Deputeti i PS-së Erion Braçe kërkon nga konkurrenca të rinisë hetim për tregun Agro-ushqimor të Tiranës, për abuzim me pozitat dominuese, si dhe të marrë masa për të velur gjobën e 2018-ës që kjo kompani nuk e ka paguar. Po ashtu Kuvendi i ka kërkuar Autoritetit të konkurrencës të nisë hetim për produktet e shportës, spitalet private e industrinë e turizmit.
“Tregu më i madh në vend i produkteve bujqësore është hetuar. Madje është gjetur fajtor, i është vendosur gjoba, po pse nuk e filloni nga arkëtimi i gjobës? Pse nuk e filloni nga fakti që ai ka refuzuar të zbatojë vendimet e Konkurrencës. Atje ka një gjendje thuajse shtrënguese për çdo tregtar që është aty. Shkoni tek KLODI, ua mban??”, thotë Erion Braçe.
Kompania që administron tregun Agroushqimor të Tiranës, në vitin 2018 është gjobitur 46 milionë lekë për shkak të abuzimit me pozitën dominuese dhe për shkelje të rregullave të konkurrencës me qiradhënien e ambienteve për tregtarët dhe abuzimet me çmimin e dritave dhe ujit. Por edhe pse nga gjykatat e lanë në fuqi këtë gjobë, ende nuk e ka paguar. Ndërkohë deputeti socialist thotë se ky hetim i nisur nga Autoriteti nuk e kthen konkurrencën e drejtë, pasi tregu i produkteve të tjera ushqimore nuk po hetohen.
“Po bëni populizëm nuk po riktheni konkurrencën e drejtë në treg sepse po të donit të merreshit me konkurrencën e ndershme, do e fillonit nga çmimi i grurit, i miellit për bukë dhe bukës vetë”, thotë Erion Braçe.
Kjo kërkesë e Braçes, e bërë edhe më herët në Kuvend e Komisione Parlamentare dhe është edhe pjesë e rezolutës me detyrat që duhet të përmbushë Autoriteti i Konkurrencës për këtë vit. Në rezolutën që tashmë është publikuar në Fletoren Zyrtare, Kuvendi i kërkon Autoritetit të Konkurrencës të nisë hetim për tregun e produkteve të shportës, që nuk kanë qenë objekt hetimi në 5 vjetët e fundit.
Po ashtu kuvendi ka kërkuar të nisë monitorimi i ndërmarrjeve që operojnë në industrinë e turizmit, si dhe nisja e hetimit në tregun e shërbimit spitalor privat dhe tregun e çimentos. Gjithashtu në rezolutë kërkohet që Konkurrenca të marrë masa për një konkurrencë efektive në shërbimet bankare digjitale për tarifat dhe komisionet e bankave si dhe stë monitorojë tregun e sigurimeve.
