75 kongresmenë amerikanë i kanë drejtuar një letër Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, ku shprehin shqetësim të thellë dhe kundërshtojnë pezullimin e vizave të emigracionit për 75 shtete, mes tyre edhe Shqipëria. Ata kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi, duke e cilësuar atë skandaloz, diskriminues dhe me pasoja të rënda sociale e ekonomike.
Në letrën e tyre, ligjvënësit theksojnë se vendimi prek rreth 40% të vendeve të botës dhe qindra mijëra persona çdo vit, ndërsa u njoftua pa transparencë dhe pa shpjegime të mjaftueshme. Sipas tyre, pezullimi dëmton drejtpërdrejt familjet e shtetasve amerikanë, ndan të afërmit, pengon ribashkimin familjar dhe kufizon ndjekjen e të ashtuquajturës “ëndërr amerikane”.
Kongresmenët paralajmërojnë se masa do të ndikojë negativisht edhe në ekonominë amerikane, duke ngadalësuar rritjen e bizneseve të vogla dhe duke dëmtuar komunitetet fetare e shoqërore që varen nga emigracioni. Ata theksojnë se politika në fjalë do të refuzojë pothuajse gjysmën e emigrantëve të ligjshëm gjatë vitit të ardhshëm, bazuar në të dhënat e viteve të fundit.
Në letër ngrihen edhe disa pyetje drejtuar Departamentit të Shtetit, përfshirë justifikimin ligjor të vendimit, mungesën e vlerësimeve individuale për aplikantët dhe nëse është kryer një analizë kosto-përfitim për këtë politikë. Kongresmenët i kanë lënë afat administratës deri më 20 shkurt për të dhënë përgjigje zyrtare.
Në përfundim, ata ritheksojnë kërkesën e tyre për tërheqjen e vendimit, duke e cilësuar atë të prapambetur, të padrejtë dhe më shumë të dëmshëm sesa të dobishëm për Shtetet e Bashkuara.
