1 zjarrfikëse për 10 mijë banorë, Shqipëria me mungesa serioze në logjistikë

Data

Ndryshimet klimatike dhe shtimi i rasteve të zjarreve kanë vënë në provë kapacitetet e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSh), duke nxjerrë në pah një kontrast të fortë mes rritjes së personelit dhe mungesës së theksuar të mjeteve.

Sipas një analize të Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor, Shqipëria ka arritur dhe madje ka kaluar mesataren e Bashkimit Europian për numrin e zjarrfikësve për frymë. Nga 739 efektivë në vitin 2016, kur bashkitë morën në administrim këtë funksion, numri ka arritur në 1,371 në fund të vitit 2024 – pothuajse dyfishim brenda një dekade.

Në vitin 2015, vendi kishte 0.38 zjarrfikës për çdo 1,500 banorë, ndërsa sot ky tregues ka arritur në 0.86, mbi mesataren e BE-së që llogaritet rreth 0.81. Megjithatë, shpërndarja e personelit mbetet e pabarabartë. Bashkitë e vogla kanë më shumë efektivë për frymë, ndërsa Tirana, për shkak të popullsisë së lartë, ndërtesave shumëkatëshe dhe trafikut të rënduar, ka raportin më të ulët të zjarrfikësve për banor.

Problemi më i madh mbetet logjistika. Aktualisht, Shqipëria ka mesatarisht vetëm 1 automjet zjarrfikës për çdo 10,000 banorë, një nivel që ka mbetur pothuajse i pandryshuar dhe që po përkeqësohet për shkak të amortizimit të flotës ekzistuese. Shumë mjete dalin jashtë funksionit për shkak të vjetërsisë, pa u zëvendësuar me të reja.

Krahasuar me vende si Gjermania apo Austria, ku në zonat urbane me densitet të lartë ka një automjet për çdo 500 deri në 1,000 banorë, hendeku është i thellë. Përtej automjeteve, mungesat shtrihen edhe në pajisje moderne, veshje mbrojtëse dhe infrastrukturë mbështetëse.

Ekspertët paralajmërojnë se rritja e personelit nuk mjafton pa investime serioze në flotë dhe pajisje. Me shtimin e zjarreve dhe fatkeqësive natyrore, mungesa e logjistikës mund ta lërë shërbimin të pambrojtur përballë situatave emergjente.

Pa një plan të qartë për rinovimin e mjeteve dhe përmirësimin e kushteve të punës, rreziku që shërbimi zjarrfikës të mbetet në kushte primitive dhe me kapacitete të kufizuara mbetet i lartë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related