Hetimet për vdekjen e biznesmenit italian Massimo Ferro po zhvillohen paralelisht në Shqipëri dhe Itali, ndërsa autopsia e dytë e kryer në Padova ka nxjerrë detaje të forta.
Sipas mediave italiane, ekzaminimi mjeko-ligjor ka konstatuar se në trup mungonin stomaku dhe një pjesë e zemrës, të cilat ishin hequr gjatë autopsisë së parë të kryer në Shqipëri, një ditë pas vdekjes së tij në fund të dhjetorit. Po ashtu, trupi rezultonte i rindërtuar me material leshi, praktikë që në Itali konsiderohet e tejkaluar.
Rezultatet e dy autopsive do të krahasohen për të përcaktuar nëse vdekja lidhet me shkaqe natyrore apo me komplikacione nga ndërhyrja kirurgjikale. Prokuroria e Padovës ka kërkuar dokumentacionin e plotë mjekësor nga autoritetet shqiptare.
Prokurori italian ka regjistruar si persona nën hetim kirurgun dhe dietologen që kishin ndjekur rastin në Itali. Ferro ishte operuar për gastrektomi më 18 dhjetor në Shqipëri, pas rekomandimit të një klinike private në Milano. Pas komplikacioneve, ai u transferua në QSUT, ku ndërroi jetë më 22 dhjetor.
Familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave dhe verifikimin nëse janë respektuar të gjitha protokollet mjekësore.
