Leonard Duka, i akuzuar për përfshirje në vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ka dëshmuar këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Duka, i cili konsiderohet një nga organizatorët e atentatit, është përballur me pyetjet lidhur me rolin e tij në ngjarjen e ndodhur në 2019, ndërkohë hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.
Para prokurorëve, Leonard Duka ka deklaruar se ditën e vrasjes së Santiago Malkos ishte shoqëruar nga policia dhe vetëm atëherë mësoi për ngjarjen. “Ditën e ngjarjes jam shoqëruar nga policia. Kur më shoqëruan, kam mësuar për ngjarjen. Kam qenë para shumë vitesh me të ndjerin dhe kemi pasur shoqëri të përbashkët. Nuk e di pse jam këtu,” mësohet të ketë thënë Duka.
Leonard Duka u ekstradua nga Belgjika në gusht të këtij viti, pas megaoperacionit policor “Metamorfoza 2.” Operacioni zbardhi biseda të kriminelëve shqiptarë përmes platformës Sky ECC, duke çuar në zbulimin e disa vrasjeve dhe tentativave për vrasje. Pas këtij operacioni, Duka u shpall sërish në kërkim dhe më 18 maj 2024 u arrestua në Belgjikë.
Si ndodhi vrasja e Santiago Malkos?
Vrasja e Santiago Malkos ishte një ngjarje tronditëse në Tiranë që ndodhi më 27 gusht 2019. Malko, ish-polic dhe i dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, u vra në një atentat të mirëorganizuar. Ai u qëllua me armë zjarri teksa po lëvizte me makinën e tij në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë.
Vrasja e Malkos dyshohet të ketë lidhje me përplasjet mes grupeve kriminale në kryeqytet, pasi ai njihej për lidhje me botën e krimit. Policia dhe prokuroria nisën hetimet intensive për të zbuluar autorët e ngjarjes dhe motivet prapa vrasjes, duke arrestuar disa persona të përfshirë, por edhe duke kërkuar ende autorët kryesorë që qëndronin prapa atentatit.
Kush është Leonard Duka, dhe përfshirja e tij në ekzekutimin e Malkos?
Leonard Duka është një nga emrat kryesorë të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Santiago Malkos. Duka u identifikua si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në atentatin ndaj ish-policit Malko më 2019, në Tiranë. Ai u akuzua për organizimin dhe pjesëmarrjen në ekzekutimin e Malkos, ngjarje e cila dyshohet të ketë ardhur si rezultat i përplasjeve mes grupeve kriminale.
Leonard Duka dhe disa të tjerë u vunë nën hetim për këtë vrasje, dhe ai është një nga të kërkuarit kryesorë nga policia shqiptare. Vrasja e Malkos ishte pjesë e një serie ngjarjesh kriminale që kanë tronditur Tiranën, duke nxjerrë në pah luftën mes bandave kriminale dhe rritjen e krimit të organizuar në vend.
Dosja hetimore
Konflikti mes Leonard Dukës dhe Ervis Martinaj u intensifikua pas një debati midis Leonard Dukës dhe Santiago Malkos, i cili u vra më 27 gusht 2019 në Tiranë. Sipas hetimeve, Santiago Malko dyshohet se ka dhunuar babain e Leonard Dukës, Muhamed Dukën.
Malko, i lidhur me aktivitete të paligjshme, përfshirë trafikimin e narkotikëve dhe krime kundër jetës, ishte mik i ngushtë i Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasit. Pas vrasjes së Malkos, Martinaj e fajësoi Leonard Dukën dhe rrjetin e tij për këtë ekzekutim.
Si pasojë, Ervis Martinaj nisi përpjekjet për të eliminuar Leonard dhe Erlis Dukën, si dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ndërkohë, grupi i Dukës planifikoi hakmarrjen ndaj Martinajt, Mihasit dhe lidhjeve të tyre.
