indisë, u dyfishua. Por kur u hoqën barrierat mbrojtëse në vitet 1990, nuk kishte asgjë të lirë për t’u eksportuar në pjesën tjetër të botës.
Tani rreziku është i madh sepse zoti Modi e sheh prodhimin si sinonim me “mbështetjen te vetja”, ose aftësinë e Indisë për të prodhuar gjithçka që i nevojitet, veçanërisht teknologjinë e armatimit.
Së bashku me Indonezinë dhe Turqinë, India është një nga një vendet që e shohin pasurimin si rrugë drejt një pozicioni më të fortë gjeopolitik, duke rritur kështu mundësinë e investimit në fusha të gabuara.

Ana ekologjike
Për shkak të këtyre të metave si në prodhimtarinë bazë, ashtu edhe në përpjekjet për të ecur përpara, disa vende duan të provojnë një qasje tjetër: tërheqjen e industrive që përdorin burimet e tyre natyrore, veçanërisht metalet dhe mineralet që fuqizojnë tranzicionin e gjelbër.
Qeveritë në Amerikën Latine janë të përqendruara në këtë drejtim. Po kështu edhe Republika Demokratike e Kongos dhe Zimbabve. Por është Indonezia ajo që po udhëheq dhe po e bën këtë me një rreptësi të madhe. Që nga viti 2020, vendi ka ndaluar eksportet e boksitit dhe nikelit, nga të cilat prodhon 7% dhe 22% të furnizimit global.
Zyrtarët shpresojnë se duke mbajtur një kontroll të ngushtë mbi eksportet, ata mund t’i bindin përpunuesit që të zhvendosen në vend. Më pas duan të bindin me radhë kontribuesit e çdo faze të zinxhirit të furnizimit, derisa punëtorët indonezianë të prodhojnë gjithçka, nga komponentët e baterive, deri te turbinat e erës.
Zyrtarët po ofrojnë gjithashtu shpërblime, si në formën e parave të gatshme, ashtu edhe në formën e lehtësive. Indonezia po përjeton një bum infrastrukturor: shpenzimet midis viteve 2020 dhe 2024 janë rreth 400 miliardë dollarë.
Këtu përfshihet financimi për të paktën 27 parqe industriale disa miliarda dollarëshe, duke përfshirë Parkun Kalimantan, të ndërtuar në 13,000 hektarë pylli, me kosto 129 miliardë dollarë. Vende të tjera po ofrojnë gjithashtu subvencione dhe shpërblime.
Firmat që duan të instalojnë panele diellore në Brazil do të marrin subvencione për t’i ndërtuar ato në vend. Bolivia shtetëzoi industrinë e litiumit, por konglomeratet e reja shtetërore do të lejohen të lidhin sipërmarrje të përbashkëta me kompanitë kineze.
Kjo qasje e re në zinxhirin e furnizimit me energji ka pak shembuj të dikurshëm për t’u mbështetur. Vendet që prodhojnë më shumë naftë në botë, kryesisht e dërgojnë naftën e papërpunuar jashtë vendit. Në të vërtetë, më shumë se 40% e kapacitetit global të përpunimit të naftës, mund të gjendet në Amerikë, Kinë, Indi dhe Japoni.
Arabia Saudite përpunon më pak se një të katërtën e asaj që prodhon; Saudi Aramco, gjiganti i saj shtetëror i naftës, e përpunon naftën në Kinën Veriore. Eksperimentet me ndalimin e eksportit janë bërë kryesisht për mallra më të thjeshta, si druri në Ganë dhe çaji në Tanzani.
Në të kundërt, përftimi i nikelit të pastër, të përshtatshëm për t’u përdorur në automjetet elektrike, është një detyrë jashtëzakonisht e ndërlikuar, vëren Matt Geiger nga firma MJG Capital. Për ta bërë këtë, nevojiten tre lloje të ndryshme fabrikash dhe nikeli duhet të kalojë nëpër një sërë fazash dhe procesesh.
Disa rajone të Gjirit Persik janë bërë të pasura falë lëndëve djegëse fosile, por pothuajse çdo industri në botë konsumon vazhdimisht naftë. Nuk ka asnjë garanci që pasuria e metaleve të gjelbra do të jetë aq e madhe. Bateritë duhet të ndërrohen çdo disa vjet.
Zyrtarët në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, mendojnë se përfitimet nga mallrat e gjelbra do të arrijnë kulmin në vitet e ardhshme, dhe më pas do të zvogëlohen. Për më tepër, zhvillimi teknologjik mund të zbehë papritur kërkesën për disa metale (për shembull, nëse arrihet të prodhohen bateri me lloje të tjera jonesh, përveç litiumit).
Ndërkohë, përfituesit e lëndëve djegëse fosile po provojnë një strategji tjetër: të ndryshojnë funksionin e porteve. Gjiri Persik dëshiron të jetë vendi ku bota bën biznes, duke mirëpritur tregtinë nga të gjitha anët e globit dhe duke siguruar strehim nga tensionet gjeopolitike, veçanërisht midis Amerikës dhe Kinës.
Deri në vitin 2050, bota pritet të arrijë emetimet neto zero. Edhe pse Gjiri Persik është i pasur, ekonomitë e tij janë ende në zhvillim. Forcat punëtore vendase janë më pak të afta se ato në Malajzi, por marrin paga të krahasueshme me ato në Spanjë. Kjo i bën punëtorët e huaj me rëndësi thelbësore. Në Arabinë Saudite ata përbëjnë tre të katërtat e fuqisë punëtore.
