5 ditë pas vrasjes së 48-vjeçarit Lulzim Visha janë publikuar pamje të makinës së djegur të autorë. Visha u vra në makinë në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner ndërsa autorët pas ekzekutimit janë larguar me një mjet “Porsche Cayenne”.
Mjeti i djegur u gjet disa orë pas ngjarjes në fshatin Zgafnor, në Zall. Gjatë verifikimeve për targat e automjetit ka rezultuar se targat janë të vjedhura që në muajin Prill 2023, në Kamëz. Makina rezulton e vjedhur në Elbasan pak kohë më parë dhe për të ka pasur denoncim.
Githashtu mësohet se gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes përkojnë me armën që u gjet tek makina. I njëjti model arme u gjet gjatë kontrollit në banesën e Ervis Lamit, kushëriri i të arrestuarit në lidhje me vrasjen e 48-vjeçarit..
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 37-vjeçarin, Eduart Lami i cili është vënë në pranga si i dyshuar për vrasjen e Vishës. Gjatë seancës gjyqësore ai ka deklaruar se nuk ka patur konflikt me familjen e viktimës. Ai shtoi se sipas dijenisë së tij nuk ka patur asnjë debat ose përplasje më të.
48-vjeçari Lulzim Visha u gjet i vrarë më 24 janar në makinë në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner. Visha ishte postier në një postë private në Tiranë, dhe dyshohet se ishte nisur për në punë në momentin që është ekzektuar me armë zjarri. Dyshohet se ai është qëlluar me silenciator pasi banorët e zonës janë shprehur se nuk kanë dëgjuar të shtëna.
