Është gjetur trupi i pajetë i Klodian Kullës, 39 vjeç, nipit të Nehat Kullës, i cili mbrëmjen e së hënës (8 dhjetor) u vetëhodh nga ura e fshatit Fshat, në bashkinë Klos – një nga urat më të larta në Ballkan, me rreth 158 metra lartësi.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:40, kur 39-vjeçari dyshohet se ndaloi automjetin në mes të urës, zbriti prej tij dhe u hodh në humnerë, duke humbur jetën në vend. Për shkak të terrenit tepër të vështirë, trupin e tij e gjetën vetëm pas disa orësh kërkimi forcat e Policisë dhe Zjarrfikësve.
Njoftimi zyrtar i Policisë
“Më datë 08.12.2025, rreth orës 23:40, tek ura e fshatit Fshat, bashkia Klos, shtetasi K.K., rreth 39 vjeç, dyshohet se është vetëhedhur nga ura dhe për pasojë ka humbur jetën. Pas disa orësh kërkimi, u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit nga gremina.”
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Kush ishte Nehat Kulla – “Gjenerali” i Tufinës
Nehat Kulla, një nga figurat më të përfolura të botës së krimit në vitet ’90, ndërroi jetë më 16 qershor 2020, në moshën 67-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë në mushkëri.
Ai la qelinë e burgut në korrik 2019, pasi përfundoi dënimin me 20 vite heqje lirie për vrasjen e Halim Gjuzit, shofer i ish-zëvendësministrit të Arsimit, Halit Shamata, në vitin 1998.
Si ndodhi vrasja për të cilën u dënua Kulla
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë (2010), më 28 korrik 1998, Kulla iu afrua automjetit të viktimës me një mjet tip Chevrolet me targa ushtarake dhe e qëlloi me armë pas një konflikti rrugor, duke e lënë të vdekur në vend. Pas krimit, u largua me shpejtësi drejt Kavajës.
“Ushtria e Nehatit” – Banda që krijoi një “komisariat paralel” në 1997
Gjatë trazirave të vitit 1997, Kulla ngriti një grup të armatosur që njihej si “Ushtria e Nehatit”, ndërsa vetë ai mori nofkën “Gjenerali”.
Ai dhe njerëzit e tij:
- morën kontrollin e repartit ushtarak të xhenios në Tufinë,
- patrullonin zonën si strukturë paralele sigurie,
- krijuan një “komisariat” informal, duke vendosur rregullat e tyre në zonën e Kinostudios dhe Tufinës,
- kryen një sërë grabitjesh dhe vrasjesh, duke terrorizuar banorët,
- përdornin një Chevrolet ushtarak me sinjale policie, me të cilin vetë Kulla ka pozuar për mediat, i veshur me uniformë dhe armë automatike.
Ai u arrestua më 2005 dhe me disa ulje dënimesh e përfundoi dënimin 20-vjeçar në vitin 2019.
