Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Lista Serbe ka siguruar të dhjetë mandatet e garantuara për komunitetin serb.
Ai theksoi se kjo fitore do të shërbejë si një pengesë për politikat e mëtejshme të kryeministrit Albin Kurti.
“Presim ende rezultate nga Serbica, ku kanë votuar 143 serbë, por tashmë është e qartë se Lista Serbe i ka fituar të dhjetë mandatet e mundshme. Urime popullit serb në Kosovë dhe Metohi. Këto rezultate janë të jashtëzakonshme, veçanërisht duke pasur parasysh përpjekjet e Albin Kurtit për të dëmtuar Listën Serbe dhe popullin serb. Përpjekjet e huaja për të dobësuar Listën Serbe, si në mënyrë të fshehtë ashtu edhe publikisht, nuk kanë pasur sukses,” deklaroi Vuçiç në një videomesazh të shpërndarë nga Zyra për Kosovë dhe Metohi.
