Në Gazetën Zyrtare të Republikës së Serbisë është publikuar dekreti i Aleksandër Vuçiçit për tërheqjen nga detyra të Ambasadores së Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Serbisë në Republikën e Kroacisë, Jelena Miliç. Kështu Miliç pas dy vitesh e gjysmë u largua nga Zagrebi dhe u kthye në Beograd. Gjithashtu është bërë e ditur se Dragan Shutanovac është emëruar zyrtarisht ambasador i Serbisë në SHBA dhe se Ivo Vojvodiç është emëruar ambasador në Slloveni.
Për kujtesë, më 7 janar, Miliq në mënyrë demonstrative u largua nga pritja tradicionale e Këshillit Kombëtar Serb për Krishtlindjet Ortodokse në Zagreb për shkak të një letre të shkruar nga fituesit e çmimit të parë, shkrimtarja Jasminka Petroviq dhe regjisori Radivoje Rasha Andriq. Në atë letër ata ndër të tjera falënderonin të rinjtë në Serbi që “i mësuan këto ditë si të fluturojnë dhe si të shkëlqejnë”. Ambasadorja u zemërua aq shumë sa u largua nga takimi. Shpejt pasoi një shpjegim. “Duhet ta kuptoni se unë para pak ditësh kam shkruar në Facebook-un tim se mbështes kur të rinjtë qëndrojnë në sheshe, nuk bllokojnë institucionet dhe kur kërkojnë drejtësi konkrete për padrejtësitë.
Por përtej kësaj – bllokada, duke e quajtur vendin tim tirani, duke e quajtur presidentin tim dhe liderët e shtetit si vrasës e të ngjashme, thjesht dhe absolutisht nuk e mbështes”, tha Miliç. Shumë kohë përpara se të bashkëpunonte me Vuçiçin dhe të merrte postin e ambasadorit, Jelena Miliç nuk i kurseu fjalët duke kritikuar qeverinë e tij. Do të mbahet mend edhe largimi i saj nga studioja e televizionit Pink, ku ishte mysafire me Vuçiçin. Miliç, në fakt, u largua në mënyrë demonstrative pasi Vuçiç i tha asaj se po ndiqte politika që ishin të dëmshme për Serbinë.
