Zhdukja misterioze e 900 shisheve verë luksoze nga resorti i Ergys Agasit

Data

Mes kodrave të Mulletit, rreth 13 kilometra larg Tiranës, ndodhet Equos Resort, një kompleks luksoz që ofron shërbime ekskluzive si klub hipizmi, sporte ujore dhe akomodim elitar. Por pas fasadës së luksit, në një qilar brenda resortit fshihej një nga koleksionet më të shtrenjta private të verërave të vjetra në Shqipëri.

Pas shpalljes në kërkim të biznesmenit Ergys Agasi, i akuzuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal për manipulim tenderash pranë AKSHI-t, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbuluar në një vilë dy-katëshe brenda resortit një koleksion prej 900 shishesh verë, të markave ekskluzive dhe me vlerë të jashtëzakonshme.

Sipas burimeve hetimore, një pjesë e verërave datonin gati një shekull më parë, me tapa të dyllosura në vitet 1922, 1923 dhe 1940, të pajisura me certifikata origjine. Koleksioni kishte origjinë nga Franca dhe Italia dhe dyshohet se ishte futur kontrabandë në Shqipëri.

Vlerë milionëshe dhe detyrime të shmangura

Drejtoria e Hetimit Doganor, e njoftuar nga SPAK për çështjen, kreu inventarizimin dhe vlerësoi koleksionin në rreth 1 milion euro, ndërsa shmangia e detyrimeve doganore kapte vlerën e 300 mijë eurove. Disa shishe vlerësoheshin mbi 30 mijë euro, ndërsa më e lira rreth 350 euro.

Megjithatë, pas inventarit, verërat nuk u transportuan në magazinat doganore, me arsyetimin se nuk kishte hapësira të përshtatshme për produkte ushqimore. Malli u la i bllokuar në vend, me procesverbal të firmosur nga Eno Agasi, djali i xhaxhait të biznesmenit.

Qilari bosh dhe zhdukja misterioze

Kur punonjësit e Hetimit Doganor u rikthyen të nesërmen për të marrë koleksionin, qilari ishte bosh. Të 900 shishet e verës ishin zhdukur pa lënë gjurmë.

Çështja u referua në Prokurorinë e Tiranës, e cila regjistroi procedim penal dhe vendosi masën “arrest me burg” në mungesë ndaj Eno Agasit. Ai po hetohet për disa vepra të rënda penale, përfshirë pengim të zbardhjes së së vërtetës, kontrabandë, ruajtje të mallrave kontrabandë dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Zhdukje e organizuar dhe fshirje provash

Sipas Prokurorisë, zhdukja e koleksionit ka qenë e mirëorganizuar. Hetimet kanë zbuluar se janë hequr edhe kamerat e sigurisë brenda resortit dhe ato që lidhnin kompleksin me autostradën Tiranë–Elbasan, duke vështirësuar gjurmimin e autorëve.

Hetuesit dyshojnë se koleksioni i verërave nuk ishte për konsum, por një investim financiar, pasi vlera e verërave të tilla rritet me kalimin e kohës dhe mund të përdoren edhe si formë alternative e ruajtjes së kapitalit.

Prokuroria e Tiranës ka bërë të ditur se, në varësi të provave të reja, çështja mund të kalojë për kompetencë edhe pranë Prokurorisë së Posaçme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related