Hetimi i SPAK për tenderin e tunelit të Llogarasë, që ka vënë nën hetim ministra dhe zyrtarë të lartë, përfshirë Ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, shihet si maja e ajsbergut të një fenomeni më të thellë që ka kapluar vendimmarrjen shtetërore në Shqipëri. Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, i ftuar në një emision televiziv, u shpreh se ky rast nuk është një incident i izoluar, por një tjetër dëshmi e ndikimit në rritje të lobeve të biznesit dhe oligarkëve mbi qeverinë.
Sipas një analize të zhvillimeve ekonomike të dekadës së fundit, konstatohet një rritje e konsiderueshme e peshës së grupeve të interesit, oligarkëve dhe madje edhe segmenteve të krimit të organizuar në vendimmarrjen qeveritare. Ky ndikim manifestohet në mënyrën se si shpërndahen fondet buxhetore tha Preçi, jepen lejet, licencat dhe statuset e investitorëve strategjikë, duke kulmuar së fundmi me diskutimet mbi “paketën e maleve”.
Nga ky këndvështrim, historia e tunelit të Llogarasë dhe përfshirja e dyshuar e ministres Balluku nuk përbën një risi. Shqetësimi kryesor u shpreh eksperti i ekonomisë qëndron në faktin se raste të tilla shpesh futen nën një emërues të përbashkët ligjor, si “shkelja e barazisë në tendera”, që parashikon dënime të lehta dhe simbolike.
