Rreth 45 ikona nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës do të prezantohen në Francë në kuadër të ekspozitës së përkohshme “Ikonat e Shqipërisë – Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”.
Ekspozita pritet të hapet në muajin qershor në Muzeun e Arteve të Bukura të Chambéry dhe konsiderohet një ngjarje e rëndësishme kulturore. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e ka cilësuar këtë ekspozitë si një hap të rëndësishëm në promovimin e trashëgimisë artistike shqiptare në Evropë.
Sipas tij, kjo nismë është fryt i bashkëpunimit mes qyteteve Korçë–Chambéry dhe mbështetet nga institucione partnere, përfshirë Ambasadën e Francës në Shqipëri. Ekspozita synon të forcojë dialogun ndërkulturor dhe hapjen evropiane të trashëgimisë shqiptare.
Publiku francez do të ketë mundësinë të njohë një pasuri artistike ende pak të njohur në Francë dhe në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar cilësinë e jashtëzakonshme të ikonave shqiptare, të cilat kanë mbijetuar pavarësisht shkatërrimeve të shekullit XX.
Ekspozita do të nxjerrë në pah veçantinë e artit të krishterë mesdhetar dhe dialogun artistik mes traditës së ikonës ortodokse dhe artit fetar mesjetar e rilindas italian.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë u hap në vitin 1980 dhe fondi i tij përfshin ikona, objekte kulti dhe vepra arti në dru, gur, metal dhe tekstil, të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shekullit XX. Në koleksion gjenden vepra të autorëve anonimë, si edhe të ikonografëve të njohur shqiptarë si Onufri, Onufër Qiprioti, Shpataraku, Selenicasi dhe vëllezërit Zografi.
