Armando Broja ka finalizuar në orët e fundit të merkatos së verës transferimin e tij nga radhët e Çelsit te Evertoni, po në Premier Ligë. Dhe sipas asaj që shkruan “The Athletic”, futbollisti ka kaluar orë të ethshme para nënshkrimit të marrëveshjes mes palëve.
Portali i njohur ka siguruar dëshmi nga një person brenda stafit drejtues të Çelsit, i cili ka shpjeguar çfarë ka ndodhur në klubin londinez në ditën e fundit të merkatos, kur u bënë lëvizje të shumta në orët e mbylljes.
“Sulmuesi Armando Broja do të kishte shkuar te Ipsuiç Taun i sapongjitur në një marrëveshje huazimi që përfshinte detyrimin për ta blerë për 30 milionë paund. Megjithatë, një dëmtim në këmbë i pësuar gjatë stërvitjes me ekipin e lojtarëve të lënë jashtë, ngriti dyshime gjatë testeve mjekësore dhe Ipsuiç përfundoi duke u tërhequr.
Me asnjë lëvizje në horizont dhe duke iu frikësuar perspektivës të mosaktivizimit deri në janar, Broja kontaktoi klubin kur kishin mbetur pak orë deri në mbylljen e merkatos dhe i nxiti që të gjenin një zgjidhje, duke u thënë se dëshironte të largohej.
Çelsi ra dakord dhe siguroi një huazim te Evertoni, një klub që kishte shfaqur interes në firmën me të që vitin e kaluar. Por për shkak të vonesës së kësaj marrëveshje, Evertoni ishte në gjendje që ta merrte me kushte të favorshme, pa asnjë pagesë huazimi dhe vetëm një opsion transferimi për 30 milionë paund, pa detyrim. Ata gjithashtu nuk kanë pse kontribuojnë për rrogat e tij te Çelsi derisa të jetë përsëri në formë.
Profili i lartë i lojtarëve të lënë jashtë planeve nga Çelsi bëri që shumë klube me dashje të pritnin deri në fundin e dritares së merkatos që të bënin lëvizjen e tyre”. shkruhet në artikullin e “The Athletic”.
