Pas më shumë se një dekade ngërçi dhe akuzash politike, dosja e “21 janarit” është rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes, ndërsa avokati Edmond Petraj paralajmëron se drejtësia është sot përballë një prove historike. Thirrja e ish-kryeministrit Sali Berisha në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), sipas tij, shënon hapjen e “Kutisë së Pandorës” për hetimin e vrasjeve të asaj dite tragjike. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, z. Petraj nënvizon se kjo çështje nuk ka më asnjë element politik, por është një test i pastër ligjor që do tregojë nëse organet e drejtësisë janë vërtet të pavarura. Ai flet për prapaskena të hetimit dhe thekson se struktura ka në duar materiale e prova që kërkojnë shpjegime të drejtpërdrejta nga Berisha. Në këtë klimë tensioni, avokati thekson se askush nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë kur bëhet fjalë për humbjen e jetëve të qytetarëve. Ai ngre pyetjen thelbësore: a do të triumfojë ligji mbi politikën? Sipas Petraj, ky është momenti kur drejtësia duhet të provojë se nuk është e kapur apo e ndikuar. Dhe nëse hetimi shkon deri në fund, thotë ai, masakra e “21 janarit” mund të ndryshojë përgjithmonë perceptimin për pandëshkueshmërinë në Shqipëri.
-Avokat Petraj, tani që ish-kryeministri Sali Berisha është paraqitur në SPAK për 21 Janarin, a mendoni se ai rrezikon realisht përballje penale – apo po përpiqet ta shesë thirrjen si sulm politik për të shmangur përgjegjësinë?
Tani që ish-kryeministri Sali Berisha më në fund është paraqitur në SPAK për çështjen e 21 Janarit, pyetja është e thjeshtë:A rrezikon realisht përballje penale, apo po përpiqet ta paketojë thirrjen si “sulm politik” vetëm për të shmangur përgjegjësinë? Sepse deri tani, çdo herë që drejtësia ka trokitur te ky dosje, ka dalë e njëjta këngë: “Sulm politik”, ndërkohë që faktet, vendimet, zinxhiri komandues dhe pasojat janë krejtësisht juridike, jo politike. Thirrja në SPAK nuk është as status Facebook-u, as debat paneli televiziv është një procedurë penale ku përgjegjësia individuale nuk fshihet dot pas flamurit politik. Nëse Prokuroria ka vendosur ta thërrasë ish-kryeministrin, kjo do të thotë se ka elementë të mjaftueshëm vlerësimi, prova, deklarime dhe materiale që kërkojnë sqarim të drejtpërdrejtë nga ai vetë. Në një shtet normal, kur humbin jetë njerëzish dhe kur vendimmarrja e nivelit më të lartë është pjesë e ngjarjes, askush nuk ka imunitet moral për t’i ikur ballafaqimit. Prandaj pyetja nuk është nëse kjo është “politikë”, por.. A do të mbizotërojë më në fund përgjegjësia penale ndaj funksionit publik, apo do të rikthehemi te alibia e vjetër se çdo hetim ndaj pushtetit është gjoja sulm politik? Në këtë pikë, SPAK nuk po kërkon opinion por po kërkon llogari.
-A duhet Sali Berisha të japë më në fund llogari për zinxhirin komandues të Gardës më 21 Janar 2011 dhe a është ky momenti kur drejtësia duhet të tregojë nëse është apo jo e kapur politikisht?
Po, Sali Berisha duhet të japë më në fund llogari për zinxhirin komandues të Gardës më 21 Janar 2011 sepse kjo nuk është më çështje politike, por çështje përgjegjësie shtetërore. Në çdo standard demokratik, kur në një protestë humbin jetë qytetarë nga arma e shtetit, komanda e zinxhirit shtetëror nuk mund të fshihet dot pas deklaratave politike. Garda e Republikës nuk është trupë private; ajo vepron me komandë, me urdhër, me hierarki të qartë. Dhe në krye të asaj hierarkie në atë kohë ishte Kryeministri i vendit. Ndaj pyetja është legjitime dhe e domosdoshme:
- A u dhanë urdhra?
- Kush i dha?
- Kush i miratoi?
- Kush ishte i informuar?
- Kush duhej të ndalonte zjarrin dhe nuk e ndaloi?
Këto nuk janë dilema politike janë pyetje penale. Dhe pikërisht tani është momenti i provës për drejtësinë, nëse SPAK e çon çështjen deri në fund, duke thirrur, pyetur dhe përballur këdo, pavarësisht emrit apo pozicionit, atëherë tregohet se drejtësia është e pavarur. Dhe nëse sërish ngrihet muri i paprekshmërisë politike, atëherë konfirmohet i njëjti realitet që shqiptarët dyshojnë prej vitesh: se drejtësia funksionon vetëm ndaj të dobëtit, jo ndaj pushtetit të dikurshëm apo aktual. Në 21 Janar nuk ka viktima anonime. Ka përgjegjësi konkrete. E drejtësia sot duhet të vendosë nëse do të mbetet peng e politikës apo do të bëhet më në fund gjykatë e fakteve.
-Përse Berisha nuk e pranon kurrë mundësinë e përgjegjësisë së tij në atë ditë tragjike, kur 4 qytetarë u vranë nga armët e shtetit? A është kjo frikë nga drejtësia apo strategji politike?
Sali Berisha nuk pranon kurrë mundësinë e përgjegjësisë së tij për 21 Janarin, kur 4 qytetarë u vranë nga arma e shtetit, sepse kjo është një çështje kryesore e imunitetit të tij politik dhe reputacionit personal. Pyetja është, a bëhet kjo nga frikë reale nga drejtësia, apo është një strategji politike e kalkuluar? Përgjigja është e dyfishtë mendoj unë, e para frika nga drejtësia ndodh në rastet kur ka prova konkrete, dëshmi, zinxhir komandues dhe materiale që lidhen direkt me vendimet e niveleve të larta, çdo individ e di se ballafaqimi mund të jetë i rrezikshëm. Një deklaratë apo pranimi i përgjegjësisë mund të ketë pasoja penale dhe politike. E dyta është strategjia politike duke shpallur çdo hetim si “sulm politik”, Berisha kërkon të shfajësohet publikisht dhe të mobilizojë mbështetësit e tij kundër institucioneve, duke krijuar një narrativë të qëllimshme: se drejtësia nuk është objektive, por e kapur nga politikë. Kjo e bën refuzimin e përgjegjësisë një mjet për mbijetesë politike, jo thjesht një mbrojtje ligjore. Pra, nuk është vetëm frikë, dhe nuk është vetëm politikë është kombinimi i dyjave, i përdorur për të shmangur ballafaqimin me faktet dhe përgjegjësinë reale. Në këtë pikë, drejtësia ka mundësinë të tregojë nëse funksionon në baza ligjore dhe jo politike, duke thirrur të gjithë të përfshirët të japin llogari.
