Apeli i Gjykatës së Posaçme (GJKKO) ka zbardhur vendimin për kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ndaj të cilit më 13 mars u konfirmua masa e sigurisë “arrest me burg”. Në vendimin thuhet se pse u pranua kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të lënë në burg kryebashkiakun e Tiranës. Sipas vendimit të zbardhur nga Gjykata e Posaçme e Apelit, masa e sigurisë “arrest me burg” u konfirmua mbi arsyetimin se Veliaj paraqet një rrezik real për pengimin e hetimeve. Po ashtu, Sipas Apelit, ekziston gjithashtu rreziku i arratisjes, i mbështetur në mundësitë financiare të Veliajt dhe lëvizjet e shpeshta të tij të dokumentuara në sistemin TIMS.
Gjithashtu gjykata nuk e konsideron si faktor lehtësues as faktin që Veliaj është kryefamiljar dhe baba i një fëmije të mitur, ndërsa nënvizon rrezikun e përsëritjes së veprave penale nga ana e tij. Ndërkohë në vendim thuhet dhe sjellja intimiduese jo vetëm e Veliajt, por dhe e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe rreziku se mund të “helmojnë provat”. Në vendim thuhet qartë se Veliaj, i cili është ende në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës ka pushtetin për të ndikuar mbi vartësit e tij.
