945 hektarë tokë bujqësore të përmbytura në Obot të Shkodrës, lëvizja bëhet me varka

Data

Situata në fshatin Obot të Shkodrës mbetet problematike, pasi rritja e nivelit të ujit gjatë 24 orëve të fundit ka përmbytur një sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore. Lëvizja e banorëve aktualisht realizohet vetëm me varka dhe mjete të Ushtrisë, ndërsa kalimi me automjete është i pamundur.

Banorët raportojnë se rreth orës 00:30 të natës së kaluar ka pasur një rritje të menjëhershme të nivelit të ujit, e cila lidhet me shtimin e shkarkimeve nga hidrocentralet. Megjithatë, sipas Emergjencave Civile, situata është nën monitorim të vazhdueshëm dhe shtëpitë nuk janë përmbytur, ndërsa uji ndodhet kryesisht në oborre dhe toka bujqësore.

Sipërfaqja totale e tokës së përmbytur vlerësohet rreth 945 hektarë, e shpërndarë në disa njësi administrative: rreth 120 hektarë në Dajç, 195 hektarë në Velipojë, 600 hektarë në Ana e Malit dhe 30 hektarë në Bërdicë.

Nivelet e lumenjve mbeten nën kuota kritike. Lumi Buna në Dajç është në kuotën 6.64 metra, ndërsa në Urën e Vjetër të Bunës niveli është 8.70 metra, rreth 0.50 metra nën kuotën kritike. Në Urën e Bahçallëkut, lumi Drin shënon 7.70 metra, rreth 2.30 metra nën nivelin kritik.

Hidrovoret po punojnë pa ndërprerje dhe furnizimi me energji elektrike është normal. Autoritetet bëjnë me dije se argjinaturat dhe kanalet kulluese nuk paraqesin rrezik të menjëhershëm për përmbytje të banesave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related