Vrasja mafioze e 26-vjeçarit italian çon në 15 arrestime mes Italisë dhe Shqipërisë, SPAK dhe Antimafia zbardhin skemën kriminale

Data

Vrasja e 26-vjeçarit italian Francesco Diviesti, i ekzekutuar një vit më parë në jug të Italisë, ka çuar në një operacion të gjerë ndërkombëtar mes autoriteteve italiane dhe shqiptare, ku janë ekzekutuar 15 masa sigurie ndaj anëtarëve të dyshuar të një grupi kriminal.

Operacioni u zhvillua nga SPAK në bashkëpunim me Drejtorinë Distriktuale Antimafia të Bari dhe me koordinimin e Eurojust.

Sipas hetimeve, Francesco Diviesti u vra dhe më pas trupi i tij u dogj në një zonë të izoluar të Alta Murgias. Dyshohet se në qendër të konfliktit që çoi në krim kanë qenë borxhe dhe aktiviteti i grupit në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Autoritetet kanë ngritur akuza për vrasje me paramendim me metodë mafioze, tentativë zhvatjeje, armëmbajtje pa leje, ndihmë pas krimit, shkelje të masave të sigurisë dhe pastrim ndërkombëtar parash nga Italia drejt Shqipërisë.

Masat e sigurisë janë lëshuar nga gjyqtari hetues i Barit dhe nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë.

Mes 15 personave të arrestuar ndodhen edhe katër gra, ndërsa operacioni është shtrirë në disa qytete të Italisë dhe Shqipërisë.

Hetimet dyshohet se kanë zbuluar lidhje të forta mes grupit kriminal dhe rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të drogës, si dhe skema të pastrimit të parave përmes aktiviteteve ekonomike në të dy vendet.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related