VLLAZNIA MIQËSORE NË FUNDJAVË ME KASTRIOTIN

Data

Ekipi i Vllaznisë i është rikthyer proçesit stërvitor, për të vijuar me përgatitjet për ndeshjet e rradhës. Tashmë, duke qenë se kampionati shqiptar është në pauzë për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, kuptohet që një vëmendje e madhe do t’i kushtohet rikuperimit të disa prej futbollistëve të dëmtuar apo edhe marrjen e formës së duhur nga lojtarët e tjerë. Megjithatë, nga ana tjetër, drejtuesit kuqeblu po mendojnë edhe për ruajtjen e formës në këtë periudhë të ndërprerjes së kampionatit. Për këtë arsye, mësohet se ata kanë vendosur zhvillimin e një ndeshje miqësore gjatë fundjavës dhe më konkretisht, ditën e shtunë.

Kundërshtari me të cilin do të luhet do të jetë Kastrioti, me miqësoren që do të zhvillohet në Shkodër dhe më konkretisht në stadiumin “Loro Boriçi”. Patjetër që, kjo miqësore do të jetë e favorshme për Vllazninë dhe poashtu edhe për trajnerin Qatip Osmani, për të njohur sa më mirë edhe ekipin kuqeblu.

Kjo miqësore me shumë mundësi do të shërbejë edhe për të parë formën pas rikuperimit të disa futbollistëve që kanë pasur probleme dëmtimesh, teksa bëhet fjalë për lojtarë si Smajli, Beci, Spahija, Mala, Hakaj, Cheshmedjiev, Asani, Bruno Gomes apo edhe ndonjë tjetër. Ndërkohë që, nga ana tjetër, te Vllaznia janë në pritje të vendimit të FSHF se kur do të zhvillohen ndeshjet e javës së 13-të, që u anulluan për shkak të ndarjes nga jeta të sulmuesit të Egnatias, Raphael Dwamena. Në fakt, kuqeblutë janë të bindur se në momentin e rikthimit të ndeshjeve, skuadra do të jetë më në formë dhe rezultatet pozitive të saj do të vijnë, por gjithsesi një gjë e tillë mbetet për t’u parë vetëm në fushën e lojës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related