Ish kryeministri Sali Berisha e nisi sot fjalën e tij me një bekim për NATO-n. Në 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në këtë aleancë, Berisha u shpreh se kjo ishte realizimi i ëndrrës më të bukur, më të rëndësishme të një kombi.
Berisha thotë se sot pas 15 vitesh Shqipëria de facto nuk është më anëtare politike e aleancës së Atlantikut të Veriut, pasi siç shprehet ai ‘Edi Rama ka shkelmuar çdo parim madhor politik të kësaj aleance’.
Ai thotë se ‘Edi Rama ndërtoi në këto vite, në vendin anëtar të NATO-s, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në NATO dhe në Europë’.
“Të dashur miq, 15 vjet më parë, në shndërruam një ëndërr të madhe në realitet. Por sot pas 15 vitesh, Shqipëria de facto nuk është më anëtare politike e aleancës së Atlantikut të Veriut, pasi Edi Rama ka shkelmuar çdo parim madhor politik të kësaj aleance.
Aleanca është klubi i vendeve të lira demokratike, kurse Edi Rama ka rrëmbyer votën shqiptarëve, nuk bën zgjedhje të lira, nuk lejon rotacionin, ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij të zeza.
Edi Rama me regjimin e tij de facto po largon Shqipërinë çdo ditë e më shumë nga NATO-ja. Ai ka vendosur mbi qytetarët e tij regjimin e vjedhjeve më të mëdha në historinë e tyre. Ai ka vendosur në Shqipëri, arrestimet politike dhe përpjekjen për zhdukjen e opozitës.
Edi Rama ndërtoi në këto vite, në vendin anëtar të NATO-s, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në NATO dhe në Europë. Edi Rama, njëlloj si Oleg Deripaska, pagoi me para krimi, kryezbuluesin e SHBA për të treguar se është edhe ky një horr si horri rus dhe asgjë tjetër”, tha Berisha.
