9-mujori 2024, Banka e Shqipërisë blen shifrën rekord të 542 milionë eurove

Data

Banka e Shqipërisë njoftoi se ka blerë 270.5 milionë euro në tregun e brendshëm valutor vetëm për tremujorin e tretë të vitit. Sipas informacionit nga Banka Qendrore, në ankandet e planifikuara me qëllim rritjen e rezervës valutore u blenë 94.4 milionë euro. Ndërsa shuma e blerjeve direkte, me qëllim për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit Euro-Lek ishte edhe më e madhe, me gjithsej 176.1 milionë euro. Banka e Shqipërisë i nisi blerjet direkte të valutës qysh në muajin maj dhe i vazhdoi ato deri në fillim të muajit gusht. Më pas, operacionet e blerjes direkte të valutës rifilluan në tremujorin e katërt të vitit, por megjithatë vlerësohet se blerjet kanë qenë më të ulëta krahasuar me tremujorin e tretë.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2024 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej më shumë se 542 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Kjo është me diferencë të madhe vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Pjesa më e madhe e kësaj shume, rreth 58% ishin blerje direkte me qëllim kontrollin e kursit të këmbimit, ndërsa pjesa e mbetur prej 42% ishin blerje të kryera nëpërmjet ankandeve, në kuadrin e objektivave të lidhura me rritjen e rezervës valutore. Pasi inflacioni në fillim të këtij viti ra poshtë objektivit prej 3%, Banka Qendrore vendosi të ndërhyjë në tregun valutor, duke tërhequr një pjesë të ofertës së madhe të euros dhe duke rritur ofertën monetare të lekut.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related